Nga Kastriot Dervishi
Më 31 korrik 2018 Këshilli i Ministrave vendosi që nga shtojca e buxhetit vjetor të gjendeshin ca para për të sjellë në atdhe, eshtrat e “personalitetit të shquar të letrave shqipe dhe të kulturës mbarëkombëtare”, Mit’hat Frashëri (1880-1949). Këtë vendim, qeveria e motivoi me përvjetorin e kongresit të Manastirit dhe me asnjë arsye tjetër, duke e ndalur jetën e Mit’hatit deri në vitin 1908, duke mos shkuar dot as deri te qeveria e parë shqiptare e Ismail Qemal Vlorës, ku Mit’hati ishte njëri prej ministrave të saj. Të mos ishim shqiptarë, por ta lexonim si lajm të jashtëm, të vetmin perceptim që do krijonim, do ishte fakti se një shkrimtar i njohur i pavarur politikisht po kthehej në vendin e vet. Qysh në krye të vendimit, duket që qeveria përbuz aktivitetin diplomatik dhe politik të Mit’hat Frashërit. Qeveria pra i ka dhënë të drejtë vetes të shkelë mbi kriteret historike dhe të gjykojë se çfarë vlen e nuk vlen në jetën e Mit’hat Frashërit. Kjo është njësoj sikur p.sh. një president amerikan t’i hartosh biografinë, por mos të zësh kurrë në gojë se ka qenë kreu i SHBA-së.
E sikur të mos mjaftonte kjo, kryeministri i vendit, Edi Rama, shumë i frymëzuar nga filmat artistikë bajatë të komunizmit dhe nga propaganda enveriste në vite, në disa fjalime në Kuvend, publikisht e ka quajtur forcën politike të Mit’hat Frashërit, Ballin Kombëtar, si organizatë të përbërë nga “pulangrënës”. Ballistët për Ramën nuk ishin gjë tjetër veçse individë që duheshin kujtuar vetëm për “shqyerjen e pulave”. Kjo sepse gjatë diktaturës komuniste, propagandohej vazhdimisht me të gjitha format se ballistët e drejtuar nga Mit’hat Frashëri nuk e kishin mendjen te lufta, se hanin pula, etj, ndërsa komunistët e drejtuar nga dy jugosllavë ishin të merakosur për fatet e Shqipërisë. Edhe me vendosjen e pluralizmit, kjo propagandë bajate komuniste vijoi të ishte e njëjtë nga forca politike që drejton Rama, e cila ka përçuar shumë urrejtje kundër nacionalistëve shqiptarë. Nëse shaheshin ballistët që “hanin pula”, asnjëherë nuk u pa ndonjë distancim nga veprimet e dy terroristëve jugosllavë Miladin Popoviç e Dushan Mugosha në vitet 1941-1944, kohë kur këta drejtonin PKSH-në dhe formacionet e armatosura komuniste. Nëse është hedhur ndonjë fjalë sa për të shpëlarë gojën për krimet e komunizmit në vitet 1944-1991, asnjëherë nuk është shprehur ndonjë pendesë për krimet e komunizmit në luftën civile të viteve 1943-1944.
Kthimi i eshtrave Mit’hat Frashërit nuk u shoqërua me kurrfarë ndjese nga artikuluesi për “pulangrënien”. Kryeministri nuk e ka për zakon ndjesën. As vartësit e tij, përfshi këtu parazitët “veteranë” të pensioneve shtetërore, propaganduesit e luftës së klasave e dasisë kombëtare në kushtet e sotme, nuk e kanë zakon ndjesën. Për “veteranët” Mit’hat Frashëri do vijojë të jetë “kriminel lufte” sepse nuk ishte gjatë luftës nën urdhrat e Miladinit e Dushanit, ndërsa për kryeministrin, ai do vijojë të jetë kryetari i “pulangrënësve”.
Por Mit’hat Frashëri ka qenë edhe kryetar i qeverisë antikomuniste në mërgim, të quajtur Komiteti Shqipëria e Lirë, e cila quhej “reaksionare” nga regjimi i Hoxhës. Kjo qeveri ishte e përkrahur nga aleatët perëndimor kundër qeverisë antikombëtare të Enver Hoxhës. Për këtë arsye, Mit’hat Frashëri pikësëpari duhet të vijë në atdhe si kryetari i qeverisë shqiptare në mërgim.
Nëse Mit’hat Frashëri vjen në Shqipëri sipas formulimit të vendimit të qeverisë, me damkën e “pulangrënësit”, më mirë ta lenë të qetë në Amerikë, sepse atje të paktën kanë respekt për të, është i lirë, nuk ia ndan njeri jetën me vizore dhe nuk e ofendon njeri.