Me siguri edhe ty të ka ndodhur të jesh lënduar nga dikush. Ato momente kanë qenë të vështira. Ke menduar se sa kohë ke humbur, se sa shumë ke humbur nga vetja dhe se sa gabim ke bërë që nuk i ke kuptuar qëllimet e personit tjetër. Dhe e keqja më e madhe, ke humbur veten. Nuk ke dashur më të besosh tek vetja, sepse përderisa nuk ishe mjaftueshëm me vlerë për dikë, ashtu mendon se ke për të qenë për të gjithë njerëzit.
Në ato momente jo vetëm që nuk të shkon mendja tek lumturia, por nuk të shkon as tek kujdesi që duhet të tregosh për veten. Nis të lësh veten pas dore. Nuk kujdesesh më si më parë, derisa një ditë koha bën të vetën dhe mësohesh me dhimbjen. Koha në të vërtetë nuk të ka shëruar. Thjesht të ka bërë të mësohesh me dhimbjen dhe ta pranosh atë si pjesë të jetës, me të cilën përballet çdokush.
Pikërisht pas një faze të tillë nis të kuptosh realisht, nëse e ke dashur apo jo personin që të ka lënduar. Nëse e ke dashur atë, do t’ia urosh me gjithë zemër lumturinë, sepse ti e di se çfarë do të thotë të vuash. Ti e ke provuar vuajtjen nën lëkurën tënde dhe nuk do që ai person të vuajë, ashtu siç ke vuajtur ti. Nuk do që ai person të qajë dhe të mërzitet për ditë, javë e muaj të tërë në vërshtirësi për të marrë veten.
Edhe pse mund të të ketë lënduar shumë, ti do ta shohësh atë sa më mirë të jetë e mundur, sepse zemra jote nuk do të ndihej asnjëherë e plotë, nëse do ta shihje atë me mërzitje në fytyrë, edhe pse dikur ishte burimi i dhimbjes tënde.
Me kalimin e kohës, ti mëson se dashuria nuk njeh hakmarrje. Do ta kishe shumë më të lehtë ta urreje dhe të bëje gjithçka për t’ia vështirësuar jetën atij personi, por jo. Kur e do vërtet dikë, edhe pse të ka lënduar shumë, e do ta shohësh të lumtur në çdo ditë të jetës, sepse dashuria nuk ka lidhje me urrejtjen apo hakmarrjen. Dashuria nuk është mizore dhe për hatër të gjithë ndjenjave që ke pasur dhe ndoshta i ke akoma sa herë e sheh atë, ti i uron me gjithë zemër lumturi.
E kupton se vërtet e do dikë, kur e sheh me dikë tjetër dhe i uron gjithë të mirat me të.