Pavarësisht se emri i tij është përmendur në skandalin e korrupsionit “Zhvatja”, kryeministri maqedonas, Zoran Zaev ka refuzuar kërkesën e opozitës për t’u dorëhequr dhe për të mbajtur zgjedhje të parakohshme. Zaevi ka folur me tone të ashpra, duke e akuzuar gazetarin që ka publikuar skandalin si kapriçoz.
Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev ka refuzuar kërkesën e opozitës për t’u dorëhequr dhe për zgjedhje të parakohshme, pas lidhjes së emrit të tij me çështjen e korrupsionit “Zhvatja”.
“Nuk mendoj për asnjë dorëheqje, as edhe për zgjedhje të parakohshme,” deklaroi Zaev duke iu përgjigjur gazetarëve.
“Unë jam luftëtar dhe do të vazhdo të luftoj për këtë deri në fund. Gjithsesi, nuk do të lejoj që disa kriminelë, një gazetar kapriçioz dhe i kërkoj ndjesë komuniteti LGBT, një pederast, ta rrëzojë këtë qeveri nga pushteti. Do të luftojmë deri në fund, ndërsa secili të mbajë përgjegjësitë e tij,” u shpreh Zaev.
Kryeministri theksoi se duhet “t’i jepet një shans rritjes ekonomike të vendit”.
Në rastin “Zhvatja” dyshohet se një biznesmeni i janë marrë 1.5 milionë euro për ta shpëtuar nga një proces gjyqësor. Në këtë skandal korrupsioni, përveç dy personave të paraburgosur dyshohet të jetë përfshirë edhe prokurorja speciale e dorëhequr, Katica Janeva.