1985/Kur shqiptarët gatuanin me vajgur në wc, ja sa harxhonin në muaj

Premte, 26 July 2019 10:52

 

Nga Kastriot Dervishi

Socializmi gjasme “ngadhënjimtar”, që drejtontevetëm nëpërmjet mashtrimit publik (propagandës) dhe krimit, i bëri shqiptarit atë që asnjë pushtues nuk e realizoi dot: e shpërfytyroi dhe e detyroi të gatuajë edhe në wc. Pikërisht në vendin modest të caktuar për të kryer nevojat personale sipas varianteve më mizerje të Spiro Kolekës, një kënd i caktuar ishte për gatimin. Gatuesi nuk ulej asnjëherë, por rrinte në këmbë. Kësisoj, gjella e varfër, grosha, apo zierja e një veze, detyrimisht shoqërohej me aromat që vinin nga wc-ja e betontë pak centimetra larg saj. Popullsia e Shqipërisë, duke jetuar në kushte primitive, si mjet kryesor për të zier gjellën përdorte një lloj furnele me vajgur. Këtë të fundit e blinte në treg përmes një radhe sa epike aq edhe heroike. Radha e vajgurit ishte e famshme për paraqitjen e saj. Atje koleksionoheshin lloj-lloj variantesh bidonash dhe një larmi portretesh njerëzore në pritje të ditës së bekuar, kohës kur do vinte vajguri. Njerëzit ishin të zymtë kur prisnin me orë të tëra vajgurin e bekuar dhe dilnin nga dyqani me një lumturi, sot e ngjashme me njerëzit që fitojnë miliona lekë. Vajguri shitej me tollona (të cilat i jepnin këshillat popullorë) se në atë rend tolloni ishte mjeti kryesor për blerje. Por vajguri shërbente edhe për ngrohjen e ujit, ditën magjike të së shtunës, sepse asokohe shqiptari lahej me kursim vetëm një herë në javë. Nëse për arsye të ndryshme, e “digjte” të shtunën, duhet të priste javën tjetër për t’u larë.

Le të shohim sa konsumohej vajguri në Shqipëri. Sipas njoftimit të datës 15.7.1985 të Ministrisë së Ekonomisë Komunale që shoqëron tabelën bashkëlidhur, për 6-mujorin e parë të vitit 1985 nga plani 17.570 ton ishin realizuar 17.131 ton (minues 439 ton) ose 97.5%. D.m.th. brenda një vit, konsumoheshin rreth 35-36 mijë tonë vajgur nga popullsia. Qeveria kishte dhënë porosi për të kursyer 1 mijë ton vajgur në tremujor. Shitja në popull bëhej me tollon nga 12 litra për familje.

Në statistikë jepej muaji qershor 1985. Në shkallë vendi ishin konsumuar 3.160 ton. Rrethet që konsumuan më shumë vajgur në qershor ishin (njësia ton):

-Tirana, 861

-Durrësi, 366

-Shkodra, 242

-Vlora, 241

-Korça, 228

-Fieri, 210

-Elbasani, 207

-Berati, 180

Rrethet që konsumuan më pak vajgur ishin (njësia ton):

-Puka, 10

-Gramshi, 10

-Tropoja, 13

-Kolonja, 13

-Mirdita, 15

-Librazhdi, 22

Modifikuar më Premte, 26 July 2019 11:00
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...