Një 25-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane për grabitjen e pronarit të një lokali në Itali. Ngjarja ka ndodhur mesnatën midis së premtes dhe së shtunës në Modica.
Në momentin kur pronari i lokalit po hynte në shtëpi, pas tij u shfaqën dy persona të maskuar dhe të armatosur me pistoletë e me thikë. Pasi e kishin ndjekur deri tek banesa, ata i vendosën atij thikën në fyt dhe e shtynë me forcë brenda apartamentit. Nën kërcënimin e armës, i morën 800 Euro dhe më pas u larguan në rrugicat e lagjes. Personi që ra pre e grabitjes lajmëroi policinë, e cila nisi menjëherë hetimet për të kapur dy të dyshuarit.
Njëri prej tyre u identifikua si Theodhori Grabova 25 vjeç, person me precedent të mëparshëm penal në fushën e lëndëve narkotike. Ai u arrestua, ndërsa u zbulua gjithashtu se ndaj 25-vjeçarit ka dhe një mandat për dëbimin e tij nga Italia, por që nuk ishte ekzekutuar. Tashmë hetimet vijojnë për të arrestuar edhe grabitësin e dytë.