Sot në Kosovë ka filluar viti shkollor 2023/24. Edhe sivjet tekstet shkollore do të subvencionohen nga shteti, por për dallim nga vitet e kaluara, kësaj radhe prindërit do të jenë të obliguar t’i blejnë ato e më pas do t’i marrin mjetet përmes aplikimit në platformën eKosova. Nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën do të subvencionohen me 80 euro për tekstet shkollore, ndërsa ata nga klasa e gjashtë deri në të nëntën do të subvencionohen me 30 euro, pasi i kanë të siguruara librat nga viti i kaluar. Qeveria ka alokuar rreth 13 milionë euro për këtë qëllim.
Gjatë ditës së djeshme ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se kanë përfunduar procedurat e pagesës për grupin e parë të aplikuesve që kanë aplikuar deri më datë 29 gusht për furnizim me tekste shkollore dhe materiale mësimore e që janë mbi 81 mijë përfitues, derisa ka bërë të ditur se afati për aplikim do të jetë deri në fund të shtatorit.
Mirëpo, nga Këshilli i Prindërve të Kosovës dje thanë se mjetet për blerjen e këtyre teksteve, prindërve në xhirollogaritë e tyre ende nuk u janë dalë.
“Për çështjen e subvencionimit, nuk e kam asnjë informacion që dikujt kanë fillua t’i bëhet subvencionimi që do të thotë askujt nuk i kanë dal. Po presim që dalin gjatë ditës për arsyeje se një deklaratë e ministres ke që do të dalin para 1shtator e i pari fillon në 12 të natës”, “, tha Besnik Dragusha, kryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës.
Ndërkaq, nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, thonë se me këtë mënyrë të veprimit nga Ministria e Arsimit, procesi mësimor do të dëmtohet shumë.
“Nga ana e MASHT-it dhe Qeverisë i duket proces i lehtë, por procesi do të komplikohet kur mijëra prindër do të shkojnë të bankomatat për t’i marrë parat se kemi një pjesë të madhe të familjeve në Kosovë që janë në gjendje tepër të rënd ekonomike e tash synin siç thotë populli i kanë pikërisht në ato mjete”, thotë Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut..