Marrëveshja Kornizë e Ohrit, që u nënshkrua para 18 vitesh, është një kontratë shqiptaro-maqedonase për raportet e reja shoqëroro-politike dhe ndërtimin e mëtejshëm të shtetit të quajtur Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë – tashmë Maqedonia e Veriut.
Kontrata u bë e mundshme pas konfliktit të armatosur në vitin 2001. Marrëveshja u realizua me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, e cila dha kontributin për zgjidhje politike të krizës ndëretnike në vendin tonë fqinj.
Roli i bashkësisë ndërkombëtare për ndërprerjen e konfliktit dhe arritjen e marrëveshjes politike ishte i pazëvendësueshëm.
Qysh gjatë zhvillimeve luftarake në IRJM, Unioni Evropian dhe SHBA, dërguan përfaqësuesit e tyre Francois Leotard dhe James Perdew, si ndërmjetësues për arritjen e paqes. Pas negociatave të mundimshme me palët e konfrontuara, ata përgatitën dokumentin e ashtuquajtur “Versioni Draft i Dokumentit Kornizë”, të cilin më 7 korrik, 2001, ua dorëzuan katër liderëve, pjesëmarrës në Qeverinë e ish- Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe presidentit Boris Trajkovski.
Gjatë zhvillimit të negociatave në Ohër, faktori politik shqiptar startoi me pozicione euro-perëndimore. Nuk doli me kërkesa për ndarje territoriale, por për barazi të plotë etnike, që ishte në harmoni me parimet europerëndimore. Në fakt, kërkohej që karakteri multi-etnik i shoqërisë maqedonase të pasqyrohet në rregullimin shtetëror.
Ndërsa, pala maqedonase mbante pozicion ekskluziv duke refuzuar kërkesën që pasqyronte diversitetin objektiv të shoqërisë në konceptin e shtetit. Me fjalë tjera, përderisa pala maqedonase synonte të kontrollojë të drejtat kombëtare të shqiptarëve, pala shqiptare nuk ndërhynte në korpusin e të drejtave të maqedonasve.
Negociatat shqiptaro-maqedonase në Ohër zgjatën rreth dhjetë ditë dhe përfunduan më 13 gusht 2001.
Nën trysninë ndërkombëtare, konflikti shqiptaro-maqedonas u mbyll me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, nënshkruar në Shkup nga përfaqësuesit shqiptarë dhe maqedonas, që merrnin pjesë në koalicionin e zgjeruar qeveritar: Lupço Georgievski, Arbën Xhaferi, Branko Cërvenkovski dhe Imer Imeri. Këtë marrëveshje e nënshkroi edhe kryetari i shtetit, Boris Trajkovski dhe ndërmjetësuesit euro-amerikanë, Leotard dhe Perdew.
Marrëveshja Kornizë e Ohrit përfshinë dhjetë pika kyçe:
Parimet themelore; 2. Ndërprerja e armiqësive; 3. Zhvillimi i pushtetit të decentralizuar; 4. Mos diskriminimi dhe përfaqësimi i drejtë; 5. Procedurat e posaçme kuvendore; 6. Arsimimi dhe përdorimi i gjuhëve; 7. Shprehja e identitetit; 8. Implementimi; 9. Anekset; 10. Dispozitat përfundimtare.