Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dekoruar me medaljen “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” trajnerin e xhudos, Driton Kuka.
Në një postim në Facebook, Haradinaj ka thënë se brezi i artë i xhudistëve të Kosovës, të udhëhequr nga Kuka, janë vlerat më të çmuara të shtetit.
Ai ka thënë se financimi i palestrës për xhudo është përkrahje modeste krahasuar me arritjet e xhudistëve të prirë nga Majlinda Kelmendi.
Madje Haradinaj ka veshur rrobat e xhudistëve dhe në një moment ka luftuar me të artën olimpike, Majlinda Kelmendi.
Për këtë përballje, Thaçi shkroi ‘pata një përballje miqësore’.
“Klubi pejan i xhudos ”Ipon” e ka bërë krenare tërë Kosovën. Mjeshtri Driton Kuka, me brezin e artë të xhudistëve, që kanë arritur majat botërore, janë ndër vlerat më të çmuara të shtetit tonë të ri”, shkroi Ramushi në Facebook.
“Financimi i palestrës nga Qeveria është përkrahje modeste krahasuar me arritjet brilante të këtij ekipi të madh prirë nga e arta jonë, Majlinda Kelmendi, me të cilën pata një përballje miqësore. Për kontribut të jashtëzakonshëm dhënë sportit nacional, e dekorova Driton Kukën me medaljen “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, vijon më tej në postimin në Facebook.