Dritëhije për faturën elektronike: Pse po nxitohet 'nën zë'? Ç'kosto ka? A do të mbajë sistemi?

Saturday, 07 September 2019 08:49

Në një projekt ambicioz, qeveria shqiptare publikoi në fund të korrikut një draft “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ashtuquajtur ligji i fiskalizimit.

Projekti synon që, duke nisur nga data 1 Janar 2020, të gjitha transaksionet midis bizneseve dhe konsumatorit do të raportohen tek Administrata Tatimore në kohë reale, bazuar në sistemin e ri të pajisjeve fiskale, ndërsa nga 1 Janari 2021, të gjitha transaksionet ndërmjet biznesit me njëri – tjetrin dhe ndërmjet biznesit me organet publike do të bëhen në bazë të faturës elektronike.

Ka shumë elemente të paqarta në këtë projekt dhe sa më shumë që biznesi po njihet me draftin, aq më shumë po shtohen pikëpyetjet:

Së pari, afati nga hartimi e diskutimi është vetëm pak muaj, teksa në vendet e tjera të zhvilluara janë dashur dy vjet kohë përgatitore. Për më tepër që, për këtë projekt, po punohet “nën zë” prej më se një viti.

Pse nuk u bë e ditur që në korrik të vitit të kaluar, kur u hap tenderi prej 15 milionë eurosh i Sistemit të Menaxhimit dhe Kontrollit të Faturave, që u fitua nga kroatët e NEO, se për çfarë bëhej fjalë konkretisht. Pse nuk u shfrytëzua kjo kohë për diskutime, informime, përgatitje të biznesit, por vetëm pasi u ngrit sistemi, ky projekt u bë fakt i kryer dhe zbatimi pritet të fillojë si rrufe (në tetor parashikohet të bëhet testimi me një grup biznesesh)!

Kompania e ka kontratën e asistencës deri në vitin 2021, kohë kur parashikohet të fillojë zbatimi i plotë, duke lënë pak hapësirë për një shtyrje të projektit.

Së dyti, Ministria e Financave nuk ka të qartë se sa do të jetë kosto për bizneset. Nuk dihet ende se sa për qind (apo ndoshta gjithë kasat) do të dalin jashtë funksionit (kujtojmë që bizneset janë detyruar disa herë brenda dy dekadave të fundit t’i ndryshojnë këto pajisje me koston e tyre). Tashmë, ato duhet të paguajnë për aplikacionin dhe për printer fiskal, nëse kasa e tyre nuk përshtatet me sistemin e ri.

Financat njoftuan se mund ta japin falas aplikacionin për një pjesë të bizneseve të vogla nën 2 milionë lekë, por nuk mund të kontribuojnë kurrsesi kostot e tjera që do të shoqërojnë këtë proces, si interneti, mbajtja e kontabilitetit apo dhe kostot e shërbimeve bankare, teksa është vënë një limit ditor i mbajtjes së parasë cash. Dhe për mbi 94% të bizneseve në vend, që janë mikro me më pak se 4 punonjës, këto kosto nuk janë të papërfillshme.

Së treti, nuk është e qartë se sa i përgatitur është vendi më i varfër dhe i pazhvilluar i Europës, të përballojë këtë revolucion teknologjik. Sipas
ITU (International Telecommunication Union) 66% e individëve në Shqipëri përdorin internet, nga mbi 80% që është kjo shifër për pjesën më të madhe të vendeve të zhvilluara të Europës.

Shqetësimi tjetër është se sa i aftë do të jetë sistemi të përballojë këtë fluks të menjëhershëm pagesash. Bizneset e kanë shumë të freskët rastin e dorëzimit të bilanceve në Qendrën Kombëtare të Bizneseve ku vetëm një ndryshim formati, bëri që sistemi të dilte për disa ditë jashtë funksioni.

Kujtojmë edhe se mbetemi një vend që nuk kemi të siguruar ujë e drita 24 orë, jo më të bëhet fjalë për internet pa ndërprerje në të gjithë vendin. Bizneset janë madje të shqetësuara se rregulli për kufizimet e cash-it dhe një mori shtesë e informacioneve që kërkohen thjesht do të shtojnë më shumë barrën për të bërë biznes dhe nuk do të sjellin asnjë përfitim shtesë (shiko shkrimin në faqet e brendshme të revistës).

Së fundmi, që në fakt është dhe më e rëndësishmja, më shumë sesa sistemi, rëndësi ka zbatimi që i bëjnë njerëzit atij. Në luftën ndaj evazionit fiskal, në kushtet e sotme, do të kishte më shumë efekt mosfavorizimi i bizneseve të caktuara (që ndodh rëndom) sesa futja në një qerthull të komplikuar të 120 mijë bizneseve aktive në Shqipëri, pjesa më e madhe e të cilëve janë për mbijetesë (kujtojmë se Shqipëria ka numrin më të lartë të të vetëpunësuarve në Europë, me 34%).

Nuk kemi asnjë dyshim që Ministria e Financave është nisur për mirë me këtë projekt novator. Por, minimumi që duhet të bëjë është të marrë parasysh dhe të reflektojë në draft kërkesat e biznesit, të shtyjë afatet e zbatimit dhe ta bëjë atë me faza (biznesi rekomandon që fillimisht të zbatohet për subjektet që punojnë me qeverinë dhe për të tjerët në thelb të jetë vullnetarizimi). Përvoja ka treguar se, sa herë që qeveria ka vepruar me kokën e vet, ka dështuar. Rasti më i fundit është ulja e pragut të TVSH-së nga 5 në 2 milionë lekë, i kundërshtuar fort nga ekspertët dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Sot po rezulton që ky veprim rriti informalitetin (të kundërtën e asaj që shpresonte qeveria), me të ardhurat nga TVSH e brendshme që kanë rënë me 13% për 6-mujorin e parë të këtij viti. Kopjimi i një modeli, sado i suksesshëm mund të ketë qenë ai në shtetin e tij të origjinës, rrezikon të dështojë nëse bëhet me nxitim dhe nuk përshtatet me kushtet konkrete të vendit, duke pasur pasoja te biznesi, buxheti i shtetit dhe e gjithë ekonomia./MONITOR

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...