Marrëveshja e qeverisë shqiptare me atë italiane për njohjen e lejeve të drejtimit duket se do të mbetet vetëm në letra. E firmosur në 14 gusht marrëveshja do të hynte në fuqi me 8 shtator. Ndërkohë që të vetmit që e përfitonin ishin ata të pajisur me modelin e ri të lejeve të drejtimit të lëshuara nga janari i vitit 2017. Por realiteti është ndryshe.
Qytetarët shqiptarë që banojnë në Itali prej më shumë se 20 vitesh dhe kanë në duar patentën e re, ndeshen me problematikat e shumta. Qeveria Italiane nga ana e saj ka publikuar një dokument ku shpjegon rrugën që duhet të ndiqet për të përfituar nga marrëveshja, kush janë përfituesit, si dhe sasinë e parave që duhet të paguajnë.
Në memorandum është i caktuar edhe afati i fundit i marrëveshjes që është muaji dhjetor, ndërkohë përfituesit janë të paktë në numër, kjo për faktin se u jep të drejtë vetëm atyre që janë rezident tre vitet e fundit dhe janë të punësuar me kontratë. Por ajo që penalizon shqiptarët është fakti se Italia prej më shumë se pesë vitesh është në një krizë të madhe në tregun e punës dhe në këto kushte punëtorët janë pa kontrata të rregullta.
Në Itali janë 500 mijë shqiptarë të pajisur me patenta të para viteve 2015 dhe duket se automatikisht janë të përjashtuar nga kjo marrëveshje. Por nuk është vetëm kjo. Njohja e lejës së drejtimit me Italinë shoqërohet edhe me një kosto financiare shtesë që shkon mbi 500 euro. Kostoja rritet ndjeshëm për ata që kanë leje të vjetra të drejtimit, pra të lëshuara para vitit 2017. Me gjithë propagandën e madhe të bërë me firmosjen e marrëveshjes, zbatimi i saj duket se do të jetë e pamundur.
Memorandum i publikuar nga Ministria e Transpotit në Itali e bën Nul dokumentin e dal nga takimi i 14 gushtit. Duket se të njëjtin fat do të kenë edhe drejtuesit e automjeteve shqiptare që punojnë në Greqi, vend më të cilin është firmosur e njëjta marrëveshje.