Nga Kastriot Dervishi
Kongresi i dytë i Partisë së Punës është i vetmi në historinë e kësaj partie ku u evidentuan dhurata nga partitë e ashtuquajtura motra. Mungesa e pjesëmarrjes së “partisë mëmë” të Bashkimit Sovjetik, u kompensua nga pjesëmarrja e partive të tjera të vendeve të “demokracisë popullore”, si dhe të vendeve ku lëvizja komuniste pretendonte të bënte terrorizmin e radhës. Ndonëse komunistët udhëhiqen formalisht nga disa cilësi kamufluese idealesh, ku ndër të tjera hyn edhe mospranimi i dhuratave, në kongresin e dytë të 31 marsit – 7 prill 1952, janë paraqitur disa të tilla. Ndërsa delegacioni mongol është mjaftuar me një flamur të madh të kuq, shokët kinezë duket sikur kanë hapur depon e ushqimeve për të përzgjedhur dhurata. Krahas portreteve të klasikëve apo busteve të Maos, ata janë kujdesur edhe për çaj dhe marmelatë. Sikur të kishin sjellë edhe ca djathë e mish, me siguri, shokët kinezë do ta thellonin veçantinë e dhuratave të tyre.