Nga Kastriot Dervishi
Në galerinë e madhe të fotove të periudhës së gazepit komunist, po veçoj këtë herë këtë kolazh sa qesharak, aq edhe historik. Në mes të popullit të fshatit të vuajtur deri në palcë, ka mbërritur ish kooperativistja, dikur mjelësja e dalluar, anëtarja e Byrosë Politike dhe sekretare e Komitetit Qendror të Partisë së Punës, Lenka Çuko (kjo mbulonte në linjë partie edhe problemet ushtarake dhe ato të punëve të brendshme, përfshi Sigurimin). Megjithëse shoqja në fjalë i kishte lënë pas vite më parë këto gjëra, për efektin propagandistik të partisë, ajo së bashku me drejtuesit e rrethit të veriut janë vënë në një shfaqje teatrale përpara popullit në zhveshjen e misrit. Skena qesharake ka dy plane: kontrastin e thellë midis udhëheqjes e popullit si dhe formën propagandistike të pjesëmarrjes së kuadrove në krye të fushatave. Vihet re mënyra gati kinematografike e kuadrove të lartë në zhveshjen e misrit. Për fat të keq, këto forma propagande po i shohin edhe sot, madje në qendër të Tiranës.