Dielli 110 vjet, Kostë Çerkezi, gazetari që e bëri Diellin të përditshëm

Diel, 13 Janar 2019 15:15

NGA DALIP GRECA*

• Atë të premte të 16 janarit 1959, vatranët dhe anëtarët e Shoqatës “Shqipëria e Lirë”, tek përcillnin arkivolin që mbante trupin e pajetë të Kostë Çekrezit drejt varrezave të Forest Hills Cemetery në Boston, kishin ulur kokat në shenjë dhimbjeje dhe pendese. Në fakt edhe pasvdekja kishte ruajtë surpriza për Kostë Çekrezi. Trupi i tij rrezikohej të digjej nga e bija, por e shpëtoi Noli pas këmbënguljes të një myslimani, që ishte mik i Çekrezit, Victor (Vexhi) Dobro. Ç’kishte ndodhë?

• Noli- Victor ( Vexhi) Dobro: Pse nuk përpiqesh të më dërgosh njerëz të gjallë, që të më ndihmojnë, po kërkon të më dërgosh të vdekur!

Dhimbja vinte nga fakti se po përcillnin një ndër intelektualët më të zëshëm të kolonisë shqiptare në SHBA, ndërsa pendesa - ndoshta vinte nga fakti se, as Vatra, as Shqipëria e Lirë, nuk arritën ta çmonin sa dhe si duhet kapacitetin e tij intelektual, aq sa u detyrua, që të izolohej dhe të vepronte i vetmuar, duke mbetur një kryengritës rebel i përhershëm. Akuzat e hedhura kundër tij në rreshtat e Diellit ishin si shigjeta të helmta të hedhura pas shpina në fsushën e betejës. Kush i lexon ato sot, krijon bindjen e rreme se Çekrezi kishte një mijë të këqija, kishte pak ose aspak vlera pozitive, ishte një karrierist, egocentrist, njeri që nuk punonte për çështjen shqiptare etj. Ai u etiketua jo rrallë si tradhëtar, spiun, agjent, antikombëtar, ngatërrestar, njeri që solli veç belara…

Kortezhi kaloi afër varrit të idhnakut të tij, Faik bej Konicës, që e pat luftuar më së shumti, për të vazhduar më tej, drejt kodrës, në Forest Hills, ku do të varrosej arkivoli i Çekrezit dhe ku bashkë me trupin e tij do të kyçeshin dhe shumë enigma e akuza, që mbetën pa përgjigje edhe sot e kësaj dite. Pak më tej, po në atë varrezë, do të pushonte gjashtë vite më pas edhe Imzot Noli, kalorësi i lodhur i shqiptarizmës, që edhe ai,i pat hedhur ca shigjeta idhnake akuzash, Çekrezit. Nëse të tri mendjet e zgjuara do të kishin bashkëpunuar, sa qenë gjallë, do t’i kishin sjellë shërbime tepër të çmuara Kombit, mirëpo shumë energji, shumë kohë dhe shumë faqe gazetash shpenzuan duke sharë njeri-tjetrin me fjalët “agjent”, spiun, grek, serb,turk, antishqiptar, antikombëtar.

 

KRONIKA PËRCJELLËSE

Kostë Çekrezi, gazetari që e bëri Diellin të përditshëm, ndërroi jetë me 10 Janar 1959. Në faqen e parë të gazetës Diellit, që u botua të mërkurën e 14 janarit 1959, lajmi i vdekjes së tij ishte dhënë shkurtazi, vetëm me pesë rreshta, në fundin e faqes së parë. Në të përcillej lajmi mortor:” Kostë Çekrezi vdiq në Washington.Trupi i tij u suall në Boston, sot më 14 të këtij muaji, dhe u vendos në shtëpinë funerale, Arthur Hasiotis 1654, Washington Street, Boston, Mass.Të enjten trupi i Tij do të vendoset në kryekishën Shën Gjergji. Varrimi bëhet të premten, më 16 janar në orën 2 pasdreke.
Në fakt Trupi i Çekrezit shpëtoi për fije nga djegia. Dhe shpëtimtar ishte një mysliman.Ja si rrodhën ngjarjet:Në kohëvdekjen e tij Çekrezi punonte për gazetën amerikaneThe Washington Star, që botohej në Washington dhe jetonte në Arlington, Virginia. Aso kohe në Arlington banonte dhe Victor(Vexhi) Dobro, I cili ishte bërë mik me Çekrezin. Për vendosjen e trupit të Çekrezit në Shtëpinë mortore në Arlington, ishte interesuar bija e tij e vetme, që ish e martuar, zonja Tovar. Vexhiu lajmëroi në telefon Peshkop Nolin në Boston dhe i sugeroi që trupi i Çekrezit të dërgohej në Boston dhe të varrosej nga Kisha Shqiptare në Forest Hills, ku preheshin dhe vatranë të tjerë, përfshi dhe kundërshtarin e tij, Faik Konica.
Fan S. Noli, sipas Vexhiut, (Dielli 16 Shtator 1985), fillimisht nuk tregoi intersim dhe i tha atij: Pse nuk përpiqesh të më dërgosh njerëz të gjallë, që të më ndihmojnë, po kërkon të më dërgosh të vdekur!
Disa orë pas kësaj bisede telefonike Vexhiu mëson se e bija e Çekrezit po mendonte që ta digjte trupin e të atit. Vexhiut nuk I erdhi mirë dhe u zemrua me idenë së bijës së Çekrezit. I telefonoi sërish Peshkop Nolit dhe I tha prerë: E bija e Çekrezit kërkon të djegë trupin e tij. Unë jam musliman, por di se feja juaj, sikundër feja jonë, nuk e lejojnë djegjen e të vdekurit. Prandaj po ju përsëris mendimin tim që trupi i Çekrezit të dërgohet në Boston dhe ta varrosë Kisha Shqiptare në varrezat e shqiptarëve në atë qytet, ashtu siç ka varrosur më parë Faik Konicën.”
Fan S. Noli e pranoi mendimin dhe i tha Vexhiut që trupi i Çekrezit të dërgohej në Boston.
Madje Imzot Noli i dërgoi edhe një letër z. Victor (Vexhi) Dobro, që në atë kohë jetonte në adresën: 809 N. Wayne Street-Arlington Virginia.
Letra ka përmbajte falenderuse në emrin e Kishës Orthodkse Shiptare të Amerikës.

Në kohëvdekjen e Çekrezit, gazeta Dielli ishte e përjavshme. Në numrin e 21 janarit, Dielli, në faqe të pare përcillte kronikën e varrimit të tij. Nuk mungonin në rreshtat e kronikës edhe vlerësimet pozitive. Edhe Imzot Noli nuk i kishte kursyer lavdet gjatë meshës. Në shkrimin editorial, Qerim Panariti, (që nuk ia pat kursyer sharjet në të gjallë) shkruante se Kostandin Çekrezi ishte një nga patriotët më të dëgjuar të Shqipërisë. Ai vdiq në Arlington, Va, të shtunë me 10 Janar dhe u varros në Boston, të Premte më 16 Janar. Shërbesa e varrimit u bë në kryekishën Shën Gjergji prej Hirësisë së Tij, Kryepeshkopi Fan Stylian Noli, i ndihmuar prej Ikonom At Christ Ellis, Ikonom At Sokrat Sotir prej Worcester, Mass dhe At Vasil George i Kishës Kombëtare në Natick, Mass.
Sipas artikullit të Diellit, mësohet se shkaku i vdekjes ishte një goditje në zemër. Kostë Çekrezi ishte në dhomën e tij në godinën Calrendon Trust Co, Arlington, Va, kur pësoi goditjen në zemër dhe ndërroi jetë në moshën 67 vjeçare.
Çekrezi qe shumë aktiv në Vatër, por më pas ai u bë objekt kritikash nga gazeta e Vatrës”Dielli” për qëndrimet e atij antimonarkiste, anti Konice. Çekrezi ka plot merita për shtypin shqiptar dhe ishte modeli i luftëtarit të shtypit të lirë. Është themelusi i Shoqërisë Shqipëria e Lirë dhe gazetës së saj “Liria”, por shumë shpejt ai do të zhgënjehej edhe nga krijesat e tij, nga që kjo e fundit u bë vegël e regjimit të Tiranës, ashtu siç , Dielli ishte vënë në shërbim të Mbretërisë, në kohën e Faik Konicës.
Gjithësesi në kronikën përcjellëse, shkruhet se pranë arkivolit, në Shtëpinë Funerale, dalloheshin dy kurora; ajo e Vatrës dhe e Shqipërisë së Lirë, mes të cilave qe veprimtaria patriotike dhe publiçistike e Kostë Çekrezit. Në një farë mënyre pajtimi kishte ardhë në atë shtëpi mortore, pas vdekjes.
Çekrezi pati kundërshtar numër një Ministrin e Mbretit në Ëashington, Faik Konicën, por si për ironi të fatit, varret i kishin pranë e pranë.Së paku të pajtoheshin në jetën e përtejme!
Dielli shkruan:”Patrioti i mirënjohur u varros në Forest Hills Cemetery, në një vend të lartë, jo shumë larg varrit të Faik Konicës. Një udhë e vogël i ndanë të dy patriotët.”
Pas varrimit të patriotit Çekrezi, Kryekisha Shën Gjergji shtroi një drekë memoriale për shpirtin e patriotit, në sallën e saj.
Në ceremoninë mortore, peshkop Fan S Noli mbajti një fjalim të shkëlqyer mbi jetën dhe veprën e Kostë Çekrezit.
Çekrezi pati lënë pas një vajzë, që jetonte aso kohe në New York. Ajo quhej Georgia Leila Tovar.

JETA

Kostë Çekrezi pat lindur në fshatin Ziçisht të Devollit në mars 1892. Që në fëmini ra në sy dëshira e tij për shkollim. Studioi në Gjimnazin grek të Korçës, të cilin e përfundoi me rezultate të shkëlqyera. Më 1909 u gradua dhe më pas shkoi në kryeqytetin grek, Athinë, ku kreu studimet universitare. Studioi për drejtësi. Më 1913 e gjejmë përkthyes në Komisionin Ndërkombëtar të Fuqive të Mëdha , i cili qeveriste Shqipërinë, pas dorëheqjes së Ismail Qemalit. Një vit më vonë do të merrte kontakte me Federatën Panshqiptare të Amerikës, e cila qe krijuar 7 muaj para shpalljes së Pavarësisë së shtetit Shqiptar. Federata Vatra e kërkoi Çekrezin për editor të gazetës së saj ”Dielli”. Në atë kohë ai ishte në Brindizi, Itali dhe sapo e mori ftesën iu përgjigj pozitivisht . Mbërriti në Boston dhe nis nga puna për të drejtuar Diellin në nëntor 1914. Ardhja në Amerikë i dha mundësi t’i thellojë njohuritë. Katër vjet pasi mbërritjes në SHBA, arriti që të diplomohej për arte në Universitetin e Harvardit. Në vitin 1923 është profesor në Universitetin e Ëashingtonit.
Jeta e Çekrezit kaloi mes tallazeve; si kundërshar i Monarkisë, ai shpesh herë u gjet majë më majë me pushtetin, i anatemuar dhe i burgosur prej tij. Madje nuk i shpëtoi dhe arrestimit. Në vitin 1928 u gjet fajtor për një lajm të pasaktë dhe u dënua me një vit burg. Ndërhyrja e Mehmet Konicës e shpëtoi. Tre vite më vonë, në atë që u quajt Kryengritja e Vlorës për të rrëzuar Zogun, më 1931, ai u akuzua si organizator kryesor dhe u arrestua. Katër vjet më vonë, për të mos rënë sërish në pranga, ai mundi të arratisej nga Shqipëria në Itali, pasi së bashku me postkomandantin e Fierit, Musa Kranja, ishte organizator i Kryengritjes së Fierit. Kjo kryengritje mori jetën e 11 xhandarëve që u gjetën bashkëpunëtor, të cilët siç njoftonte Dielli u egzekutuan. Numri total i të dënuarëve me vdekje, ishte 41, por një pjesë u falën nga Mbreti. Çekrezi, në të tre rastet mori mbi vete mënitë e Diellit dhe të Vatrës dhe priti shigjetat e Faik Konicës dhe Refat Gurrazezit. Në fillim të viteve ’40 të shekullit të shkuar gjendet në kampet e Francës. Më 1942 kthehet sërish në SHBA për të mos u kthyer më në Atdhe.

 

EDITOR I DIELLIT

Pse dhe si erdhi Çekrezi në SHBA? Siç shkruan ish editori i Diellit, Refat Gurrazezi, Vatra dhe gazeta e saj Dielli, patën probleme pas ikjes të dy themeluesëve në Europë. Madje vetë Federata pat mbetur pa kryetar dhe drejtohej nga sekretari i përgjithshëm. Kuvendi i 20 korrikut të 1913, që pasoi atë të 4 korrikut të të njëjtit vit, zgjodhi kryetar dhe editor të Diellit Kristo Dakon, por ai nuk shkoi mirë me sekretarin Loni Kristo dhe radhitësin e Diellit, Efthim Natsi. Në një mbledhje që thirri kryetari 10 ditë pas Kuvendit, nuk u gjet ilaçi i pajtimit, edhe pse Efthim Natsi pranoi bashkëpunimin, por sekretari L Kristo u hoq nga detyra. Me 24 gusht u mblodh sërish një kuvend, i treti brenda dy muajëve, Kristo Dako dha dorëheqjen, duke lënë bosh vendin e kryetarit të Vatrës, por edhe atë të editorit të Diellit. Kuvendi zgjodhi kryetar të Vatrës Vangjel Gjikën dhe Dennis Kamburin (Kambury) e emëroi editor të Diellit, ndërkohë që Loni Kristo u rikthye në pozicionin e sekretarit të Vatrës. Pas Dennis Kamburit punoi ca kohë si editor Paskal Aleksi dhe Eftim Natsi, i cili,po sipas Gurrazezit, ishte atdhetar i mirë dhe mjaft i zoti për punët e gazetës.

VONESA E NOLIT DHE FTESA PËR ÇEKREZIN

Gjetja e një editori të përshtatshëm për Diellin, ishte një shqetësim në Kuvendet e Vatrës. Kuvendi, që u mblodh më 10 Janar 1914, duke mos gjetur një kandidaturë të përshtatshme për editor të Diellit, vendosi që të përzgjidhte mes këtyre kandidaturave: Faik Konicës, që aso kohe ishte në Durrës, Milo Duçit, që ishte në Vlorë, Aleksandër Xhuvanit, Mithat Frashërit, Simon Shuteriqit, në Elbasan dhe Abdyl Ypit në Vlorë. U shkroi letra secilit prej tyre. Faik Konica nuk u gjend në Durrës, kish ikur pas një përplasje me Esat Toptanin, të tjerët dhanë përgjigje se nuk vinin dot në Amerikë. Pas problemeve me Vangjel Gjikën (i cili dha dorëheqjen) dhe ekipit që shtypte Diellin,Vatra mbeti me Loni Kriston sekretar dhe kryetar të përkohshëm.Pikërisht në atë kohë Vatra mori një letër nga Noli, që kërkonte redaksinë e Diellit, por me disa kushte. Komisioni u mblodhe me 5 gusht 1914 për të diskutuar kushtet, që vinte Noli. U pranuan ato kushtet dhe iu dërgua Ftesë që të vinte menjëherë (Noli atë kohë ishte në Trieste) dhe të merrte drejtimin e Diellit me 80 dollarë në muaj (ky ishte një nga kushtet që kishte vënë Noli, përfshi dhe mosndërhyrjen në punët e Diellit. Mirëpo për çudi Noli nuk po dukej në Boston, u vonua dhe komisioni e pa të arsyeshme që të mblidhej sërish dhe të merrte vendimin që t’i dërgohej telegram tjetër për të mësuar shkakun e vonesës, ndërkohë që Komisioni mori dhe një vendim rezervë për të mos humbur kohë, nëse s’vinte Noli, të ftohej Kostë Çekrezi. Si përfundim, Noli nuk erdhi dhe ftesa iu dërgua Çekrezit. Ai e mori gazetën me 10 nëntor 1914. Ishte vetëm 23 vjeç, ku nisi të drejtojë Diellin, që në atë kohë dilte dy herë në javë. Për më shumë se një vit u zgjidh problem i editorit dhe gazeta Dielli duket se gjeti ustain. Madje ai kërkoi që gazeta hap pas hapi duhej të madhohej dhe të dilte më shpesh. Edhe Refat Gurrazezi, që në kohën kur drejtoi Diellin, nuk la gjë pa shkruar kundër Çekrezit, madje sulmet të ashpra janë të asaj kohe, kur qe editor, 1928-1936, tek vlerëson editorët në shkrimet seriale për Historinë e Vatrës, botuar më së pari në gazetën Dielli, shkruan:” Me anë të Çekrezit u zgjidh problemi i editorit të Diellit. Kostë Çekrezi munt që të kish të metat e tij, si çdo njeri tjetër, por si punëtor i kish shokët e rrallë.”
Edhe studiuesi Idriz Lamaj, një ndër studiuesit e Kostë Çekrezit, në kumtesën e tij me rastin e 100 vjetorit të Gazetës Dielli, i vlerëson maksimalisht aftësitë gazetareske dhe intelektuale të Kostë Çekrezit.Citoj: “ Kostë Çekrezi për gjysëm shekulli bëri shërbime të njohura në lëvizjen patriotike shqiptare në Amerikë… Çekrezi ishte njeri dinamik, i palodhur dhe u përpoq që ta përmirësonte sa më shumë gazetën Dielli.”

 

PËRBALLJA ME FAN S NOLIN

Kostë Çekrezi kërkonte të hynte në zemrën e lëvizjes patriotike të shqiptarëve të Amerikës, jo se Dielli nuk ia jepte këtë mundësi, por ai dëshironte të bëhej faktor udhëheqës, dhe tentoi që të dilte në krye, t’i printe lëvizjes, por dështoi nga që e kishte të vështirë bashkëpunimin. Ai vuri kandidaturën për kryetar të Vatrës përkundrejt kandidaturës së Fan Nolit, i cili kishte mbërritur në Boston në qershor 1915, dhe gjithashtu kishte kërkuar vendin e kryetarit në Kuvendin e 4 korrikut 1915. Në atë kohë Vatra nuk kishte kryetar por drejtohej nga sekretari Loni Kristo. Komisioni e pa të arsyshme që të mos lejoheshin të hynin në Kuvend të dy pretendentët për kryetar, me qëllim që të mos ndikonin tek delegatët dhe i vazhdoi punimet pa ata. Gjithësesi Kuvendi nuk mundi që t’i vërë në udhë punët e Vatrës në Kuvendin e 4 korrikut. Nuk u arrit që të zgjidhej kryetari. Për këtë arsye u thirr një Kuvend tjetër më 17 korrik. Punimet e atij Kuvendi i hapi Hasan Bitincka, ndërkohë që cairman i Kuvendit u zgjodh Dennis Kamburi. Kuvendi i zgjati punimet për dy ditë. Kandidatura e Çekrezit nuk fitoi. Në krye të Federatës Panshqiptare të Amerikës u zgjodh Fan Noli, të cilit i dhanë për zyrtarë: Kristo Kirkën, Kol Rodhen, Hasan Bitnckën, Kostë Çekrezin, që ishte ende editor i Diellit, Kol Tromarën dhe Kostë Rackën.
Pikërisht në javën e parë të nëntorit 1915 u vendos që gazeta Dielli të botohej e përditshme. Mirëpo atë javë përfundonte edhe kontrata e Kostë Çekrezit si editor. Komisoni u mblodh, diskutoi dhe mori vendim që ta shtynte afatin e kontratës deri më 27 nëntor, me arsyen se duhej të paraqiteshin edhe kandidatë të tjerë për editorë. Kur u mblodh komisioni në datën e caktuar, çuditërisht kandidatura e Çekrezit, u rrezua, nuk u pranua për editor me arsyen se “kishte shkelë nyjat e marrëveshjes që kishte bërë me Komisionin e Vatrës.” Nga ky shkak drejtimi i Diellit iu la kryetarit të Vatrës, Fan Noli, i cili pat si ndihmës editor Andon Frashërin. Noli e mbajti detyrën e editorit rreth 7 muaj, deri me 6 korrik 1916.

ZHGËNJIMI

Kostë Çekrezi natyrisht që pësoi një farë zhgënjimi me shmangien që i bënë nga gazeta, të cilën ai e kishte bërë të përditshme. Megjithatë edhe pas këtij zhgënjimi, e vazhdoi aktivitetin e tij në Vatër duke dhënë një kontribut të veçantë, veçanërisht kur Vatra ishte vënë përballë Partisë Politike, të krijuar nga ish kryetari i Vatrës, Kristo Dako. Në Kuvendin e 1 korrikut 1917, i cili vazhdoi punimet për 12 ditë, Kostë Çekrezi qe tepër aktiv dhe sërish e vuri kandidaturën, natyrisht jo për kryetar të Vatrës, por për editor të Diellit. Në sesionin e këtij Kuvendi, kur u votua për editorin, ishin dy kandidatura; Bahri Omari dhe Kostë Çekrezi (në fakt ishte dhe një kandidaturë e tretë, ajo e autorit të tekstit të Hymnit të Vatrës, Refo Çapari, por kjo kandidaturë edhe pse ishte e paraparë të shtrohej në Kuvend, nuk u paraqit me argumentin se Çapari ishte kundër ndikimit të fesë në Vatër, ç’ka do të thoshte t’i hiqje Kishen- gurin e themelit Federatës Vatra). Bahri Omari pati më shumë mbështetje dhe fitoi me 40 vota nga 32 që siguroi Çekrezi. Ky ishte zhgënjimi i tretë për Çekrezin; i pari- humbja përballë Nolit; i dyti-humbja e vendit të editorit pasi e pat bërë Diellin të përditshëm dhe i treti- humbja e përballjes me Omarin. As ky dështim nuk e theu Çekrezin,i cili ishte tepër aktiv edhe në Kuvendin e 7 korrikut 1918. Madje ai ishte autor i telegramit që iu drejtua Dr. Turtullit në Zvicër, për t’iu lutur Mithat Bej Frashërit, që të pranonte ftesën e Vatrës dhe të vinte në SHBA dhe të merrte kryesimin e Federatës. Kuvendi e mori këtë vendim sepse aso kohe përçarja ishte e madhe dhe u mendua se një njeri i kalibrit të Mithat Frashërit, që ishte larg grindjeve dhe përçarjeve të këtushme, doemos do të sillte bashkimin, dhe do të sheshonte përçarjet që ishin sjellë nga Partia Politike e Kristo Dakos, që kish marrë me vete një pjesë të vatranëve.
Madje Vatra në atë Kuvend zgjodhi një Komision për pajtim dhe bashkim me Partinë e Dakos, ku bënte pjesë dhe Çekrezi nga krahu i Vatrës; në këtë komision bënin pjesë: Muke Përmeti, Kol Tromara, Xhafo Poshi, Kostë Çekrezi,Shefqet Frashëri dhe Bahri Omari. Natyrisht që bashkimi nuk u bë dhe përpjekjet shkuan dëm. Po në këtë Kuvend, Kostë Çekrezi u zgjodh editor i Revistës “Adriatik”(The Adriatic Review). Mirëpo pa përfunduar Kuvendi, Kostë Çekrezi u grind me Nolin dhe dha dorëheqjen si editor i revistës ”. Detyrën e editorit e mori vetë Fan Noli, për t’ia dhënë Çekrezit pas një viti. Më pas Vatra e emëroi Kostë Çekrezin delegate në Ëashington dhe më pas u përforcua edhe me Dr. Erickson.
Ka dhe një fakt të regjistruar nga kronikat e kohës dhe që nuk i ka shpëtuar as syrit dhe penës të Refat Gurrazezit: Në manifestimin e madh të Pittsburgh, Pa, Vatra dërgoi Kostë Çekrezin si përfaqësues, ndërkohë që Partia Politike kishte dërguar kryetarin e saj Kristo Dako. Ishin mijëra shqiptarë në atë manifestim-paradë për shpëtim Kombëtar. Pas paradës rreth një mijë vetë ishin futur në një sallë, ku u kërkua nënshkrimi i një Rezolute për të drejtat Kombëtare. Kristo Dako refuzoi që të bashkëpunonte me Kostë Çekrezin e Vatrës dhe nuk deshi ta nënshkruante. Këtë moment, Refat Gurazezi e përshkruan kështu:” Populli u mërzit nga ajo sjellje dhe kërkonte nënshkrimin e Rezolutës nga përfaqësonjësit e të dy organizatave. Ahere u ngrit një vatran, i qojtur Ali Kuçi nga Tomorica e Beratit, një burrë i madh gjashtë këmbë e ca i gjatë, që u vajti pranë atyre dhe u tha:- Jemi mbledhur sot këtu për një qëllim të shenjtë, për të kërkuar të drejtat dhe lirinë Kombëtare të Shqipërisë. Tani, nënshkruajeni Rezolutën se për këtë Flamur ju hodha të dyve jashtë nga penxherja. Të dy kapën penën dhe nënshkruan.”

GAZETARI, PËRKTHYESI, SHKRIMTARI

Çekrezi u shqua si gazetar, ai shkroi edhe për gazetat amerikane dhe bashkëpunoi me agjensi të ndryshme. Përveç kontributit në gazetën Dielli, dha një kontribut të jashtzakonshëm si penë e kalorësit të lirisë së fjalës. Në Shqipëri ai botoi për dy vjet, 1926-1928, gazetën “Telegraf”, e cila pati si oponente të fortë gazetën Dielli, që këndej. Gazeta e tij u mbyll, por ai s’hoqi dorë, në vitin 1930 nisi botimin e të përjavshmes “Ora” e cila gjithashtu u fshikullua nga Dielli, ku ustai i penës Faiku, pa u shfaqur me emër, i vërviste hobe kritikash e akuzash.
Penës dhe mendjes së Çekrezit i përkasin edhe përkthime, fjalor, libra. Kështu që në kohën kur ishte me studime në Harvard ai nisi punën për librin në gjuhën angleze “Albania Past and Present”. Ky libër me 250 faqe u botua në Neë York më 1919. Fragmente të librit u botuan në vitet ’70, pas vdekjes së autorit, në gazetën që ai pat rrit qysh në djep”Liria” të Bostonit.
Çekrezi ka meritën e hartimit të disa teksteve mësimore për shkollat shqipe në Atdhe, të cilat kishin aq shumë nevojë në atë kohë. Ndër tekstet që shkroi Çekrezi përmenden:” Histori e Shqipërisë”, “Histori e Vjetër”, “Histori e Mesjetës”, “Historia e Re e Europës”, Librin e Këndimit etj. Këto libra u botuan në Shtypshkronjën e Vatrës me harxhet e saj dhe u dërguan me mijëra kopje në Shqipëri, falas.
Kostë Çekrezi botoi edhe një Fjalor Anglisht-Shqip, Boston 1923, që do të bëhej objekt kritikash në Dielli. U gjet nga ustai Konica, një fjalë e përkthyer jo saktë nga Çekrezi, dhe në disa shkrime të Diellit, përdorej për ta ironizuar - Veal, që Çekrezi e kishte përkthyer- mish kau dhe jo viçi. Është viti 1923, kur Çekrezi u kthye në Atdhe dhe vazhdoi veprimtarinë e tij botuese e publiçistike. Tre vjet pasi ishte kthyer në Tiranë ai botoi librin e përkthyer “The Perfect Tribute” të amerikanes Mary Andreës. Penës së tij përkthyese i përkasin edhe “Konti i Monte Kristos” të Dymas. Kostë Çekrezi qe zgjedhur në Shqipëri anëtar i Këshillit të Naltë të Shtetit, ndërkohë që pat edhe aktivitet diplomatik në Ëashington. Ai është autor i librit”Plani i tretë i copëtimit të Shqipërisë”, ku shqetësimi i tij për një copëtim të tretë të Shqipërisë nga Greqia, pas rezolutës të senatorit Pepe , duket i egzagjeruar. Ndoshta ishte një përpjekje e tij për të thyer vetminë dhe izolimin.

AKUZAT, ENIGMAT

Mbi Kostë Çekrezin qëndrojnë shumë enigma, të cilave, ai nuk u dha përgjigje të shkoqur sa qe gjallë.
Shpesh herë gazeta Dielli, veçanërisht në kohën që kishte për editor Refat R Gurrazezi, ka qenë shumë e ashpër ndaj Çekrezit. Editori që e bëri Diellin gazetë të përditshme, epitetohet si spiun, si agjent, si antikombëtar, si vrangjelist, si bolshevik, tradhtëar etj. Jo rrallë Dielli përdorte vendin e editorialit për të sulmuar Çekrezin, ç’ka tregon se e vlerësonte, qoftë edhe si kundërshtar. Herë me editorial pa emër, herë me letra nga “nxënësi vatran”, shigjetohet ish editori. Janë më shumë se 30 sulme në Diellin e vitit 1928, dhe afërsisht po kaq në Diellin e vitit 1929. Në vitin 1928, Çekrezi u arrestua dhe u dënua me një vitburg nga gjykata, ndërhyrja e Mehmet Konicës, ish përfaqësues i Vatrës në Londër, i dha lirinë. Por për Diellin, Çekrezi mbeti “agjent” sepse ai formuloi një lajm, qe u konsiderua i pavërtetë dhe qëllimkeq, që sillte destabilitetin e Shqipërisë.Gazeta e tij ”Telegraf” u mbyll.
Në numrat e Diellit të viteve 1930, Çekrezi , që këtë radhë epitetohet me një sharje të marrë hua nga gazeta “Koha” e Mihal Gramenos, “vrangjelisti”, sjell vetëm belara për shtetin shqiptar, siç solli belara për shqiptarët e Amerikës.
Në Diellin e 28 marsit 1930, Çekrezi sulmohet si spiun, thashethemexhi, që ka mashtruar një shkrimtar amerikan i cili shkroi librin” Summer Lightning”, me shpifje të Çekrezit, ku shahej Mbreti i Shqipërisë. Vatra e dërgoi për provë librin për gjyqin politik të Tiranës, ku Çekrezi u dënua për së dyti, këtë herë i akuzuar për ngjarjet e Vlorës, ku ai u konsiderua organizator.
Në numrin e 26 gushtit 1930, në Shënime Editoriale, botohet shkrimi-akuzë ”Një spiun mbi spiunllëkun”, ku i bëhej aktakuza përkëtej Oqeanit Çekrezit, i cili edhe pa këtë aktakuzë e kishte marrë dënimin nga Gjykata shqiptare.
Duke shfletuar numrat e Diellit në vitet 1933-34-35, akuzat kundër”telegrafçiut” nuk pushojnë. Edhe lajmet që lidhen me Çekrezin, Dielli i përcillte, me akuza”Spiuni Kostë Çekrezi është trasferuar nga burgu i përgjithshëm i Tiranës në burgun e Gjirokastrës”.(Dielli, 10 mars 1933).
Artileri të rëndë me gjyle të rënda ka përdorë Dielli veçanërisht pas “kryengritjes së Fierit”, ku Çekrezi dhe zv/komandanti i Xhandarmërisë së Fierit, Kranja, ishin organizatorë.
Po a ishte vërtetë spiun, agjent, Çekrezi? Kjo është pika më delikate, kur trajtohet figura e tij, pa marrë në konsideratë dokumentet, arkivat sekrete.
Studiuesi dhe gazetari Idriz Lamaj, e ka trajtuar këtë anë delikate të Çekrezit, duke evidentuar faktet publike të polemikave të Nolit, Konicës, Kolonjës, Panaritit, Gurrazezit, të cilët e patën vënë në dyshim atdhetarizmin e Kost Çekrezit. Duke shfletuar pjesën më të madhe të polemikave, kam konstatuar se akuzat kanë qenë të përgjithshme, pa fakte, më shumë politike. Konflikti me Nolin nisi, kur të dy punonin bashkë, njeri kryetar e tjetri editor, edhe pse Dielli e banalizon konfliktin se “Noli nuk duronte erën e çorapeve të Çekrezit”. Përveç kësaj Çekrezi e rivalizoi Nolin, duke dashur të bëhet kryetar përballë tij, ç’ka Noli nuk e gëlltiti. Me Konicën konflikti ishte më i thellë; përveçse personal, një garë intelektuale mes tyre, më i ashpër ishte konflikti për qëndrimet politike; Çekrezi liberal, Konica konservator; Çekrezi antimbret; Konica Ministër dhe “avokat” i Mbretit. Madje shpesh Çekrezi e sulmon Konicën, duke e akuzuar se kishte përça Vatrën dhe kishte paksuar numrin e vatranëve. Një konflikt që e detyroi Diellin shumë herë të bënte përgënjeshtrime dhe polemika.
Gjithësesi akuzat kundër Çekrezit më shumë kanë qenë mediatike dhe jo të faktuara. Një konstatim që nuk ka nevojë të diskutohet është antimonarkizmi i Çekrezit, ndoshta kjo ndjenjë e çoi atë në veprime ekstremiste.
Mendimi i studiusit Idriz Lamaj se gjithçka do të ftillohej vetëm me hapjen e arkivave, duket më i drejt për ta ndriçuar anën enigmatike të Çekrezit.

ÇEKREZI NUK ISHTE KOMUNIST, POR…

Akzua që i bëhej Kostë Çekrezit si komunist nuk duket fort e argumentuar. Është e vërtetë se ai ishte monarkist, është i vërtetë edhe mendimi se ai anonte majtas, por mendoj se ishte një i majtë liberal i modelit amerikan. Flet në favor të kësaj teze debati i tij me Mehmet Shehun në kampin e përqëndrimit në Francë në vitet ’40, apo kritikat që i bën ai sistemit komunist. Ndërsa Mehmet Shehu me grupin e vet tresh, mbrojnë lidhjen e Shqipërisë me Moskën dhe bolshevizmin, Çekrezi argumenton idenë se vetëm Amerika, që e shpëtoi në Konferencën e Paqes Shqipërinë, do të ishte një aleate e sigurtë. Në ndihmë të kësaj teze flasin edhe takimet e Çekrezit me të dërguarit e Enver Hoxhës (me dijeninë e Departamentit të Shtetit). Çekrezi harxhoi mjaft kohë që t’u mbushte mendjen diplomatëve komunistë të Tiranës, Tuk Jakovës e Mihal Priftit, që të mos i prishnin marrdhëniet me Washnigtonin dhe t’i njihnin marrveshjet e lidhura nga Mbreti Zog me Amerikën. Çekrezi mund të kritikohet për një farë naiviteti politik në analizën që u bënte zhvillimeve komuniste në Shhqipëri, pasqyruar veçanërisht në librin e tij”Plani i tretë i copëtimit të Shqipërisë” , ku ka vendosur veten e tij në qendër të ngjarjeve, dhe merr përsipër që të përcjell idenë e tij për nëj bashkim gjithëkombëtar, ku përfshinte edhe komunistët e Tiranës, edhe diasporën shqiptare, veçanërisht atë ën Amerikë. Sapo qe botuar libri ato kohë, udhëheqësi historik i Ballit Kombëtar, Abaz Ermenji, që e ka quajtur naivitet të plotë idenë e Çekrezit për një bashkim mes diasporës dhe Tiranës zyrtare të asaj kohe. Duke i bërë oponencë ideve të Çekrezit, Prof. Abaz Ermenji shkruante kështu në gazetën “Flamuri” në edicionin e maj –qershorit 1952” Sikur t'ish i mundur bashkimi dhe bashkëpunimi në vijën e interesavet kombëtare i tërë këtij mozaiku shqiptarësh që merren me "politikë", atëhere përse do të ndodheshin përpara gjendjes së sotëshme ? Dhe prova është që, "Vatra", "Shqipëria e Lirë" e Amerikës, qeveria e Tiranës dhe gjithë të tjerët po qëndrojnë në pozitat e tyre edhe pasi Z. Çekrezi "e çoi kushtrimin e tij".
Pra pasi ishte botuar libri!
Po a ishte kundër interesave Kombëtare siç është akuzuar Kostë Çekrezi? Vështirë të besohet sepse ai kreu aq shërbime kombëtare sa e rrëzon këtë tezë, që është endur gjatë nga gazeta e Vatrës dhe shtypi në shërbim të monarkisë, me të cilën Çekrezi ishte i papajtueshëmsi antizogist.
Studiuesi Idriz Lamaj, në parashtrimin, që u ka bërë akuzave ndaj Çekrezit shkruan se”të injorosh dyshimet e Nolit dhe Konicës ëshët shumë e vështirë, por ai shton se është vështirë ta dënosh atë pa u gjurmuar veprimtaria e tij politike nën rrogoz.Nga ana tjeter, Lamaj, në favor të Çekrezit, ka ka përmendur një letër të 15 qershorit 1943, e cila e kthen peshoren nga Çekrezi. Këtëleter, Çekrezi ia dërgonte ambasadorit britanik në Washington. Ndër të tjera në letër shkruhej”Për të parandaluar një konflikt të armatosur midis palëve kontestuse për ish territoret e ish Jugosllavisë dhe të Greqisë, integruar Shqipërisë nga forcat e Axit, është i domosdoshëm dislokimi sa më parë i forcave aleate. Ato territore duhen mbajtur nën kontrollin ushtarak dhe te adminsitrohen nga forcat aleate derisa të vijë një kohë e përshtatshme për plebisht, sipas paragrafit të dytë të Kartës së Atlantikut. Ai shfaq mendimin që në ato territore si dhe në territorin shqiptar nuk duhet të vërë këmbë asnjë ushtar jugosllav apo grek. Ky citim nuk ka nevojë për koment, ai flet qartazi për orientimin kombëtar të Çekrezit.
BURIMET:
1 “Historia e Federatës Vatra” prej Refat Gurrazezit
2 Koleksioni i Diellit për vitet 1928, 29, 30-36
3 Kostë Çekrezi”Plani i Tretë i copëtimit të Shqipërisë”
4 Idriz Lamaj”Kostë Çekrezi, një ndër editorët e shquar të diellit”, kumtesë me rastin e 100 vjetorit të Diellit, botuar në gazetën Dielli, shtator 2009
5 Th Naqo”Jeta dhe veprimtaria e patriotit Kostë Çekrezi”
6-Gazeta FLAMURI, mars-prill dhe maj-qershor 1952(A Ermenji-Duke lexuar një libër të Kostë Çekrezit
7- Dielli, 16 Shtator 1985
• *Marrë nga Libri në proces-110 VJET HISTORI, DIELLI DHE EDITORET - 1909-2019

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...