Kryeministri i ri i Kosovës, Avdullah Hoti, mori edhe zyrtarisht detyrën. Por ndryshe nga e kaluara kryeministri Hoti parakaloi i vetëm para Gardës së Kosovës, pasi që ish kryeministri Albin Kurti, i cili e cilëson ta paligjshme qeverinë e re, refuzoi të marrë pjesë në ceremoninë e pranim dorëzimit të detyrës.
Pak pas ceremonisë, në mbledhjen solemne të kabinetit të tij, kryeministri Hoti tha se qeveria ka për detyrë që t’i jap frymë demokracisë së brendshme duke respektuar rendin e ligjin dhe duke respektuar Kushtetutën e vendit.
“Do t’i kthehemi punës dhe jo retorikës së përditshme që të mos i mundojmë qytetarët me retorikë, por duke u ofruar punë të përditshme për të përmirësuar jetën e tyre dhe duke qenë të hapur vazhdimisht që të marrim vërejtjet, kritikat, sugjerimet dhe të ndërtojmë kohezionin shoqëror që i ka munguar Kosovës tash e një kohë për të punuar së bashku në interes të shtetit të Kosovës, normalisht duke duruar edhe konkurrencën e brendshme politike, që është normale në një shtet demokratik”, tha ai.
Ai tha se sfidë për Kosovën mbetet lufta kundër pandemisë dhe rimëkëmbja ekonomike ndërsa përparësi do të jetë fuqizimi i marrëdhënieve me miqtë ndërkombëtarë.
Parlamenti i Kosovës miratoi nismën për themelimin e një komisioni parlamentar për të hetuar, siç thuhet, dyshimet për keqpërdorime gjatë menaxhimit të situatës me pandeminë e COVID-19 nga tashmë ish qeveria e Kosovës.
Nisma u hodh nga Partia Demokratike në opozitë, deputetet e së cilës hodhën dyshimet për keqpërdorime të parasë publike. Nisma u miratua me 74 vota, përfshirë edhe votat e lëvizjes Vetëvendosje e cila drejtoi qeverinë e deridjeshme.
Deri tani në Kosovë 1 mijë e 142 persona janë prekur nga koronavirusi. Prej tyre 30 veta kanë humbur jetën, ndërsa 871 janë shpallur të shëruar.
“Prioritetet tona, përveç luftës kundër kësaj pandemie dhe rimëkëmbjes ekonomike, forcimi i shtetit ligjor, fuqizimi i miqësive tona me partnerët tanë ndërkombëtar, marrja përsipër në baza kushtetuese të procesit të dialogut, adresimi i nevojave në arsim dhe shëndetësi”, tha ai.
Të mërkurën parlamenti i Kosovës me votën e 61 deputetëve në parlamentin 120 vendesh, miratoi formimin e qeverisë së re që do të drejtohet nga kryeministri Hoti. Miratimi i saj u bë në muajin e katërt të qeverisë së kryeministrit Kurti, i cili gjysmën e kohës qeverisi në detyrë, pasi që më 25 mars qeveria e tij u rrëzua me një mocion mosbesimi të ngritur nga Lidhja Demokratike që drejton qeverinë e re.
Lëvizja Vetëvendosje kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje të reja dhe e quan të papranueshme formimin e një qeverie të re pa fituesin e zgjedhje të 6 tetorit të vitit të kaluar. Kjo lëvizje tashmë është duke mbledhur nënshkrimet për një peticion me të cilin kërkon zgjedhje të reja.
Kabinetin e zotit Hoti e presin sfida të vështira, përfshirë edhe trysninë ndërkombëtare për rifillimin e bisedimeve të pezulluara me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.
Kryeministri Hoti tha të mërkurën se qeveria e tij është e gatshme të vazhdojë bisedimet me Serbinë ndërsa paralajmëroi se në bashkërendim me partnerët strategjikë të Kosovës do të heq çdo pengesë për rifillimin e tyre.
Inspektorati Policor dhe Prokuroria e Kosovës thanë të enjten se janë duke trajtuar një incident në lidhje me veprimet e oficerëve të mbrojtjes së afërt të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Të mërkurën pas votimit të qeverisë së re, derisa presidenti Thaçi, po mbante një konferencë me gazetarë, një veprimtar i lëvizjes Vetëvendosjes brohoriti kundër tij afër rrethojave të ndërtesës ku është e vendosur presidenca.
Lëvizja Vetëvendosje tha se “truprojat e presidentit përçarës kanë goditur dhe e kanë rrahur deri në gjakosje aktivistin Veron Hasani vetëm pse ky i fundit ka guxuar të ngrejë zërin gjatë kohës kur Hashim Thaçi po mbante konferencë për media në shesh. Aktivisti Veron Hasani ka thirrur 'o hajn!', duke besuar se në Kosovë ende funksionon demokracia dhe liria e fjalës. Por kështu nuk mendon Thaçi dhe truprojat e tij", thuhet në një komunikatë të kësaj lëvizjeje.
Presidenti Thaçi në një intervistë për televizionin T7 mbrojti veprimet e personelit të mbrojtjes së tij duke theksuar se “ata e kanë kryer punën në mënyrë profesionale”.
Prokuroria dhe Inspektorati Policor i Kosovës u bënë thirrje të gjithë qytetarëve që mund të kenë informacione shtesë lidhur me këtë rast t’u drejtohen autoriteteve përkatëse.
Që nga nëntori i vitit 2018 bisedimet u pezulluan për shkak të tarifave ndaj mallrave serbe, të cilët qeveria në detyrë e zotit Kurti i zëvendësoi me masat e reciprocitetit. Diplomatët amerikanë dhe ata evropianë presin që zoti Hoti t’i heqë ato masa për t’i hapur rrugën rifillimit të bisedimeve.