Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj do të udhëtojë drejt Berlinit, ku do të takohet ditën e nesërme me kancelaren gjermane Angela Merkel.
Zëdhënësja e qeverisë gjermane, Martina Fic deklaroi se temë e bisedave do të jenë marrëdhëniet bilaterale, si dhe çështje tjera bilaterale.
Në njoftimin e zyrës thuhet se Merkel në takimin me Haradinaj, do të bisedojë për raportet mes Prishtinës dhe Beogradit.
Ndërsa zëdhënësja e qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi, konfirmoi se Haradinaj do të udhëtojë për në Berlin me ftesë të Bundestagut gjerman për të marrë pjesë në lutjet e mëngjesit. Ajo shtoi në të njëjtën kohë se Haradinaj do të ketë gjithashtu një takim pune me Kancelaren Merkel.
Sipas saj, çështjet që do të diskutohen në takim përfshijnë zhbllokimin e dialogut Beograd-Prishtinë, heqjen ose pezullimin e taksës mbi importet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina dhe liberalizimin e vizave.