Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi të martën shfuqizimin e vendimit të qeverisë së Kosovës për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve dhe automjeteve si masë për të penguar zgjerimin e koronavirusit.
Vendimi i Gjykatës hyn në fuqi më 13 prill.
Me 23 mars qeveria vendosi që të “ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private nga 24 mars 2020 gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00, përveç për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë”.
Qeveria tha se vendimi është në pajtim me kushtetutën e ligjet e vendit dhe në funksion të pengimit të zgjerimit të koronavirusit.
Një ditë më pas Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i kërkoi Gjykatës Kushtetuese interpretimin e përputhshmërisë së vendimit të qeverisë së Kosovës.
Të martën Gjykata tha se vendimi i qeverisë “nuk është në përputhshmëri me nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës në lidhje me nenet 35 [Liria e Lëvizjes], 36 [E drejta e Privatësisë] dhe 43 [Liria e Tubimit] dhe nenet 8 (E drejta e jetës private dhe familjare), 11 (Liria e tubimit dhe asociimit) të KEDNJ-së dhe nenin 2 (Liria e lëvizjes) të Protokollit nr. 4 të KEDNJ”.
Gjykata konstaton në vendimin e saj se “neni 56 [Të Drejtat dhe Liritë Themelore gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme] i Kushtetutës nuk është i aplikueshëm në rrethanat e rastit konkret sepse nuk kemi të bëjë me “shmangie” nga të drejtat dhe liritë themelore”.
Sipas Gjykatës “bazuar në nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës, kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore mund të bëhet “vetëm me ligj” të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.
Së këndejmi thuhet në vendimin e saj, Gjykata vendosi “të shpallë të pavlefshëm, në pajtim me nenin 116.3 të Kushtetutës” vendimin e qeverisë, nga dita e hyrjes në fuqi të këtij aktgjykimi.
Gjykata përcaktoi datën 13 prill 2020, si datë të hyrjes në fuqi të aktgjykimit të saj, “respektivisht shfuqizimit të vendimit të kontestuar të qeverisë”.
Vendimin e plotë të Gjykatës mund ta lexoni këtu: