Intervistë ekskluzive e DW me ekspertin gjerman për Ballkanin Bodo Weber në prag të zgjedhjeve parlamentare të Kosovës.
DW: Të dielën Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Çfarë vendoset në këto zgjedhje?
Bodo Weber: Është relativisht e vështirë të thuhet. Nga njëra anë, që kur dha dorëheqjen kryeministri aktual në detyrë, Haradinaj pati shumë polemika për shkakun e vërtetë të dorëheqjes. A ishte vërtet marrja në pyetje nga Gjykata e Hagës, apo ishte një manovër taktike për të dalë nga një koalicion i vështirë. Nga ana tjetër, pyetja është, se kush do t'i fitojë zgjedhjet? A do të kemi për herë të parë prej shumë vitesh një qeveri pa përfshirjen e PDK-së, siç kanë paralajmëruar përfaqësuesit e opozitës Sa i vështirë do të jetë formimi i koalicionit qeverisës? Si do të vazhdojë dialogu?
Cilt janë faktorët kryesorë që do të nxjerrin fituesin, sipas mendimit tuaj?
Bodo Weber: Qeveria e deritanishme ka punuar nën hijen e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Kjo i nxori në plan të dytë të gjitha temat e tjera politike. Veç kësaj marrëdhëniet mes qeverisë dhe presidentit ishin të rënduara për shkak të idesë së përqafuar për ca kohë prej tij dhe presidentit serb për ndërrimin e territoreve. Me këtë opsion të rrezikshëm ata kishin arritur të bindnin që nga zonja Mogherini dhe ekipin e saj në Bruksel, administratën e Trumpit dhe deri diku edhe pjesë të zyrës presidenciale në Paris. Kjo bëri që të krijoheshin dy fronte: partitë e tjera nga njëra anë dhe PDK-ja e presidentit Thaçi nga ana tjetër, e cila kishte një pozicion të paqartë dhe jo të qëndrueshëm ndaj idesë së ndryshimit të kufijve. Kështu që unë do të thosha, se janë zgjedhjet e para të jashtëzakonshme që nga pavarësia e Kosovës, ku është e vështirë të parashikohet, se cila parti do të dalë në krye. Edhe sondazhet duhen lexuar me rezerva.
A parashikoni që të kemi një situatë si në zgjedhjet e kaluara, kur krijimi i qeverisë do të kërkojë kohë?
Bodo Weber: Kjo varet nga rezultati, varet se a do të arrijë LDK dhe Vetëvendosje të mbledhin shumicën e duhur për një koalicion qeverisës, ani pse nuk arritën të dakordësoheshin as për një fushatë të përbashkët e as për një kandidat ose kandidate të përbashkët që do të kryesonte qeverinë. Pra, lind pyetja a do të dalë një shumicë, që të krijojë një koalicion, i cili nuk është si ky i tanishmi - me shumë parti? Pyetja tjetër: a do të arrijë të miratohet koalicioni pa votat e deputetëve serbë ose, a do të arrijnë partitë e vogla serbe që janë bashkuar kundër Listës Serbe që të mbledhin numrin e duhur prej dhjetë vendesh në parlament? Pra, ka shumë pyetje.
Siç thatë dhe ju, pyetja që duhet të zgjidhi të parën kreu i ri i Kosovës është vazhdimi i dialogut me Serbinë. Cili është parashikimi juaj?
Bodo Weber: Ne do të kemi dy sfida: njëra është të krijohet një ekip negociator uniteti, pra që mbështet së paku nga shumica e partive parlamentare, në mënyrë që ta ketë të garantuar ratifikimin e marrëveshjes së mundshme nga parlamenti i Kosovës. Nga ana tjetër, ky ekip duhet të ketë parasysh edhe rolin qendror të kryeministrit dhe qeverisë së re, që e kërkon vendimi i Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që marrëveshja të mos kontestohet nga Gjykata Kushtetuese. Pra, është problemi që kemi pasur këto dy vite: Si mund të kapërcehet kjo larmi apo ky kaos aktorësh nga pala kosovare në lidhje me negociatat.
Çfarë roli pritet të luajë tani një emisar i caktuar i SHBA-ve si Richard Grenell?
Bodo Weber: Ne kemi nevojë për një rifillim të dialogut që ka si synim të mos vërë në diskutim integritetin territorial të Kosovës. Mesa duket për këtë ekziston dakordësi së paku mes Berlinit dhe Parisit, por emërimi i Grenellit është dëshmi, se Uashingtoni ende nuk ka hequr dorë tërësisht nga ideja e rrezikshme e shkëmbimit të territoreve dhe ky emërim do ta komplikojë rifillimin e negociatave. Veç kësaj Grenell konsiderohet si një diplomat që preferon ndërhyrje jodiplomatike në politikën evropiane, dhe besoj se marrëdhëniet transatlantike në përgjithësi do të rëndohen.
Flitet që edhe Gjermania dëshiron të emërojë një të ngarkuar të posaçëm për dialogun. A ka ndonjë të vërtetë këtu?
Bodo Weber: Këtu lind pyetja se kush do t'i udhëheqë negociatat mes Serbisë dhe Kosovës, të cilat kërkojnë një impenjim të madh, dhe zyra e të ngarkuarit të BE-së për politikë të jashtme nuk i ka kapacitetet ta ushtrojë këtë detyrë. Sepse siç e pamë edhe nga udhëheqja skandaloze e dialogut nga ana e Mogherinit, qëllimi nuk është që të negociohet me harta dhe territore, por të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Kjo është një çështje shumë komplekse dhe kërkon një impenjim të plotë. Prandaj, ka kohë që është shtruar ideja që BE-ja të caktojë një të ngarkuar special për dialogun, por sipas të gjitha gjasave, ky do të jetë nën ombrellën e zyrës së zotit Borell, dhe jo si strukturë paralele me atë të BE-së. Gjermania duket se ka interes që ky post të mbulohet nga një gjerman. Por është ende herët të parashikohet se kush mund të jetë. Tani jemi ende në fazë konsultimesh.
Së shpejti do të fillojë nga puna komisioni i ri i BE-së. A mendoni se ka ardhur koha që BE-ja ta ndryshojë strategjinë për Kosovën?
Bodo Weber: Nuk mund të them të ndryshohet, sepse deri tani nuk kam parë ndonjë strategji të veçantë për Kosovën. Kjo duket nga mënyra e kryerjes së dialogut, nga njëra anë, por edhe nga mosliberalizimi i vizave për shtetasit e Kosovës, nga ana tjetër, gjë që është një skandal në aspektin moral, në një kohë që Kosova i ka plotësuar prej kohësh të gjitha kushtet e vëna nga Komisioni, të cilat edhe ashtu kanë qenë më të larta se për të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Besoj se së paku për këtë çështje Komisioni i ri do të vazhdojë të rekomandojë liberalizimin e vizave. Për çështje të tjera, shumëçka do të varet nga stafi, pra se kush do të bëhet komisioner i ri për zgjerimin. Deri tani njohim vetëm atë që do të merret me politikën e jashtme dhe të sigurisë, pra, zotin Borell. Dhe besoj se zoti Borell, si një evropian me përvojë në Bruksel dhe si një nga të parët ministra të jashtëm të një vendi anëtar të BE-së, që është shprehur kundër idesë së ndryshimeve territoriale në Ballkan e ka kuptuar shumë mirë se sa të rrezikshme janë ide të tilla. Dhe mendoj, se edhe pse vetë vjen nga një vend që nuk e ka njohur Kosovën, ai do të luajë një rol shumë konstruktiv në këtë temë.