Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi se themelimi i Ushtrisë së Kosovës do të ndodh në kohën e duhur. Po ashtu ai pohoi se asgjë nuk e pengon qeverinë që zëvendëskomandanti i Ushtrisë të jetë serb.
“Në vitin 2014 kemi pasur mundësi të themelojmë ushtrinë, nuk na ka pengu komuniteti serb por ka qenë pjesë e gabimeve të spektrit politik. Ka qenë gabimi ynë, sikur në atë kohë të themelohej, sot Kosova së paku do të ishte pjesë e partneritetit të paqes e gatshme për NATO”, tha Thaçi në “Debat Plus”, në RTV Dukagjini.
Teksa foli rreth Listës Serbe, presidenti tha se se rreziku në Kosovë nuk ekziston nga serbët, dhe se shteti i Kosovës nuk cenohet nga serbët e Kosovës e as politikat e tyre. “Kam qeverisur dy mandate me ta dhe kanë qenë korrekt. Nuk duhet ti shkojmë me sy të keq e as armiqësor, ata janë qytetarë të Kosovës dhe pjesëmarrja e tyre në institucione është legjitime. Çështja e ushtrisë do të vazhdojë së trajtuari me seriozitet edhe nga SHBA dhe NATO dhe në një moment të duhur do të ndodh. Çështja e Ushtrisë nuk diskutohet e nuk do të diskutohet me Serbinë. Nëse zëvendëskryeministri i Kosovës është serb edhe zëvendëskomandanti i policisë është serb, fare nuk do të më pengonte nëse zëvendëskomandanti i ushtrisë do të ishte serb po ashtu”, theksoi Thaçi.