Një autobus me targat e Shqipërisë, që i përkiste një agjencie kosovare është sulmuar mbrëmjen e djeshme në territorin e Serbisë. Autobusit i janë thyer xhamat, por nuk ka pasur njerëz të lënduar.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Ministri në dorëheqje i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Behxhet Pacolli. Ai ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që Serbia të ndalë sulmet dhe të ofrojë siguri për qytetarët e Kosovës.
“Unë e dënoj fuqishëm sulmin ndaj autobusit të mbushur me udhëtarë që po udhëtonin nga Kosova nëpër Serbi për në Bashkim Evropian. Serbia vazhdimisht po dështon të ofrojë siguri për udhëtarët tanë dhe liri të lëvizjes. Ne bëjmë thirrje për hetime dhe garanci për sigurinë e qytetarëve tanë”, thuhet në postimin e tij.
Pacolli ka shtuar se sulmet e koordinuara ndaj qytetarëve të Kosovës duhet të ndalen dhe ka bërë thirrje ndaj Bashkimit Evropian që të veprojë si lehtësues i marrëveshjes për lëvizje të lirë.