Qeveria e ka rritur me 45% financimin për ndërtimin e rrugës së Arbrit , duke e çuar koston totale në 58 miliardë lekë (460 mln euro) nga 40 miliardë lekë të parashikuara në kontratën ligjore.
Vitin e kaluar qeveria e kontraktoi ndërtimin e rrugës së Arbrit nëpërmjet formës koncencionare me Partneritet Publik Privat me kompaninë Gjoka Konstruksion. Sipas kontratës që u miratua në mbledhjen e datës 28 mars 2018 të Këshillit të Ministrave vlera e financimit të rrugës është 33.6 miliardë lekë me të cilat do të financoheshin gjithsej 41 kilometra rrugë të kategorisë C , nga të cilat 26 do të bëheshin nga e para dhe 15 të tjera pjesërisht.
Në fillim të vitit 2018 në kuadër të projeksioneve në buxhetin afatmesëm, qeveria raportoi një tabele shoqëruese të financimit të koncesioneve ndër vite ku raportoi se financimet totale për rrugën e Arbrit do të ishin 40 miliardë lekë. Burimet nga Ministria e Financave pohuan në atë kohë se kjo vlerë shtesë nga kontrata përfaqësonte TVSH e cila nuk ishte raportuan në kontratën fillestare.
Këtë vit gjithçka ka ndryshuar kryekëput, pasi Ministria e Financave ka riprogramuar financimin e rrugës së Arbrit me 58 miliardë lekë. Burimet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës pohuan se kjo shumë do të shkojë si kompensim për një shembje të madhe që ka ndodhur në rrugë vitin e kaluar në tentativë për hapjen e një tuneli.
Shembja ka ndodhur në afërsi të tunelit të Murrizit. Inxhinierë të fushës që janë njohur me shembjen i pohuan Monitor se ajo ka ndodhur si pasojë e një gabimi inxhinierik, ku një pjesë e tunelit është tentuar të shmanget duke hapur trasenë e duke carë malin në formë kove. Mirëpo ky vendim i ka kushtuar kompanisë pasi thellësia e madhe skarpateve ka krijuar shembjen e cila gjithashtu kalon nëpërmjet një zgjidhje të vështirë inxhinierike dhe financiare.