Tronditja ende vazhdon në Pogradec, ku endet kudo misteri i vrasjes së një 42-vjeçari me emrin Eglantin Proga, babai i dy fëmijëve dhe një njeri i përshkruar me cilësitë më të mira, sidomos për qetësinë e tij.
E motra e të ndjerit, Jonida Proga, në njëdeklaratë për mediat tregoi se si e mësoi vdekjen e të vëllait, më pas faktin se ishte vrarë dhe bëri thirrje që të hetohet çdo hallkë, duke filluar nga Policia e cila ka vepruar me shumë vonesë.
"Më ka marrë djali tezes në telefon dhe më tha “urgjent në spital!” – tregoi znj. Proga. - Vrapoj për atje, futem te urgjenca, shoh Eglin të shtrirë, të masakruar. Mjekët ishin duke i dhënë ndihmën e fundit, ne s’e pranonim dot që kishte ndodhur derisa mjekët thanë që t’i hiqnin pajisjet.
Në shok kam dalë jashtë, pyes policët çfarë ka ndodhur dhe më thonë “është rrëzuar”. Kanë folur për pjesën që është rrëzuar e deri që nuk e dimë, por jo të thoshin kemi lëshuar njerëz, po mbledhim prova, po marrim kamerat, po pyesim dëshmitarë. Policia ka lëvizur shumë vonë. Do të thotë që kanë qenë në lëvizje nga të tjerët për t’u sjellë kështu. Akoma asnjë gjë, informacioni vetëm është marrë nga mediat. Mirë që s’i lexova që ka vdekur në gjendje të dehur nga rrëzimi, se nuk e di si do ta përballoja.
Dallohej qartazi që ishte dhunuar, por nuk thuhej nga askush që ishte i dhunuar. E kanë vrarë, e kanë masakruar në mes të rrugës në tufë, e kanë braktisur, e kanë lënë. Ambulanca nuk vinte, u vonua gjysmë ore, që në Pogradec për 2 minuta arrin. Policia nuk pranonte të lëvizte trupin pa ardhur ambulanca, mund të ishte gjallë aty, mund ta shpëtonin.
Egli ishte njeriu më i butë, më i dashur, e donin të gjithë, ishte familjar, ishte në punën e tij. Sa ka mbyllur punën, ishte në qejf, nuk e di çka ndodhur. E kanë kthyer, e kanë provokuar, dhe më pas e kanë vrarë. Është vrasje në bashkëpunim, s’është vetëm një njeri, këtu është në bashkëpunim dhe shteti që ka pritur, e ka fshehur ngjarjen. Nuk ka pasur shirita, makinat kalonin aty, njerëzit pinin kafe.
Kjo është vrasje nga të gjitha anët, me gjakftohtësinë më të madhe, nuk është një vrasës, kjo gjë sapo ka filluar dhe mos guxojë askush të bëhet palë.
Kushdo që ka guxuar mos të guxojë më. Të hetohet çdo gjë në detaje, çdo gjë që ka ndodhur, çdo gjë që është bërë në bashkëpunim, çdo frymë që ka kaluar atje, çdokush që e ka parë, gjithë plehrat që janë fshehur, çdo kafshë që ka guxuar të jetë atje e ka frikë e fshihet.
Si thonë që nuk kemi parë gjë kur shohin të masakrohet një njeri i pambrojtur?! Kush është i forti këtu kur goditet i pambrojturi?"