Vetëdorëzohen në polici dy nga të dyshuarit si autorë të krimit të rëndë ndodhur në Laç ku dy ditë më parë mbetën të vrarë dy persona.
Dy nga autorët e dyshuar, shtetasit M. B., 25 vjeç dhe V. B., 28 vjeç, të dy lindur e banues në Kurbin, pas negociatave me familjarët, janë vetë dorëzuar në Polici.
Ja njoftimi i plotë i Policisë:
Kurbin
Në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në lagjen nr. 1 Laç, Kurbin, ku pas një konflikti për motive të dobëta u plagosën me armë zjarri dy shtetas të cilët më pas gjetën vdekjen në një nga spitalet private në Tiranë ju informojmë se:
Si rezultat i punës hetimore të kryer nga grupi i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin u bë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje.
Policia në vijim dhe pa ndërprerë ushtroi kontrolle të shumta dhe përdori metodat speciale të hetimit për të bërë të mundur kapjen e autorëve.
Njëkohësisht Grupi i posaçëm hetimor negocioi me familjarët e autorëve të dyshuar që ata të dorëzoheshin organeve të drejtësisë.
Dy nga autorët e dyshuar, shtetasit M. B., 25 vjeç dhe V. B., 28 vjeç, të dy lindur e banues në Kurbin, pas negociatave me familjarët, janë vetë dorëzuar në Polici.
Grupi i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për dokumentin e plotë të kësaj ngjarje.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Pare Kurbin, për veprime te mëtejshme hetimore, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera të cilësuara, në bashkëpunim" dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, parashikuar nga nenet 79/dh, 25 dhe 278/1 të Kodit Penal.