Skema e TVSH/ Si po groposet bujqësia dhe industria e qumështit

Diel, 24 Mars 2019 09:19

Ndryshimi i skemës së TVSH-së për fermerin po vë në ngërç të gjithë industrinë agropërpunese në vend. Ndonëse jemi ndër vendet më bujqësore të rajonit, bujqit vuajnë mungesën e politikave reale dhe të qëndrueshme. Fermerët kanë qenë të pakënaqur prej këtij vendimi. Disa prej tyre kanë flakur produktet në rrugë, në formë proteste. Agropërpunuesit thonë se ky vendim e bën fermerin shqiptar jo konkurrues, ndërsa kërcënojnë se do të fillojnë të marrin lëndën e parë në vendet e tjera të rajonit.

Sajmir Begaj nuk është optimist për ecurinë që do të ketë viti 2019 për kompaninë Erzeni. Ndonëse industria e grumbullimit dhe përpunimit të qumështit në vend ka njohur zgjerim në vitet e fundit, ndryshimi në skemën e kompensimit të TVSH-së për fermerët duket se ka ndryshuar të gjithë rregullat e lojës për sektorin e bujqësisë në vend.

Me Paketën e re Fiskale, rimbursimi i TVSh-së për fermerët e vegjël në shitje u bë 6% nga 20%, që u vendos në vitin 2014. Çmimi me TVSh 20% për çdo 100 lekë shitje të fermerit të vogël ishte 120 lekë, ndërsa që prej 2019-s, çmimi me TVSH për çdo 100 lekë shitje ishte 106 lekë, rreth 14 lekë më pak. Në mënyrë demonstrative, fermerët të pakënaqur derdhën qumështin në rrugë javën e kaluar. Në këtë pikë, ulja e çmimeve të fermerit nga ana e grumbulluesve është thuajse e pamundur, por edhe nëse arrihet, do të sjellë dekurajimin në masë të individëve për t’u marrë me bujqësi.

Saimir Begaj, i kompanisë së grumbullimit dhe përpunimit të qumështit, Erzeni, përllogarit se vetëm për dy muajt e parë të vitit ka paguar përkatësisht 2.7 dhe 2.4 milionë lekë më shumë. Ndërsa pret që për muajt e pikut, nga marsi deri në qershor, të paguajë mesatarisht 3.5 milionë lekë më shumë në muaj. Në fund të këtij viti, parashikon që kompania të dalë me humbje. Planet e kompanisë për investim në Vlorë dhe Berat, me një vlerë që i kalon 1 milion euro, janë pezulluar.

Luis Ndreka, përfaqësues i kompanisë së grumbullimit dhe përpunimit të qumështit Lufra, deklaron se janë në mbështetje të fermerit. “Me ndryshimin e skemës së TVSH-së, ne jemi përpara dy zgjedhjeve, ose të ulim çmimin në blerje të fermerit, ose të mbyllim fabrikat tona. Në rast se çmimi nuk ulet, industria agropërpunuese në vend rrezikon të shkojë drejt falimentimit”,- shprehet Ndreka, i cili përllogarit se kompania e tij vetëm për muajin janar ka paguar 3.2 milionë lekë TVSh më shumë.

Deri më tani, kompanitë e kanë mbajtur barrën vetë. Aktualisht, çmimi për një litër qumësht, që kompanitë i marrin fermerit është 45 lekë me TVSh. Që kompanitë të mos dalin me humbje, Ndreka përllogarit se duhet ta ulin çmimin e qumështit 7-8 lekë për litër.
Alternativa për të rritur çmimet ndaj konsumatorit final është e pamundur, pasi sipërmarrjet agropërpunuese shqiptare konkurrohen nga kompanitë e importit, të cilat ndihmohen me subvencione në vendet e tyre të origjinës. “Po të rriten me 14% çmimet për konsumatorin final, është e sigurt që kompanitë shqiptare shuhen”,- shton Ndreka i Lufrës.

Por, edhe në rast se ulin çmimin fermerit, në shumë pak muaj numri i krerëve që ka Shqipëria do të ulet, pasi skema e TVSH-së do të dekurajojë fermerin. Në vitin 2017, të dhënat e INSTAT tregojnë se sasia e qumështit të grumbulluar ishte 131 mln kg, me rritje 5% me bazë vjetore dhe 15% në raport me 2014-n.

  • foto galeri

Ulja e TVSH-së së rimbursueshme

Sipas procedurës së mëparshme, çdo prodhues bujqësor, i cili aplikonte në regjimin e kompensimit të fermerëve me shkallë standarde 20% përfitonte kompensim, sipas një shpjegimi të Qendrës së Eksporteve Shqiptare dhe Albanian Food Industry (AFI), të cilat që në fillim e kundërshtuan fort uljen e TVSH-së nga 20 në 6%. Blerësi, person i tatueshëm, lëshonte një faturë tatimore për shitësin prodhues bujqësor për çdo furnizim mallrash dhe shërbimesh të marrë prej tij. Vlera e faturës përfaqësonte vlerën e furnizimit të paguar nga blerësi për llogari të shitësit, përfshirë normën e kompensimit.

Kompensimi, që personi i tatueshëm blerës i ka paguar shitësit prodhues bujqësor, është TVSH-ja e zbritshme për personin e tatueshëm dhe deklarohej në periudhën tatimore kur është lëshuar fatura. Me skemën e vjetër, vlera e kompensimit ishte 20%, tani do të jetë 6%, për rrjedhojë pagesa e TVSH-së nga blerësit do të jetë së paku trefish më e lartë. Qeveria e mori këtë masë nxitur nga kompensimet abuzive që po merrnin tregtarët në zonat prodhuese, Lushnjë dhe Fier.

  • foto galeri

Si ka ndryshuar skema e kompensimit të fermerëve

Deri në muajin gusht të vitit 2014, skema ka qenë kjo që është sot, ku për çdo shitje të fermerit, aplikohej TVSH 6%, megjithatë pjesa më e madhe e aktorëve të tregut shprehen se deri në atë periudhë, informaliteti në sektorin e bujqësisë ka qenë shumë i lartë dhe nuk janë evidentuar problemet aktuale. Ndonëse ata bien dakord se në kushtet kur çmimet e produkteve bujqësore nuk janë të monitoruara apo të kuotuara në një bursë, administrata shtetërore e ka të pamundur të verifikojë nëse tregtari i ka dhënë fermerit 20% apo 6% mbi çmimin e tregut.

TVSH-ja zbatohet si një tatim në përqindje mbi çmimin e mallrave dhe shërbimeve dhe bëhet e kërkueshme për t’u paguar pas zbritjes së TVSH-së që rëndon drejtpërdrejt elementet e kostos së mallrave dhe të shërbimeve. Në 2019-n, hyri në fuqi përsëri skema e vjetër me 6% kompensim për fermerët. Për shkak se tashmë, qarkullimi i produkteve bujqësore në rrjetin tregtar dhe agropërpunues u formalizua në një masë të konsiderueshme, aplikimi i kësaj skeme nxori defektet e ligjit për TVSH-në dhe agropërpunuesit u vunë përballë dy zgjedhjeve:

-Të rrisin 14% çmimin e shitjes

-Të ulin 14% çmimin e blerjes.

Eduart Sharka, jurist dhe financier në sektorin e bujqësisë llogarit se për një artikull që blihet me 100 lekë dhe shitet me 110 lekë, në rast se me skemën e TVSH-së 20%, fitimi i mbetur i agropërpunuesit ishte 8.3 lekë, me skemën e re me kompensim 6%, kalon në humbje 2.7 lekë. Agropërpunuesi ka dy zgjidhje, ose të rrisë çmimin final te konsumatori me 12% që të ruajë të njëjtin fitim, gjë që është e pamundur për shkak të konkurrencës, ose të ulë çmimin e blerjes të fermerët dhe kjo solli reagimin e fermerëve (shiko skemën e llogaritjes së TVSH-së sipas tre alternativave (shiko tabelen)

  • foto galeri

Skema uli informalitetin

Industria e qumështit në vend ka qenë pothuajse informale para se të bëhej ky ligj. Rritja e kompensimit të TVSH-së ka ndikuar dukshëm në formalizimin e tregut. “Para 5 vitesh, çmimi mesatar për litër ishte 35 lekë. Duke arritur të shesin më shumë, konkurrenca bëri që të rritet çmimi i fermerit”, – shpjegon Ndreka i Lufrës.

I të njëjtit mendim është edhe Sajmir Begaj nga kompania Erzeni. Vendosja e TVSH-së së rimbursueshme për fermerin 20% në vitin 2014 zgjoi interesin e fermerëve për t’u marrë me bujqësi dhe nxiti të gjitha kompanitë agropërpunuese për t’u formalizuar. Të dhënat zyrtare të raportuara nga kompanitë në bilancet vjetore tregojnë se të ardhurat e kompanive janë rritur me ritme dyshifrore pas 2014-s, teksa për tre vite qarkullimi vjetor është dyfishuar dhe trefishuar për operatorët kryesorë në treg (shiko tabelën e të ardhurave).

Operatori më i madh në treg është Lufra, me 1 miliardë lekë të ardhura, i ndjekur nga Erzeni me 870 milionë lekë. Ndonëse të ardhurat janë rritur, norma e fitimit e deklaruar mbetet minimale, duke u luhatur mes 2 dhe 5%, çka bën pothuajse të pamundur që kjo industria ta përballojë koston e rritjes së TVSH-së së pagueshme pa shtrenjtuar çmimet te konsumatori ose pa i ulur ato tek qumështi që blen nga fermerët.

Industria vendase bëhet më pak konkurruese, hyn importi

Kompania Zdravo operon që prej vitit 1998 në tregun shqiptar. Arben Zdravo, ortak në këtë kompani, i kontaktuar nga “Monitor”, tha se ata blejnë perime nga fermerët në vend dhe më pas i përpunojnë duke bërë vazo me turshi. Sipas Arbenit, me ndryshimin e skemës së TVSh-së për fermerin, produktet e agropërpunuara në vend bëhen automatikisht më të shtrenjta. Nga informacioni që mbledh në mënyrë periodike nga terreni, zoti Zdrava shprehet se mallrat e importit kanë filluar që të hyjnë në vend. Në rast se rrisin çmimin për konsumatorin final, ata janë të sigurt se do të humbasin tregjet vendase nga importi, të cilët kanë qenë të favorizuar dhe prej zhvlerësimit të valutave në vend.

Alban Zusi, kreu i Albania Food Industry, është shprehur për “Monitor” se nga Paketa Fiskale kanë marrë goditjen më të madhe që është ulja e TVSH-së për fermerin në 6% nga 20%, që u vendos në 2014. “Për sektorin tonë, kjo do të jetë goditja e dytë pas euros. Me këtë vendim, rriten kostot për lëndët e para të produkteve vendas me 14%, duke i bërë ato jo konkurruese, shton Zusi.

Edhe sektori i bimëve mjekësore do të vuajë vendimin

Viti 2018 u mbyll me sukses në sektorin e grumbullimit dhe përpunimit të bimëve mjekësore dhe erëzave. Vlera e eksporteve për këtë vit e kalon 45 milionë dollarë, pra ka pasur rritje si industri. “Vitin 2019, ne e presim me optimizëm, por me uljen e rimbursimit të TVSH-së për fermerin, kemi frikë se do të ketë një ulje të prodhimit të bimëve mjekësore dhe erëzave”, pohon Filip Gjoka, kryetar i Shoqatës së Bimëve Medicinale.

“Për ne është shqetësuese mënyra e përshpejtuar që kaloi ky ligj dhe për më tepër, pa u konsultuar. Ligji ka ulur kompensimin për fermerët nga 20% në 6%, duke u justifikuar me faktin se kanë ulur TVSH-në për inputet bujqësore. Ky ligj nuk është konsultuar me shoqatat e biznesit në tërësi. Futja e kompensimit për fermerët në vitin 2014 rriti prodhimin dhe bëri që ne të kishim sasi të mjaftueshme për t’ju drejtuar tregjeve dhe kompanive gjigante”.

Industria trembet se mund t’i humbë këto tregje, duke qenë se interesi nga ana fermerëve për të kultivuar do të jetë më i vogël.

 

Frika e tyre më e madhe është rënia e prodhimit nga fermerët. Deri para 2014-s, një pjesë e fermerëve punonin të paregjistruar.
“Reduktimi në masën 14% i kompensimit të TVSH-së është i pastudiuar dhe unë mendoj se nuk është në momentin e duhur”.

Gjoka shton se vendi ynë ka mbështetjen dhe subvencionimin më të vogël krahasuar edhe me vendet e rajonit si Maqedonia apo Kosova. “Nëse do të ishte marrë mendimi ynë si organizatë, mbase do të ishte më mirë që nga 20% të ulej në 15%, por jo në mënyrë të menjëhershme. Fermerët dhe individët që kanë investuar në bujqësi përballen me një ndryshim të beftë të ligjit. Ndryshimi duhej të ishte gradual për fermerët. Ashtu siç dha ndryshimi i ligjit në 2014-n një rritje të madhe në prodhim, ulja e menjëhershme do t’i japë një goditje në kahun e kundërt. Ne si industri nuk përdorim inpute bujqësore, pasi industria jonë merret me bimë organike dhe kjo është çfarë kërkojnë konsumatorët në mbarë botën”, pohoi Gjoka.

Tërheqje për qumështin?!

Shoqatat e biznesit kanë qenë në bisedime intensive me Ministrinë e Financave dhe të Bujqësisë javët e fundit, duke kërkuar anulimin e këtij vendimi. Ministria e Financave zyrtarisht thotë se nuk ka asnjë zhvillim konkret, por mësohet se në Ministrinë e Bujqësisë do të ngrihet një grup pune për të analizuar efektet dhe rrugëdaljet, ndërsa një tërheqje e parë mund të vijë për industrinë e qumështit, që është dhe më e goditura.

Burime nga MBZHR e asaj kohe thane për Monitor se propozimi i tyre ka qenë vetëm për reduktimin ose heqjen e TVSH-së se inputeve bujqësore, ndërsa reduktimi i TVSh-së për fermerin nga 20 në 6% nuk ka qenë nismë e tyre, por e Ministrisë së Financave.

Ana tjetër e medaljes, kush abuzoi me skemën

Tomorr Ismaili është një fermer në zonën e Beratit. Ai u kthye rreth 15 vjet më parë nga emigracioni dhe ka ndërtuar një fermë prej 3 hektarësh, ku përveçse merret me bujqësi ka ngritur dhe një fermë me rreth 35 krerë lopë dhe 20 krerë viça. Fermeri është i kënaqur me vendimin për të ulur TVSh-në në 6%. Sipas tij, fermeri i vogël nuk ka përfituar asgjë nga skema e rimbursimit të TVSH-së dhe paratë kanë shkuar në xhepat e grumbulluesve. Ai shprehet se fermerët e vegjël në Shqipëri nuk kanë qenë në gjendje që të negociojnë çmimet.

Si arsye kryesore për ndryshimin e skemës së TVSh-së për fermerin është artikuluar abuzimi nga disa grumbullues-eksportues me fatura fiktive. Duke qenë se pjesa më e madhe e fermerëve janë të pajisur me NIPT vetëm për efekt regjistrimi, grumbulluesit deklarojnë blerjen e mallit me anë të autofaturave. Ata blinin mallin nga fermerët me TVSH 20% dhe në eksport e kishin pa TVSH. Shpesh deklaronin të njëjtin çmim shitje me atë të blerjes dhe 20% i TVSH-së rimbursueshme “shkonte në xhepat e tyre”.
Luis Ndreka i kompanisë Lufra thotë se, pavarësisht se ky ndryshim ka pasur si synim reduktimin e abuzimit, nuk ka qenë i mirëmenduar për efektin që do të kishte në sektor.

Qendra e Eksporteve Shqiptare dhe Albanian Food Industry (AFI) i ka dërguar që në fillim të këtij viti një shkresë zyrtare ministrit të Financave, për dijeni Kryeministrit, Edi Rama, dhe ministrit të Bujqësisë mbi ndryshimet ligjore në lidhje me çështjen e TVSH së produkteve bujqësore, ku i paralajmëron se kjo situatë do të fusë në kolaps gjithë sektorin e bujqësisë dhe të ushqimit, do të imponojë dhunshëm evazionin e detyruar nga operatorët në të gjitha nivelet dhe do të rrisë importet e produkteve ushqimore, duke sjellë më pas uljen e prodhimit vendas.

Thelbi i këtyre ndryshimeve, sipas shkresës, konsiston në faktin se produktet bujqësore do të blihen përmes autofaturimit (që përbën mbi 90% të shitjeve nga fermerët) me TVSH të njohur 6% dhe do të tregtohet tek konsumatori fundor me TVSH 20%.

Ky ndryshim, thuhet në shkresë, në fakt sjell situatën që ishte para vitit 2014! Kur u ndryshua në 2014, ky nivel i diferencuar mes TVSH në blerje dhe në shitje të produkteve bujqësore, u konstatua bindshëm që ishte një absurd dhe që kishte sjellë:
– përjashtimin e produkteve vendase nga zinxhiri i tregtimit formal (në supermarkete dhe industri) të produkteve bujqësore dhe
– përbënte shtysën kryesore për të vijuar domosdoshmërisht informalitetin

Pas ndryshimit në vitin 2014, thuhet në shkresë, vihet re se jo vetëm u rritën bindshëm eksportet (mbi dyfish krahasimisht me 2014 dhe mbi trefish krahasimisht me 2013), por u ulën ndjeshëm importet e produkteve bujqësore. Mirëpo zbatimi i skemës së re u shoqërua me një interpretim thellësisht të gabuar nga Ministria e Financave, duke mos u thelluar në argumentet e sjella nga Ministria e Bujqësisë që i paraprinë këtij ndryshimi të madh, sqarohet në letër.

Kështu, skema e re shtriu efektet edhe për rastin e eksporteve të produkteve bujqësore, duke njohur TVSH e autofaturuar si të rimbursueshme, ndonëse në këto raste as nuk mblidhet, as nuk paguhet TVSH, pasi në eksport TVSH është zero.

– skema me 6% në blerje dhe 20% në shitje të të njëjtit produkt deformon rëndë parimin e pagesës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, pasi operatori ndërmjetës përveç 20% Tatim mbi Vlerën e Shtuar që ai i shton produktit duhet të paguajë edhe 14% të vlerës së krijuar nga një operator tjetër (fermeri informal) para tij.

– në kushtet e pamundësisë objektive të qeverisë për të detyruar që çdo fermer të shesë me një faturë me TVSH, barazimi i TVSH së autofaturuar me TVSH në shitje rivendos parimin fiskal ku çdo operator paguan Tatim vetëm mbi Vlerën e Shtuar prej tij dhe rrjedhimisht, solli rezultatet e paralajmëruara në relacionet e Ministrisë së Bujqësisë dhe demonstrohen qartazi nga grafiku i mësipërm

– ndërsa rimbursimi i TVSH së autofaturuar (dhe jo i asaj të paguar nga eksportuesit) për produktet e eksportuara për të cilat TVSH e pagueshme është ZERO, përbën deformim të plotë, pasi në fakt operatori paguhet për një tatim që nuk e ka paguar kurrë: as ai, as krijuesi i vlerës së mëparshme (fermeri)

Ndryshimi mes operatorëve që tregtojnë në tregun vendas dhe atyre që eksportojnë, konsistonte në faktin se; operatorët e tregut vendas u zhveshën nga detyrimi për të paguar taksën e të tjerëve, ndërsa eksportuesit kanë përfituar jo taksën e paguar prej tyre por efektivisht kanë marrë një subvencion pa u deklaruar si i tillë.

“Natyrshëm që me zbërthimin që bëmë më lart, nuk kemi kundërshtime që sektorë të caktuar të bujqësisë të subvencionohen aq më tepër për eksport, por kjo masë duhet bërë në mënyrë të drejtpërdrejtë si e tillë (subvencion) e jo duke deformuar parimet e TVSH – për pasojë të të cilave munguan para në buxhet e rrjedhimisht sërish pa u menduar gjatë kalohet në zgjidhje “kthim mbrapa” që do të deformojnë rëndë tregun, thuhet në shkresën e eksportuesve”, ka pohuar Qendra e Eksporteve./ Monitor

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...