Partitë kryesore shqiptare në Mal të Zi kanë nënshkruar sot marrëveshjen për të garuar së bashku në një listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit.
Nazif Cungu shkruan se me këtë bashkim mes Forcës së Re Demokratike, Alternativës Shqiptare, Lidhjes Demokratike Shqiptare, Unionit të Tuzit si dhe Lëvizjes Qytetare Perspektiva synohet maksimalizim i votës si dhe përfaqësim i denjë në parlamentin malazez të popullit shqiptar.
Duket se shqiptarët në Mal të Zi ndoqën shembullin e Luginës së Preshevës ku shqiptarët morën 3 mandate deputetësh, kurse në Maqedoninë e Veriut pavarësisht se nuk pati koalicione mes partive shqiptare apo listë të përbashkët, sërish shqiptarët fituan 32 mandate + 2 shqiptarë të LSDM.
Reagimi i Nazif Cungut
Sapo nënshkruam marrëveshjen e koalicionit gjithpërfshirës për zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit, mes Forcës së Re Demokratike, Alternativës Shqiptare, Lidhjes Demokratike Shqiptare, Unionit të Tuzit si dhe Lëvizjes Qytetare Perspektiva.
Ky bashkim i partive kryesore shqiptare të Malit të Zi, bëhet në interes të popullit tonë duke synuar maksimalizimin e votës shqiptare.
Shpreh mirënjohjen ndaj diasporës dhe aktorëve të tjerë politikë, që kanë këmbëngulur për të krijuar një listë të përbashkët elektorale që do të mundësoj një përfaqësim më të denjë e të plotë të popullit shqiptar në parlamentin e Malit të Zi.