Nga Kastriot Dervishi
Më 27 qershor 1944 në krahinën e Çamërisë nisi një spastrim etnik kundër popullsisë civile shqiptare. Sipas njoftimeve të kohës, popullsia e pafajshme shqiptare e përllogaritur prej 20.000 personash, u përqendrua në Filat ku u trajtua nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar. Pavarësisht se ishte kohë luftë, trajtimi i popullsisë në fjalë është bërë pikërisht nga një organizatë ndërkombëtare. Legata gjermane e Tiranës kërkoi nga qeveria shqiptare që të ndërmerrte një veprim të ngjashëm në hapësirën Konispol-Gjirokastër, ku jetonin banorë të minoritetit grek, por ekzekutivi shqiptar nuk miratoi këtë veprim, duke treguar se shqiptarët nuk miratojnë politika të spastrimit etnik. Praktika e kësaj ngjarjeje nuk është administruar atje ku duhej të ishte, por në një fond arkivor krejt pa lidhje me të.
Notë verbale
Legata gjermane Tiranë
Legata gjermane ka nderin të njoftojë Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë se në Filat janë mbledhur gati 20.000 emigrantë shqiptarë nga Çamëria (krahina Paramithi-Pargë).
Meqenëse gjendja, me gjithë ndihmën që jep Kryqi i Kuq Ndërkombëtar nuk mund të sigurohet vazhdimisht, është projektuar vendosja e emigrantë për së shpejti në Shqipërinë e jugut, në hapësirën Konispol-Gjirokastër dhe grekët ortodoksë të atyre viseve të transferohen në Çamëri.
Legata gjermane i lutet Ministrisë së Punëve të Jashtme Shqiptare, të marrë pëlqimin e qeverisë shqiptare për këtë transferim.
Tiranë 24 gusht 1944