Kandidatja per kryeministre e LDK-së në Kosovë, Vjosa Osmani në një intervistë për “Zërin e Amerikës” thotë se marsi i vitit 2020 nuk parashikon arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, por marrëveshje për çështje specifike.
Sipas saj pranvera e vitit 2020 nuk është kërkuar nga aleatët perëndimorë për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, por për të sjellë të dyja palët Kosovë-Serbi, sërish në tavolinë dhe për të rifilluar negociatat.
Vjosa Osmani: Unë nuk besoj se marrëveshja finale në rrethanat aktuale mund të arrihet deri në marsin e viti 2020, por shoh që mund të arrihen marrëveshje për çështje specifike të temave më teknike, edhe pse ato kanë ndikim në marrëveshjen finale. Dialogu deri në mars të viti 2020 mund të trajtojë çështjen e zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese, mund të trajtojë çështje që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, me eliminimin e barrierave të lëvizjes së lirë, çështjet tregtare. Mirëpo marrëveshja finale kërkon më shumë kohë dhe përkushtim dhe pranim të realitetit nga ana e Serbisë që nuk ekziston për momentin.