Gjatë Luftës së Parë Botërore, Perandoria Austro-Hungareze përdori masivisht huatë si rrugë për të siguruar financimet e nevojshme të shpenzimeve të luftës. Austria dhe Hungaria edhe pse ishin bashkuar në një perandori, kishin sovrantitet fiskal dhe vepronin si entitete të pavarura.
Ndaj edhe në fushën e emetimit të obligacioneve të luftës do të vepronin të ndara duke emetuar secila veçmas. Më shumë se gjysma e shpenzimeve të luftës do të financoheshin përmes huamarrjes te individët.
Gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore Perandoria Austro-Hungareze shiti 8 herë obligacione. Huaja e parë e luftës u emetua në periudhën 16-24 nëntor 1914 dhe rezultoi një sukses i madh.
Në mënyrë që të siguroheshin arkëtime të mëdha e përfshirje masive nga popullata u ndërmorën një seri lehtësisht e nxitjes fiskale, mes të cilave përjashtimi nga taksat i fitimit, mundësia e rishitjes së tyre apo edhe përdorimi i obligacioneve si kolateral për marrjen e kredive.
Në funksion të shitjes së obligacioneve u hapën zyra të posaçme për huatë e luftës ndërsa një vëmendje e madhe iu kushtua propagandës. Gazetat dhe revistat ishin mjete të rëndësishme për dhënien e mesazheve që nxisnin qytetarët që të blinin obligacione.
Krahas artikujve e thirrjeve të ndryshme ku blerja e obligacioneve të luftës konsiderohej si investimi më i mirë, nuk munguan rastet kur publikoheshin artikuj të ndryshme që evidentonin emrat e personave që kishin blerë obligacione, sidomos ata që ishin të njohur (politikanë, biznesmenë, aktorë apo edhe klerikë).
Më kalimin e viteve e me zgjatjen e luftës, shitja e obligacioneve të reja po zgjaste më shumë në kohë çka reflektonte jo vetëm lodhjen nga lufta por edhe vështirësitë me të cilat po përballej ekonomia e perandorisë. Ndërsa shitja e obligacioneve të huasë së parë të vitit 1914 zgjati vetëm 8 ditë, shitja e obligacioneve të huave të tjera do të zgjaste 30 ditë e më shumë.
Shqipëria dhe blerësit e obligacioneve të Austro-Hungarisë për luftën
Trupat austro-hungareze do të hynin në Shqipëri në vitin 1916 për të qëndruar deri në vitin 1918. Administrata ushtarake do të përqendrohej në Shkodër e do të drejtohej nga komandantët ndërsa administrata civile do të kishte një drejtues civil.
Prezenca e ushtrisë austro-hungareze në Shqipëri do të konsiderohej “miqësore” sepse Shqipëria dhe perandoria nuk ishin në luftë. Gjatë pranisë së tyre në Shqipëri, austro-hungarezët do të investonin në infrastrukturë e arsim si dhe në vendosjen e rendit.
Gjatë kësaj periudhe do t’i kushtohej vëmendje edhe zhvillimit të sistemit financiar të vendit, ku do të përktheheshin në shqip ligjet fiskale. nga ana tjetër, tre degë bankash të perandorisë do të çelnin filialet e tyre në Shkodër; Wiener Bank-Verein, Pester Bank dhe Ungarische Bank.
Obligacionet e perandorisë për financimin e luftës do të shpërndaheshin edhe në Shqipëri.
E përkohshmja “Posta e Shqypnis’” do të përmbante vazhdimisht thirrje për shqiptarët që të blinin obligacionet e perandorisë. Në këtë gazetë do të publikohej thirrja për të nënshkruar huanë e luftës që konsiderohej si “mënyra më e mirë e ma e sigurt për vendimin e kapitalit” e si një “përkujdesje për të mirën e vetes e të atdheut”.
Ata që blinin obligacionet e luftës, sipas dëshirës, mund t’u publikohej emri në shtypin e kohës ndërsa sërish sipas dëshirës, mund edhe t’i depozitonin obligacionet në bankë. Vendi i nënshkrimit, sipas publikimit të gazetës për huanë e 7-të, ishte “ekspositura e Pester Bank”.
Në numrat e saj, “Posta e Shqypnis’ do të publikonte jo vetëm thirrje të vazhdueshme por edhe emrat e atyre që nënshkruanin huanë duke blerë obligacionet. E ashtu si në Austri e Hungari, edhe në Shqipëri obligacionet do të bliheshin nga figura të shquara, mes tyre edhe klerikë të besimeve të ndryshme
Kreshnik KUÇAJ/Portali ekonomik SCAN