Kanë lënë pas shumë miq dhe shokë të vrarë përmes një historie grabitjesh që e trondit vendin rregullisht, por dy banditët Talo Çela dhe Nuredin Dumani kanë gjetur sërish terren të lirë për të provuar ta vrasin njëri-tjetrin.
Sërish në të njëjtën zonë, aty ku kanë ndodhur atentate dhe vrasje të tjera, të njëjtët personazhe kanë rikthyer sherrin e vjetër nën hundën e policisë.
Ende nuk është e qartë se çfarë ndodhi mbrëmjen e të martës në Elbasan, por kur policia raportoi për të shtëna me armë në fshatin Papër të Elbasanit, një makinë të goditur nga breshëritë e plumbave dhe brenda saj, një shishe benzinë, menjëherë u kuptua se ngjarja ndodhi në zonën e influencës së Talo Çelës.
I shumëkërkuar nga policia prej disa vitesh, por ende i lirë pranë shtëpisë së tij, Talo Çelës i faturojnë disa vrasje. Diku thonë se ka vrarë 4 persona, diku 5, ndërsa e sigurtë është se pas grabitjes në Rinas, ai u shndërrua një ndër personat më të rrezikshëm në Shqipëri.
Njësoj edhe për ish-mikun e tij, Nuredin Dumanin. Edhe ai me 6 apo 7 vrasje në dosjen kriminale, një kriminel po aq i rrezikshëm, me mision për të vrarë Talo Çelën.
Disa vite më parë, në të njëjtën zonë kishte vrarë vëllain e tij, Bujar Çelën.
Në listën e të vrarëve janë vëlleëzit, Besmir dhe Viktor Haxhia, Dorian Shkoza, Anxhelo Avdia, Klevis Kapllani
Por megjithëse janë në top-listën e personave të kërkuar, në vend të fshihen nga frika e policisë, kanë arritur ta gjejnë njëri-tjetrin.
Mendoni pak! E gjithë policia supozohet se i kërkon prej vitesh në çdo skutë. Por ndërkohë ata vazhdojnë vrasjet dhe grabitjet, konfliktohen me njëri-tjetrin, organizojnë vrasje të tjera sërish duke qenë në kërkim, arrijnë ta gjejnë njëri-tjetrin dhe të provojnë të vriten sërish.
Kulmi është që disa vite më parë, Talo Çela dha edhe një intervistë, ku tregonte se nuk kishte gisht në vrasjen e dy vëllezërve Haxhia, të cilët e kishin strehuar për t’iu fshehur.
Më inekzistente se kaq policia nuk mund të ishte. Më terren të lirë lirë se kaq, banditët nuk mund të kishin. Lajmi i mirë është se të paktën, njëri prej tyre, Nuredin Dumani më në fund u arrestua. Në kurriz ka një plumb nga përplasja me armë me Talo Çelën. Ky i fundit mbetet në arrati. Ashtu siç ka qenë prej vitesh.