Një adoleshente ka denoncuar në policinë e Beratit se prej një viti, në rrjetet sociale janë krijuar adresa të ndryshme me emrin dhe fotot e saj.
Vajza me inicialet S.N ka thënë se kjo është bërë shqetësim për të dhe të gjithë famijen.
“Mu nxi jeta, janë 100 adresa me emrin dhe fotot e mia. Familja është e shqetësuar, njerëzit më pyesin. Nuk guxoj të dal nga shtëpia”, ka thënë me lot në sy vajza.
Menjëherë pas kallëzimit të saj policia ka nisur hetimet dhe ka referuar materialet në Prokurorinë e Beratit për veprën penale “Falsifikimi kompjuterik” dhe “përndjekje”.
Ky nuk është rasti i parë, kur adoleshentet ndjehen të rrezikuara nga përndjekja nëpër rrjetet sociale. Dhjetëra raste janë denoncuar në polici, por anonimiteti në rrjetet sociale e bën të vështirë identifikimin dhe arrestimin e këtyre personave.