Shyhrete Tahiri-Sylejmani, e mbijetuar e përdhunimeve nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, dorëzoi të hënën kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme të Kosovës, duke u bërë kësisoj gruaja e dytë pas zonjës Vasfije Krasniqi Goodman, e cila rrëfen publikisht për krimin e përdhunimeve.
Zonja Tahiri - Sylejmani, tha se ka vendosur që publikisht të kërkojë drejtësi.
“Sot jam këtu të ndaj me ju dhimbjen që e kam në shpirt edhe përfaqësoj të gjitha nënat, vëllezërit, motrat, bijat që e kanë dhimbjen e njëjtë si unë, të ju jap kurajë edhe atyre. Nuk është e lehtë aspak, asnjëherë. Mendo atë dhimbje të shpirtit që thyen zemrat dhe nuk bëhen asnjëherë më bashkë. Jam këtu të kërkoj drejtësinë time”, tha zonja Sylejmani.
Feride Rushiti nga Qendra për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës, shprehu shqetësimin e saj për mungesën e drejtësisë, dora e së cilës ende nuk arriti autorët e këtij krimi.
“Me kompetencë të plotë them se në periudhën e OKB-së por edhe në periudhën e EULEX-it, këto krime kanë mbetur të pandëshkuara. Prandaj jemi mbledhur këtu për të kërkuar drejtësi për 20 mijë gra, burra, vajza dhe djem që kanë përjetuar këtë krim, tmerr, torturë, keqtrajtim gjatë periudhës së luftës”, tha zonja Rushiti.
Në mars të vitit 2014, parlamenti i Kosovës kishte miratuar ndryshimet ligjore për njohjen e statusit të të mbijetuarve të përdhunimeve, ndërsa ky status u njoh nga një komision qeveritar tek në fund të vitit 2017 kur edhe u caktua një pension prej 230 eurosh.
Në muajin shkurt të vitit 2018 autoritetet në Kosovë hapën procesin e verifikimit të statusit të personave të mbijetuar të përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë, një proces që pritet të zgjasë 5 vjet.
Veprimtarët humanitar shpresojnë që hapja e procesit ka hapur mundësinë për zbulimin e rasteve të panjohura e të fshehura deri tash të të prekurve nga kjo formë e krimit të luftës, që ngurrojnë të dalin sheshazi ende nga frika e stigmatizimit por edhe dëshpërimi me faktin se deri tash askush nuk është dënuar për këtë krim.