Policia ka arrestuar një 14-vjeçar, i cili akuzohet për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij, ngjarje që ndodhi të hënën rreth 200 metra larg shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë.
“Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në rrugën “Qemal Stafa”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Personit arrestuan një të mitur 14 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje e kryer ndaj të miturit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, parashikuar nga nenet 79 pika a dhe 279 të Kodit Penal”, njoftoi policia këtë të mërkurë.
Nga ngjarja që ndodhi pranë shkollës, u përfshinë në total tre persona.
Autori 14-vjeçar gjatë sherrit me dy bashkëmoshatarë të tij i ka goditur ata me thikë. Për pasojë kanë mbetur të tre të plagosur.
Por një prej tyre ndërroi jetë në spital, ndërsa tjetri, bashkë me autorin ndodhen jashtë rrezikut për jetën në spital.