Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministër në largim i Qeverisë së Kosovës, i ftuar në Rubikon në KTV-së ka akuzuar zëvendëskryeministrin tjetër në largim Enver Hoxhajn, se kishte mashtruar për punën e taksës.
Duke folur për vendimin për taksën dhjetë për qind ndaj produkteve serbe, Pacolli ka thënë se Hoxhaj ishte zotuar se ka marrë miratim të ambasadës amerikane për këtë çështje. Megjithatë, sipas Pacollit, kjo s’doli të jetë e tillë.
‘Në seancë pash se ishte në rend dite. Kam afër zotin Hoxhaj. E pyes, sepse ai donte të merrte privilegjin me anoncu se ishte ai që e propozon taksën. Unë i thash ‘të lutem Enver çka është kjo punë’. Në pyetjen time u koncentrua edhe kryeministri edhe zëvendëskryeministri Limaj. Më tha ‘e kam kryer me amerikanët. Vetëm sa erdha nga ambasada, kam diskutuar me amerikanët, është kryer kjo punë, ecim përpara’. Ne votojmë të gjithë, u bë vendim i mirë, sepse na konvenonte duke pa sjelljet e Serbisë, dhe isha i sigurt se kjo u diskutua me ambasadën amerikane, por doli që s’ishte e vërtetë, që askush s’kishte diskutuar me ambasadën amerikane’, ka deklaruar Pacolli.
Zv/kryeministri në largim i qeverisë së Kosovës ka zbuluar kështu një të vërtetë të pathënë më parë. Sipas tij, referuar asaj cfarë i ka thënë Hoxhaj, prapa vendimit për vendosjes së taksës janë amerikanët.
Nuk dihet nëse kjo është e vërtetë. Pra nëse amerikanët e kanë kërkuar vërtet vendosjen e taksës dhe më pas janë penduar. Nëse Hoxhaj e ka gënjyer Pacollin. Apo e gjitha kjo është e vërtetë? Këto pikëpyetje të rëndësishme mbeten të sqarohen në vijim.