Nga Kastriot Dervishi
Një raport i sekretarit të parë të legatës shqiptare në Moskë, Reis Malile tregon se Kasem Trebeshina për të qenë në qendër të vëmendjes ishte bërë piktor. Po ashtu ai krahasonte veten me shkrimtarë të mëdhenj, duke theksuar vazhdimisht se në të ardhmen puna e tij do vlerësohej. Sipas Maliles, dëshira e Trebeshinës ishte të jetonte 10 vjet e pastaj të vdiste sepse veprat e tij do çmoheshin shumë. Për më shumë raporti i përmendur.
***
Vdekje fashizmit-liri popullit
Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë
Drejtorisë së Organizimin e Inspektimit, Tiranë
Për të sqaruar pretendimet e anëtarit të partisë Kasem Trebeshina, e thirrëm të vinte këtu nga Leningradi. Bashkë me shokun Vasil (Nathanaili) bëmë gjithë përpjekjet për ta bindur që të vazhdonte mësimet, por çdo gjë qe e kotë. Duke menduar se ka ndonjë tronditje të fortë nervore e mbajtëm disa ditë rresht afër dhe me të butë, e dërguam te doktori disa herë dhe si u pa që nuk kishte gjë serioze nga ana e nervave, u këshillua më tepër se një orë edhe nga doktorët që të vazhdonte mësimet, por prapë çdo gjë kot, ai as u bind fare. Kasemin ka shumë kohë që e ka kapur një pesimizëm në ekstrem, nuk ka besim as për gjënë më të vogël. Që vjet duke ju futur kot pa punë në kokë mendimi se “unë shihem keq nga partia”, sipas mendimit të tij, iu fut punës “për t’i treguar partisë se Kasemi është i vlefshëm”, si rrjedhim ai filloi të bëjë piktura me ngjyra, plus programit të shkollës, e me këtë rrugë kërkonte të bëhej pikturist me famë botërore. Kështu ka deklaruar vetë. Më pas, si e pa që nuk ia doli dot me pikturën, e la atë dhe iu krijua mendimi të bëhej shkrimtar. Kështu ai shkruajti rreth 60.000 vargje me tema të ndryshme. për të kuptuar se si e ka punën me shkrimet e tij, e pyetëm se ç’ka shkruar. Na numëroi me dhjetëra vjersha dhe romanca, midis të tjerave: “Kruja e rrethuar nga turqit” (poemë), “Karl Topija në luftë”, etj. ai flet me kompetencë të çuditshme. Thotë: “unë jam talent i madh, veprat e mia do të çmohen nesër”, e plot gjëra të tjera të tilla. Bën krahasime me shkrimtarë të mëdhenj, me Bajronin, Balzakun, Majakovskin, Pushkinin, etj dhe futet në polemikë me ta sikur është edhe ai në rangun e tyre. Kjo gjë të lë të kuptosh se Kasemi s’është në rregull. Nga sa shikojmë ne, ai ka kaluar në një proces egoizmi të madh, egoizëm i cili sot ka arritur kulmin. Unë atij i komunikova përgjigjen e dhënë nga ju, për kërkesën që kishte bërë. Ai në fillim heshti, më pas filloi të flasë në këtë mënyrë: “Aq më bën mua, le të thotë si të dojë partia, unë nuk jam sqaruar. Po të dojë, le të më përjashtojë. Unë e shoh që nuk jam më i vlefshëm, etj”. Ne vazhduam këshillimet tona me orë të tëra, bëmë presione me të, por çdo gjë më kot, ai shfaq mosbesimi dhe insiston në mënyrë të çuditshme për t’u kthyer në Shqipëri. Ai mendon: “Atje do të bëhem shkrimtar edhe më i zoti se sot, pse atje do të kem kontakt me popullin, ndërsa partia dhe shteti për këtë rrugë që unë ndjek, le të marrin masat që do të duan...Unë edhe 10 vjet dua të rroj, pastaj le të vdes...Veprat e mia do të çmohen nesër”. Si u pa edhe njëherë mirë, gjendja e tij nga mjekët, ata dhanë konkluzionin se Kasemi vuan nga psikopatia dhe se ka një prishje të sistemin nervoz. Ata janë të mendimit që ai të kthehet në Shqipëri mbasi çdo gjë i është bërë fikse dhe në asnjë mënyrë nuk mund t’i hiqet nga koka ajo çka ai mendon. Në formë të thekuar, atij i ka hipur një mosbesim i madh ndaj organeve të partisë dhe të shtetit dhe kjo duke u mbështetur vetëm në mendimin e tij të gabuar, pse nuk e sqarojnë, ai flet pa kontroll, ka tendenca vetëvrasje dhe të lë të dyshosh se mund të bëjë edhe ndonjë skandal ose akt politik negativ, p.sh. i mbytur nga pesimizmi kur të zbresë avioni në aerodromin e Beogradit, s’është çudi që të iki. Si rrjedhim, karshi tij, duhet pasur një kujdes jashtëzakonisht i madh. Për të kuptuar edhe më mirë gjendjen e Kasemit, ju njoftojmë se kur ai mori një telegram nga gruaja e tij, me anën e të cilit ajo e këshillonte që të vazhdonte mësimet, ai i nevrikosur dhe i “ofenduar” përnjëherë i shkroi asaj “ti nuk je grua për mua” dhe e ndau. Kështu na tha vetë. Më pas me shumë këshillimet tona u bind që t’i shkruante prapë gruas. Si material akoma më sqarues për gjendjen e tij, lexoni kopjen e shkresës si dhe dy kopje letra të bëra nga ai vetë që ia dërguam Ministrisë së Jashtme aty. Si ato ashtu edhe një kopje të raportit mjekësor po jua bashkëngjitim. Duke parë gjendjen e tij, ne jemi të mendimit që Kasemi të kthehet në Shqipëri sa më parë. Ai praktikisht studimet sot i ka ndërprerë, pra qëndrimi i tij është i kotë. Për masat eventuale që ai meriton për gjithë këtë qëndrim negativ, është e nevojshme të kalojë edhe një proces të shkurtër kontrolli, për të parë akoma më mirë gjendjen e tij shpirtërore e fizike.
Moskë 8.3.1950
Reis Malilie