Britania: Ndryshimi i kufijve, destabilizim për Kosovën! Do të punojmë me kryeministrin e ri

Premte, 11 October 2019 15:01

Ambasadori i ri i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott zyrtarisht e mori detyrën më 31 gusht të këtij viti. Abbott në një intervistë deklaroi se Britania e Madhe është kundër ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Ambasadori britanik në Kosovë tha po ashtu se qeveria e re që do të formohet do të jetë përgjegjëse para votës që i ka dhënë populli dhe komuniteti ndërkombëtar do të bashkëpunojë me kryeministrin e ri që do të zgjidhet. Për Gazetë Express ai tha:

Cili është mendimi juaj për zgjedhjet e përgjithshme që u mbajtën më 6 tetor? A mendoni se Kosova e ka organizuar një proces të mirë?

Nicholas Abbott: Unë isha i akredituar si vëzhgues në këto zgjedhje dhe e kalova ditën e zgjedhjeve në Gjakovë dhe në rrethinën e saj. Stafi im i ambasadës ka qenë i angazhuar në mbarë vendin. Ne ishim dëshmitarë në rend të parë të një përkushtimi dhe profesionalizmi të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Isha i mahnitur me atë se sa të qeta dhe sa të organizuara ishin zgjedhjet dhe sa shumë entuziazëm kishin votuesit. Kjo është një shenjë e mirë e rritjes së pjekurisë së demokracisë së re të Kosovës.

Partitë opozitare, Lëvizja “Vetëvendosje” dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, i fituan zgjedhjet e së dielës dhe të dyja këto parti janë kundër bisedimeve me Serbinë sa i përket ndryshimit të kufijve të Kosovës. Cili është qëndrimi zyrtar i Mbretërisë së Bashkuar për këtë çështje?

Nicholass Abbott: Mbretëria e Bashkuar beson se ndryshimi i kufijve do të ishte destabilizim për Kosovën dhe rajonin dhe do t’i dëmtonte sigurinë rajonale, mirëqenien dhe stabilitetin. Për t’i normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, të dyja shtetet duhet ta njohin njëra-tjetrën si shtete të pavarura dhe sovrane sipas kufijve të tyre ekzistues.

A mendoni se qeveria e re e Kosovës duhet ta rifiollojë dialogun me Serbinë pa ndonjë kusht?

Nicholas Abbott: Mendoj se kthimi në dialog me Serbinë sa më shpejt që është e mundur duhet të jetë prioritet për qeverinë e re. Kosova ka nevojë për një qeveri stabile, e cila mund ta çojë përpara dialogun dhe ta arrijë një marrëveshje përfundimtare, të qëndrueshme dhe ligjërisht të obligueshme në mënyrë që të përfundohet procesi që ka nisur që nga shpallja e pavarësisë më 2008-n.

Duke pasur parasysh që ekziston përshtypja se kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, i cili i fitoi zgjedhjet, nuk është për bashkëpunim me shtetet perëndimore dhe me shumë gjasë, ai do të jetë kryeministri i ri i Kosovës, a mendoni se komuniteti ndërkombëtar do ta pengojë Kurtin që të bëhet kryeministër i ri i Kosovës?

Nicholas Abbott: Kosova është vend i pavarur dhe është përgjegjëse për marrjen e vendimeve të veta. Kryeministri i ri do të jetë përfundimisht përgjegjës para popullit të Kosovës, e jo para komunitetit ndërkombëtar. Ne dhe të gjithë anëtarët e tjerë të komunitetit ndërkombëtar do të punojmë me kryeministrin e ri dhe qeverinë e re, sepse ata e kanë mandatin nga populli i Kosovës për të qeverisur. Njëlloj, jam i sigurt që kryeministri i ri do të jetë i vetëdijshëm për mbajtjen e marrëdhënieve të ngushta dhe bashkëpunimit me këto shtete dhe institucione, të cilat e kanë përkrahur dhe do të vazhdojnë ta përkrahin vendin.

Kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, i cili i fitoi këto zgjedhje, ka deklaruar se Kosova nuk do ta suspendojë taksën ndaj prodhimeve serbe, por do ta zëvendësojë atë me reciprocitet. A mendoni se qeveria e re duhet ta suspendojë këtë taksë?

Nicholas Abbott: Mbretëria e Bashkuar e përkrah procesin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë. Të dyja palët duhet t’i krijojnë kushtet për përparimin e bisedimeve dhe të marrin masa që do të promovojnë një marrëveshje përfundimtare. Ne do të vazhdojmë t’i inkurajojmë të dyja palët që të kërkojnë zgjidhje pozitive, të cilat janë të pranueshme në mënyrë reciproke, që janë kreative dhe të përfytyrueshme.

Njëra nga detyrat ekskluzive të Prokurorisë Speciale të Kosovës është hetimi i korrupsionit të profilit të lartë, por ky institucion ka hyrë në vitin e dytë pa filluar ndonjë hetim të ndonjë rasti të korrupsionit të lartë. Çfarë mendoni se ju mungon më së shumti institucioneve të Kosovës sa i përket sundimit të ligjit?

Nicholas Abbott: Institucioneve të Kosovës nuk u mungojnë mjetet e duhura për t’i trajtuar këto probleme, përfshirë legjistacionin në fuqi. Policia dhe prokurorët e kanë pushtetin që u nevojitet për t’i luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë. Korrupsioni po e lë Kosovën mbrapa dhe po e pengon këtë vend të ri që ta kuptojë potencialin e vet të pasur. Ato që nevojiten janë vullneti politik, puna e madhe dhe qasja me zero tolerancë ndaj korrupsionit, pavarësisht statusit apo lidhjeve që kanë shkelësit.

A duhet të ketë veting në insitucionet e sigurisë dhe të drejtësisë në Kosovë?

Nicholas Abbott: Llogaridhënia, transparenca dhe integriteti në gjykata, prokurori dhe në insitucione të tjera të sundimit të ligjit janë kushte paraprake që Kosova të shënojë përparim në luftën kundër korrupsionit, nepotizmit dhe interesave personale. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është e përkushtuar që të punojë me institucionet e Kosovës për ta themeluar njësinë e vetingut që të sigurohet integritet në mesin e zbatuesve të sundimit të ligjit. Korrupsioni nuk mund të çrrënjoset vetëm përmes vetingut. Por, nëse institucionet janë të afta që ta sfidojnë dhe luftojnë aktivitetin korruptiv përmes vetingut dhe masave disiplinore, rezultati do të jetë një sistem më transparent, i cili vepron sipas interesit të kosovarëve të rëndomtë, e jo në bazë të interesit të një elite të privilegjuar.

Ish-ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Ruairi O’Connell, dha dorëheqje nga bordi i Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës më 26 mars 2019, sepse Kuvendi i Kosovës e caktoi Naser Shalën si kryetar të kësaj agjencie. Dorëheqja e tij u pasua edhe me dorëheqjen e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara, Philip Kosnett, nga ky bord për të njëjtën arsye. A do të jetë Mbretëria e Bashkuar pjesë e kësaj agjencie në të ardhmen, nëse Kuvendi i Kosovës e shkarkon Naser Shalën nga pozita e udhëheqësit të agjencisë?

Nicholas Abbott: Ne nuk besojnë se vendimi i Kuvendit të Kosovës për ta zgjedhur z.Naser Shalën si kryetar të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës ishte zgjedhja më e mirë profesionale. Projekti ynë i rekrutimit vlerësoi se ai nuk i ka plotësuar kriteret e përzgjedhjes. Vendimi i Kuvendit e dobësoi besimin tonë në aftësinë e këtij institucioni për të bërë emërime në bazë të meritave dhe jo në bazë të interesave politike. Paraardhësi im pati të drejtë kur dha dorëheqje nga pozita e kryetarit të bordit të kësaj agjencie.

Qeveria e kaluar, e udhëhequr nga ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, e ka shkarkuar bordin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe si rezultat i këtij vendimi, kjo agjenci është përjashuar nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë më 28 shkurt të vitit 2018 dhe disa ditë më parë, për shkak të të njëjtit vendim të ish-kryeministrit, Agjencia e Kosovës për Akreditim u përjashtua edhe nga Shoqata Evropiane për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA). Ky përjashtim do t’i prekë studentët kosovarë që synojnë ta vazhdojnë shkollimin e lartë në institucionet e BE-së. Cili është komenti juaj për këtë çështje?

Nicholas Abbott: Përjashtimi i Kosovës nga organet e rëndësishme ndërkombëtare për sigurimin e cilësisë është shumë fatkeq. Ne shpresojmë që qeveria e re do ta marrë këtë çështje shumë seriozisht dhe të punojë për t’i zgjidhur këto probleme të pazgjidhura sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që studentët kosovarë të mos përjashtohen nga mundësitë për të studiuar jashtë vendit. Rinia është e ardhmja e Kosovës dhe pasuria më e madhe e saj. Të rinjë i meritojnë mundësitë më të mira të shkollimit dhe duhet të ndihmohen për të hyrë në tregun e punës të pajisur me shkathtësitë që nevojiten për ta ndërtuar të ardhmen e vendit.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...