Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e sotëm në kufirin greko-shqiptar, në Agio Nikola në Igumenicë, ku ndodhi një përplasje me armë zjarri mes një grupi prej pesë grabitësish shqiptarë dhe policisë greke, ku për pasojë mbeti i plagosur një polic grek.
Gjate tentativës për t’i ndjekur, skuadra prej 5 personash hapi zjarr ndaj policisë dhe të njëjtën gjë bënë dhe policët grekë. 3 prej tyre arritën të kalonin në tokë shqiptare, në një zonë pyjore ndërkohe që u kapën dy prej tyre, njëri 16 dhe tjetri 46-vjeç. Gjatë kapjes, 46-vjeçari bëri rezistencë të fortë, duke plagosur lehtë një oficer policie.
Mësohet se në pranga ka rënë 46-vjeçari Sulo Ismaili, nga fshati Janjar i Sarandës. Ai rezulton me precedentë penalë në Sarandë dhe në Greqi, për grabitje. Po ashtu në pranga ka rënë dhe djali i tij, E. Ismaili, 16 vjeç.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se ky grup, ishte organizuar 4 muajt e fundit për grabitje kafshësh në zonën e Filatit, Igumenicë. Ata hynin ilegalisht në Greqi nga mali dhe pasi vidhnin kafshë, i transportonin ato të gjalla ose të vrara me mushka drejt Shqipërisë ku i shisnin.