Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, paraqiti para deputetëve në seancën e sotme plenare projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, pjesë e Bankës Botërore. Përmes kësaj marrëveshje, Banka Botërore vë në dispozcion shumën prej 17,600,000 euro për Projektin e Lehtësimit të Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor, i cili do të zbatohet në disa faza, ku faza e parë mbulon Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, ndërsa faza e dytë përfshin Bosnje-Hercegovinën, Kosovën dhe Malin e Zi.
Ministrja Denaj sqaroi se projekti parashikon zhvillimin e sportelit të vetëm doganor “Single Window”, i cili do të mundësojë komunikimin elektronik mes autoriteteve doganore dhe të gjitha institucioneve kombëtare që lëshojnë leje, licenca, autorizime, të cilat janë të domosdoshme për kryerjen e procedurave doganore në import-eksportin e mallrave. Sipas Ministres, kjo do të synojë uljen e kohës së zhdoganimit, uljen e kostove për bizneset, lehtësi dhe trasparencë.
“Projekti i BB do të kontribuojë në thjeshtimin e procedurave administrative për autoritetet doganore dhe operatorët ekonomikë dhe do të lehtësojë dhe sigurojë tregtinë. Gjithashtu, pritet të ketë dhe efekte financiare pasi kompjuterizimi dhe thjeshtësimi i procedurave do të mundësojë që kompanitë e vendosura në Shqipëri të përballojnë më me efektivitet dhe me kosto më të ulëta lëvizjen e lirë të mallrave. Do të rrisë efektivitetin dhe për Administratën Doganore”, u shpreh Ministrja Denaj.