Gjykata e Apelit në Mal të Zi, vërtetoi të mërkurën vendimin me të cilin shtetasi malazez, Vlado Zmajeviç, është dënuar me 14 vjet heqje lirie për krime lufte kundër civilëve në Kosovë.
Gjykata hodhi poshtë ankesat e avokatëve mbrojtës, duke mbështetur aktgjykimin e shqiptuar në qershor të këtij viti nga Gjykata e Lartë e Podgoricës.
Vlado Zmajeviç, ish-vullnetar në radhët e ushtrisë jugosllave është dënuar për vrasjen e katër civilëve shqiptarë në fshatin Zhegër afër Gjilanit në vitin 1999.
Sipas gjykatës, Vlado Zmajeviç, si pjesëtar i forcave paraushtarake, vrau tre vetë me një armë zjarri si dhe theri një grua me thikë.
Ai i kishte pranuar akuzat gjatë hetuesisë por më vonë i kishte mohuar ato.
Vlado Zmajeviç ishte arrestuar në gusht të vitit 2016, në Nikshiq të Malit të Zi, qytet në kufi me Bosnjën dhe Hercegovinën, nën dyshimet për “krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë më 1999”.
Përfaqësuesi ligjor i familjeve të viktimave, avokati Loro Ndrekiqi i tha Zërit të Amerikës se ky është rasti i parë “që gjyqësori në Mal të Zi jep një vendim përfundimtar për vrasjen dhe trajtimin çnjerëzor të shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë”.
Mirëpo, sipas Ndrekiqit, ky është ndëshkim i butë kundrejt veprimeve të kryera dhe dhunës së ushtruar ndaj viktimave.
“Ky është një ndëshkim i butë për veprat e kryera, pasi bëhet fjalë për viktima civile që janë përkujdesur për familjet e tyre”, tha Ndrekiqi.
Oda e Avokatëve të Malit të Zi dhe shoqatat civile, disa herë e kanë kritikuar gjyqësorin se nuk është i gatshëm dhe nuk dëshiron që të ballafaqohet me të kaluarën.
Në janar të vitit 2014, Gjykata e Lartë e Bjelo Poles në Mal të Zi, pas një procesi gjyqësor që kishte zgjatur disa vjet, liroi nga akuzat 8 pjesëtarë të ish Ushtrisë Jugosllave që akuzoheshin për vrasjen e 15 refugjatëve nga Kosova në fshatin Husaj afër Rozhajës në Mal të Zi në muajin prill të vitit 1999.
Mbi 10 mijë veta u vranë gjatë luftës në Kosovë e cila mori fund më ndërhyrjen e NATO-së për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe.