Nga Kastriot Dervishi
Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe më pas kryetari i Komunës së Vushtrisë i kërkuan së fundmi shtetit shqiptar të lejojë që eshtrat e Hasan Prishtinës të zhvendosen në Kosovë. Pa ditur asnjë gjë për historinë e kaluar, të përmendurit kujtojnë se kjo punë është bërë me seriozitet të madh (seriozitet nga shtetit komunist!!!). Gjatë periudhës së socializmit, në kuadër të politikës antizogiste, janë zhvilluar disa ceremoni rivarrimi, synimi i të cilave ishte promovimi i propagandës së tillë dhe aspak ndonjë merak të vlerësimin e personave të cilëve u silleshin eshtrat. Ndër to është edhe ajo e datës 6 dhjetor 1977 në Kukës, ku u pretendua se po rivarrosej Hasan Prishtina. Ky i fundit u vra në Selanik në vitin 1933 dhe u varros po atje. Në vitin 1977 nuk është zhvilluar një proces serioz midis dy shteteve. Pala shqiptare ka treguar arrogancë, më shumë ka pasur qëllim të përmbushë një veprim sesa të gjejë ku ishte varrosur Hasan Prishtina. Kësisoj, ata që kanë synim të ndërmarrin një veprim të tillë, më parë të verifikojnë të kujt janë eshtrat e personat që në rrasë të varrit mban emrin e Hasan Prishtinës. Të mos nxitohen me veprime publike për të fituar pikë politike. Pala greke në atë kohë ka qenë e bindur se eshtrat nuk i përkisnin Hasan Prishtinës.