Një 70-vjeçar humbi jetën mbrëmjen e djeshme pas shpërthimit të një zjarri në banesën ku jetonte në qytetin e Shkodrës. Viktima është Ismet Abdurrahmani, i cili u nxor i pajetë nga banesa për shkak se flakët u përhapën me shpejtësi, ndërsa dera ishte e bllokuar.
Ngjarja ndodhi në katin e 5-të të një pallati rreth orës 19:30. Fillimisht policia dyshoi për një zjarr aksidental nga shpërthimi i një bombole, që përhapi flakët në dy apartamente.
Por më pas janë mbledhur fakte edhe për një pistë tjetër. Detaje për të cilën nuk janë bërë akoma publike
Viktima sipas policisë kishte mosmarrëveshje me të shoqen, ndërsa pasditen e djeshme, bashkëshortja e tij kishte kërkuar urdhër mbrojtje për shkak të dhunës nga bashkëshorti.
Informacioni Paraprak i Policisë së Shtetit:
Më datë 02.02.2020, në orën 19:20, në lagjen “Ahmet Haxhija” Shkodër, ka rënë zjarr në katin e pestë të një pallati, në banesën e shtetasit I. A. 70 vjeç, i cili si pasojë e zjarrit dhe tymit, ka ndërruar jetë.
Shërbimet e zjarrfikëses kanë vënë në kontroll flakët dhe po punojnë për shuarjen e plotë të zjarrit, si dhe kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupit të 70 vjeçarit duke e dërguar në morgun e Spitalit Rajonal Shkodër
Shërbimet e Policisë kanë evakuar banorët me qëllim mos lëndimin apo asfiksimin e tyre nga tymi.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor ku vijon punën për sqarimin e shkakut të rënies së zjarrit.