Prokuroria Themelore Publike ka ngritur aktakuzë kundër 12 personave deri në Gjykatën Shkupi 1, të dyshuar si fajtorë për vdekjen e 9 vjeçares, Tamara Dimovska, që ndërroi jetë teksa priste vendimin e Fondit Shëndetësor për shërim jashtë vendit.
Nga Prokuroria thonë se hetimet tashmë kanë vërtetuar dyshimin, se 5 anëtarë të Komisionit të shkallës së parë, komision ky që vendos për të drejtën e shërimit të pacientëve jashtë vendit, kanë dhënë mendim negativ për dërgimin për shërim të Tamarës.
Vendimin Komisioni e ka marrë pas skadimit të afatit të paraparë ligjor, bazuar në deklaratën e ish-ministrit të shëndetësisë, Nikolla Todorov, se pacientët me sëmundje të shpinës në të ardhmen nuk do të dërgohen për kurim jashtë vendit, por operacionet do të kryhen në Qendrën spinale në Klinikën e ortopedisë në Shkup.Në mesin e të akuzuarëve, në cilësinë e Drejtorit të Fondit Shëndetësor është edhe ish ministri i transportit dhe lidhjeve Xhemali Mehazi, si dhe drejtori i Drejtorisë për shëndet publik, Shaban memeti, poashtu kuadër i BDI-së, transmeton Gazeta Lajm.
Dy nga të akuzuarit, në cilësinë e drejtorit të Fondit Shëndetësor, kanë dhënë vendim që kërkesa për shërim jashtë vendit të refuzohet.Ky vendim ishte në kundërshtim edhe me mendimin e konzoliumit të Klinikës për reumatologji, ortopedi, anestezi, reanimim dhe shërim intensiv.