Nga Kastriot Dervishi
Në libra të ish të dënuarve politikë, ndër të tjera gjenden plot portretizime për persekutorët e tyre nëpër hetuesi, burgje, kampe dhe internime. Ata që kanë mundur të shkruajnë kujtimet e (vlerësohet se është numër shumë i vogël), bëjnë fare mirë grafinë njerëzore e politike të hetuesve, prokurorëve, gjyqtarëve, oficerëve të Sigurimit, komandantëve, komisarëve, etj. Në sistemin e kampeve dhe burgjeve, komandanti merrej me anën ushtarake, ndërsa komisari me atë politike. D.m.th. komisari do edukonte politikisht të dënuarit që nuk e donin regjimin. Në të shumtën e rasteve, këta komisarë nuk ishin gjë tjetër veçse njerëz me arsim të kufizuar, të cilët prej shkollës kishin mësuar vetëm të shkruanin e këndonin. Sot ju njoh me një prej komisarëve të kampeve, atij të repartit nr.303 në vitet 1967-1969, përkatësisht me vendqëndrim në Elbasan (fabrika e çimentos) dhe rrjedhimisht i pari që shkoi në Spaç (në vitin 1968), Niko Kolitharin. Deri në vitin 1944 ai nuk kishte bërë veçse 5 klasë fillore. Me gjithë mundimet e bëra paslufte nuk mundi kurrë të përfundojë ndonjë të mesme. Duke pasur profesionin e bujkut, Kolithari doli partizan si shumica e shokëve të tij, në vitin e fundit të luftës, më 13 prill 1944.
Uran Kalakulla që ka vuajtur dënimin edhe në repartin nr.303, e quan një “gërdallë të shëmtuar”, “imazh të vdekjes”. Në librin e tij “21 vjet burg komunist”, Tiranë 2001, në faqen 271, i ndjeri Kalakulla shkruan:
“Ajo fytyra e tij e stërzgjatur, i ngjante gjethit të një lëpirje të vyshkur. Sytë i kishte si gëlbazë veremliu, ashtu, hem të verdha. Hem të kuqe bashkë dhe hunda një shpatore e hollë, në majë në fund e me një samar të dukshëm fort, ndërsa goja si një plagë e hapur, nga dilnin disa dhëmbë si të kalit, të verdha dhe ata, sikur kishin bluar tagji nga trasta e ustait të vet. Apo s’kishte edhe një zë si të zvargur, ky Kolithari. Me ca klithma që i ngjanin maçokut të tërbuar ose kur është në kohën e përndezjes seksuale. Dhe në mënyrë të veçantë, ajo e folura e tij. Jo vetëm nga përmbajtja, por edhe nga forma ishte e neveritshme. ...Ishte vërtet si një kalë i cofët: brinjëdalë, qafëhollë e nofulla e dhëmbëdalë diçka si Rosinanti i Don Kishotit”.
Ndërsa i ish dënuari tjetër politik Agim Musta, në librin “Dosjet e gjalla”, Tiranë 1995, në faqet 101-102 shkruan: “Rolin e provokatorit, persekutorit dhe të terroristit, e kish marrë përsipër komisari i kampit Niko Kolithari...I gjatë, pak i kërrusur, me një fytyrë prej kali, me gishta si dhëmbët e sfurkut, që tundte vazhdimisht dëftuesin, sa herë fliste, të ngjallte neveri, jo vetëm nga pamja e tij, por dhe nga jargët që lëshonte nga goja e shtrembër. Te ai njeri, shpirti, mendja dhe pamja ishin në akord të plotë. Slogani i tij i preferuar, sa herë që na mblidhte në oborrin e kampit ishte: “Për ju s’do të ketë kurrë pranverë”. Dhe fillonte të stigmatizonte me gishtin e tij të gjatë të burgosur, që sipas tij ëndërronin kohë të tjera”.