KDI: Qeveria e re e Kosovës të krijojë konsensus të brendshëm për bisedimet me Serbinë

Premte, 06 December 2019 18:33

Instituti Demokratik i Kosovës, bëri thirrje të premten, që të arrihet një konsensus i brendshëm politik për bisedimet me Serbinë, si një nga proceset më të rëndësishme me të cilat do të përballet vendi.

Këto thirrje u bënë gjatë prezantimit të një analize me titull, “Konsensusi i brendshëm si parakusht për vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi”.

Violeta Haxholli nga ky institut tha se vazhdimi i mundshëm i dialogut Kosovë-Serbi nuk duhet të gjejë Kosovën pa pajtim të brendshëm politik dhe sipas saj, kjo çështje nuk duhet të jetë shkas përçarjesh në mes të partive politike.

“Barra e përgjegjësisë për të bërë përpjekje për të arritur konsensusin politik bie mbi qeverinë e re, konkretisht mbi kryeministrin e ri të vendit, meqenëse Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj për delegacionin shtetëror ka sqaruar edhe njëherë dispozitat kushtetuese të cilat përcaktojnë se udhëheqës kryesor i dialogut është qeveria e vendit përkatësisht kryeministri i vendit, prandaj edhe ai duhet të jetë bartës i iniciativave për konsensus”, tha zonja Haxholli.

Ndërsa, Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se partitë politike që pritet të dalin në opozitë duhet të jenë të përfshira në procesin e dialogut.

“Ne i kërkojmë qeverisë së re, të intensifikoj përpjekjet për një konsensus, këto konsultime duhet të jenë në bazën e mirëbesimit. Një kërkesë tjetër është që subjektet opozitare duhet të tregojnë konstruktivitet”, tha zonja Krasniqi.

 

Bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë mbeten të pezulluara që nga nëntori i vitit të kaluar pas vendimit të qeverisë së Kosovës për të vendosur tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia.

Serbia kushtëzon vazhdimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, pezullimi i të cilave i është kërkuar Prishtinës edhe nga aleatët euro-perëndimor të saj.

Por, një anketë e këtij instituti vë në pah se tarifa mbështetet nga një shumicë e qytetarëve të Kosovës.

“59 për qind e qytetarëve preferojnë që taksa 100 për qind të mbetet në fuqi për t’i hapur rrugë dialogut me Serbinë”, thuhet në anketën me titull “Këndvështrimi i qytetarëve për temat potenciale të marrëveshjes përfundimtare Kosovë – Serbi”.

Anketa nxjerrë në pah edhe temat të cilat sipas qytetarëve duhet të prekën në bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë. “Disa nga elementet më të rëndësishme që sipas tyre duhet të përfshijë marrëveshja Kosovë - Serbi janë të pagjeturit (71 për qind), dënimet për krime të luftës (60 për qind), dëmshpërblimet e luftës (59 për qind) dhe kërkim falja (56 për qind) ndërsa 38 për qind thonë se njohja e ndërsjellë duhet të jetë çështja kryesore”, thuhet mes tjerash në raport.

Çështja e tarifës ishte edhe pjesë e debateve gjatë fushatës së zgjedhjeve të 6 tetorit. Dy partitë që dolën të parat, lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës që po diskutojnë edhe mundësinë për formuar qeverinë e re, kanë shprehur synimin që të zëvendësojnë tarifat me masën e reciprocitetit të plotë me Serbinë.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...