1940/Kryetari i mëpasmë i Frontit Nacionalçlirimtar: “Shqipëria po rilind nga fashizmi”

E Enjte, 18 Prill 2019 18:28

Nga Kastriot Dervishi

Kjo puna e “rilindjes së Shqipërisë” është thënë gjatë kohës së fashizmit dhe në fillim të komunizmit. Por sot kam dëshirë të bëj të njohur një artikull që lavdëron fashizmin, Duçen dhe mbretin perandor. Autori Omer Nishani (1887 – 1954) në vitet 1940-1944 ishte anëtar i Këshillit të Shtetit. Në vitet 19401-44 ishte anëtar i Këshillit të Shtetit. U emërua nga mëkëmbësi Jakomoni dhe u shkarkua më 10.1.1944 nga Këshilli i Naltë. Po ashtu në vitet 1943-1945 ishte kryetar i Frontin Nacionalçlirimtar (sepse në vitet 1942-1943 ky front nuk funksionoi fare, madje kryetari ishte oficer i karabinierisë). Në vitet 1944-1946 ishte kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar dhe në vitet 1946-1953 president i Presidiumit të Kuvendit Popullor.

***

Bashkimi i Shqipërisë me Italianë fashiste

Nga Omer Nishani

Dita e sotme shënon një datë historike për Shqipërinë. Si sot një vit, u përmbloth në Tiranë Asambleja Konstituente, e cila vendosi me unanimitet, me një zë, transmetimin e kunorës së Skënderbeut, Mbretit Perandor Viktor Emanueli III. Qysh nga ajo ditë Shqipëria e bashkoi fatin e saj me atë t’Italisë Fashiste dhe shqiptarët vunë në krye një sovran të vërtetë, një Mbret  ndër duart e të cilit kurora e Skënderbeut mban meritën e saj historike. Dita 12 prill 1939 hapi një fazë të re për vendin tonë të  mjerë, i cili pati fatin e zi të qeveriset 15 vjet me radhë prej një grupi parazitësh që s’kishin tjetër qëllim veçse të pasuroheshin në dëm të interesave të popullit e të shtetit. Dëmet  materiale e morale që i bëri vendit regjimi i Ahmet Zogut janë mjaft të freskëta në kujtesën e popullit sa të jetë nevoja t’i përmendim këtu. Por s’mund t’i shkojmë në heshtje vrasjet, burgosjet e vjedhjet sistematike të regjimit të kaluar. Për një kohë të largme, vrasja e Gurakuqit dhe burgosja e Ali Tabakut, i cili vdiq në burg të Tiranës nga druri e nga mizeri, mjafton për të na kujtuar gjakpirësitë e një regjimi katil. Barbarizmat e regjimit në zbulimin e organizatës së Vlorës, në lëvizjen e Fierit dhe të Delvinës, kapërcejnë dhe ato të kohës së mesme. Përveç atyre që u ekzekutuan, shumë nga të burgosurist që rrojnë, kanë në trup pasojat e rrahjes dhe të vuajtjeve në burg. Një djalë i ri nga Cakrani, Jashar Sulo, me të cilin më qëlloi të jem në mbrëmje në “Kursal”, vuan nga një sëmundje e trurit, nga një ilet që e ka trashëguar prej drurit të xhelatëve të regjimit. Tek bisedonim, i gjori djalë ra pa mënd në gjunjët e kushëririt të tij që e kishte afër. Të rënët e djalit sikur iu  pre koka, na habiti e na pikëlloi të gjithëve sa ishin rreth e rrotull. Pas një çerek ore erdhi në vete Jashari, i cili s’mbante mend hiç fare ç’i ngjau. Kështu u bëra dëshmonjësi i helmuar i kësaj pamjeje tragjike e cila është provë e gjallë e barbarimave të regjimit zogolljan. Ky regjim, me grabitjen sistematike që pat vënë në urdhër të ditës, i dha torvën popullit shqiptar. Katundari e shiste gjënë për jo pak paha. Bujku ishte mos më keq. Punëtori punonte si i ziu i jetës, tërë ditën e perëndisë, për tre lekë më pak. Me një fjalë, masat e gjera të popullit vdisnin për bukë, të cilën edhe kur e kishin, e hanin shumë herë pa kripë se monopolistët e pangopur donin dividente të majme. Kështu që trupi i shtetit ishte bërë krejt anemik, kishte mbetur pa gjak, dhe ishte gati të jepte shpirtin. Efektet katastrofike të regjimit çkatërronjës i pamë në fytyrën e zbehtë të popullit kur u këthyem nga mërgimi. Fytyrat e njerëzve ishin nxirë nga uria, robat e tyre vjetëruar e bërë cop’ e çikë. Zia e mizerja dukeshin në fytyrën e popullit të tërë. Pas një mot bashkimi me Italinë Fashiste gjendja ndërroi krejt. Nisi një lëvizje, një gjallëri ekonomike, e cila i dha punë dhe bukë popullit. Katundari dhe bujku, me ngritjen e gjërit të prodhimit, nisi të fitojë, marrë frymë e të ngjallet. Punëtori fiton 10 lekë në ditë dhe kërkohet me qeri. Gjithë kjo lëvizje ekonomike që solli me vehëte dita historike e sotme, qe një hedhje gjaku në damar të një trupi që kish vajtuar në buzë të varrit. Me këtë gjak të ri u ringjall trupi i shtetit shqiptar, nisi të tregojë aktivitet në të gjitha drejtimet. Një erë e nxehtë dinamizmi fryn nga veriu e gjer në jug të Shqipërisë. Për këtë dëshmojnë organizimi i rinisë, veprat publike që bëhen në çdo vend të Shqipërisë. Godina të ndryshme ngrihen, rruga, ura ndërtohen, spitalet shtohen. Ujët e pijshëm që u soll në Tiranë për një muaj e sipër është një provë e shpejtësisë që ndjek në rithmën e punimeve botore sistemi fashist. Me rastin e ditës së sotme, dua të them dhe dy fjalë për regjimin fashist. Ky regjim i përshtatet fare mirë vendit tonë i cili ka mbetur prapa në punë t’organizimit. Kombësia dhe indipendenca mund të mbahet me një organizim të mirë e me një dishiplinë të fortë ashtu siç kërkon doktrina fashiste. Ne kemi nevojë të organizohemi e të dishiplinohemi duke patur për dogmë fashizmën shqiptare që do na forcojë kombësinë brenda në suazën e Perandorisë romake. Vetëm kështu do mund të realizohet, një ditë, dëshira e zemrës sonë: zgjerimi i Shqipërisë në kufijtë etnikë. Regjimi i Zogut qe armik i çdo organizimi, se kishte frikë mos e rrëzonin, kurse regjimi Fashist e organizoi gjithë Shqipërinë. Regjimi zogolljan ishte kundër popullit, kurse regjimi Fashist është për popullin e me popullin. N’atë regjim, nderi dhe ligji shkeleshin, kurse në këtë të sotmin respektohen. Sot gjykatoret janë indipendente dhe gjykatësit i japin vendimet lirisht pa patur frikë nga kurrkush. Nashti me çdukjen e regjimit të Zogut, popullit iu hoq një ankth i tmerrshëm që i rëndonnte në shpirt prej 15 vjetësh. Iu duk sikur shpëtoi nga kthetrat e një kuçedre që i thithëte gjak. Dita 12 prill 1939 i dha fund regjimit të korruptuar të një grup hajdutëve. Gjithashtu i dha fund përgjithëmonë edhe lakmive imperialiste të fqinjëve tanë që vizonin copëtimin e Shqipërisë dhe çfarosjen e racës shqiptare. Prandaj meriton të festohet me madhështi të veçantë. Rroftë Mbreti ynë Perandor Viktor Emanueli III! Rroftë Duçja ynë i Madh.

(Gazeta “Tomori”, 12 prillit 1940)

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...