1978/Si e vdiqën shtetasin amerikan, ish nënkryetarin e “Vatrës”

Hënë, 16 December 2019 16:11
Thoma Sotiri dhe procesverbali i vdekjes së tij Thoma Sotiri dhe procesverbali i vdekjes së tij

Nga Kastriot Dervishi

Ishte shtetas amerikan, por me kombësi shqiptare. Erdhi në Shqipëri për herë të dytë, por u arrestua, dënua dhe si pasojë vdiq gjatë vuajtjes së dënimit. Me siguri qeveria komuniste ka përdorur gjithë makinacionet e mundshme duke  gënjyer se gjoja shtetasi amerikan është riatdhesuar. Arsyeja e vetme ishte malli që ai kishte me vete. Duke e parë të vetëm, pa njeri, kanë parë të arsyeshme veprimet që bënë. Shtetasi amerikan quhej Thoma Gaqo Sotiri, lindur në Vithkuq në vitin 1920 dhe banues në Spinglield të SHBA-së. Kish emigruar në vitin 1936 në moshën 16 vjeçare, një vit pasi kishin shkuan atje babai, nëna dhe vëllai. Që këtë kohë ka punuar me Fan Nolin, të cilin e shoqëronte nga kisha në shtëpi. Në vitet 1941-1947 u mobilizua me ushtrinë amerikane. Si veteran i plagosur merrte pension ushtarak. Në vitet 1951- 1953 ishte zgjedhur nënkryetar i organizatës “Vatra”. Kalon me gazetën “Liria”, por qysh kur vdiq Fan Noli nuk kishte lidhje me të. Kishte qenë më parë në Shqipëri në shtator-nëntor 1972. Në SHBA kishte vëllain dhe dy nipat: Thanas Pandi Sotiri (Arthur P.Soter) dhe Dhionis Pandi Sotiri (Deniz P.Soter), të cilët ishin bankierë. Po ashtu kishte edhe motrën në Bridgeport. Thoma Sotiri mbërriti më 13.9.1975 në Rinas, me pasaportën nr.F1556936. Gjatë kontrollit doganor iu mbajtën sende mbi normë si 8 ora dore, shalle mëndafshi dhe çorape grash. Nuk e priti askush në aeroport. I vetëm u vendos në hotel “Dajti” ku foli në telefon me Koçi Lubonjën. U kthye në “Dajti”. Aty fton kamerierët Kiço dhe Jani të pinin nga një birrë në tavernë, duke biseduar gjëra të ndryshme. Ka qëndruar disa ditë në hotel e më pas është nisur në Korçë. Me Koçi Lubonjën njihej në fëmijëri sepse kishte qenë shok me vëllanë e tij Xhafer Cenko (shpallur dëshmor). Koçin e kish gjetur në vitin 1972, gjatë vizitës së parë.

Arrestimi

Vizita e dytë e Thomait nuk zgjati më shumë se një javë. U zgjodh momenti që do shkonte në Korçë, ndërsa u përdorën kallëzimet e kamerierëve dhe muzikantit të hotel “Dajtit”. Kallëzimet janë të datës 17.9.1975 para punëtorit operativ, Mëno Deda. Në thelb janë dy kamerierët nga Leskoviku. Në ballafaqime, i pandehuri pranon biseda të përgjithshme, por mohon ta ketë parë ndonjë herë muzikantin. Bisedat kishin të bënin me shprehje se Abaz Kupi dhe Hasan Dosti ishin figura të mëdha politike, se SHBA kishte të mirë flotën e 6-të, posedonte bombën atomike, etj. Vendimi për fillimin e çështjes penale ndaj Thomait u mor më 20.9.1975 nga hetuesi i MPB-së Vangjel Kote. Të nesërmen Thomai u arrestua në Korçë nga hetuesit Nasho Gjinopulli. Bëhet kontrolli personal dhe i gjenden edhe 935 dollarë dhe disa lekë. Në shtëpinë e xhaxhait të tij Josif Stratit ku banonte në Korçë, hetuesi tjetër Bashkim Asllani ushtroi kontrollin e rrobave e ndër të tjera shënoi: dy valixhe, 7 kanotiere, 12 kravata, 9 çorape, 14 këmisha burrash, syza, krehra, 6 kostume burrash, 20 copë flori të llojit 20 frang, etj. Të nesërmen e arrestimit, hetuesi Nasho Gjinopulli në prani të hetuesit Sali Bundo, i komunikon se akuzohet për agjitacion e propagandë. I pandehuri e mohon akuzën.  “Unë bisedat e sipërme nuk i kam thënë me ndonjë qëllim të keq, por kushedi si m’i kanë marrë Kiço me të tjerët”-thotë në hetuesinë e datës 16.10.1975. I pyetur nga hetuesi, ai thoshte se nuk i mbante mend bisedat ashtu siç i thonin dëshmitarët. Më 8.1.1976, hetuesi Nasho Gjinopulli, me miratimin e prokurorit të Tiranës Isamedin Resnja, miratoi aktakuzën ndaj shtetasit amerikan Thoma Sotiri, i cili akuzohej “për zhvillimin e veprimtarisë armiqësore në formën e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor”. Citohen fjalë që ai kishte thënë: “Amerika është shtet i fortë ushtarakisht dhe me të nuk mund të krahasohet asnjë shtet tjetër. Ju nuk keni se çfarë t’i bëni. Amerika mund ta zhdukë Shqipërinë me një bombë atomike, bile edhe Greqia nuk ju ka juve në llogari. Amerika ka flotë të fuqishme që ju nuk e përballoni dot se jeni shtet i vogël, nuk keni armatim modern...”.

Akuzën në gjyq e pranoi pjesërisht

Ndihmëprokurri Andon Çerepi mbajti një fjalim politik ku spikaste se cilësohej figurë krimi “mburrja e potencialit ushtarak dhe ekonomik të Amerikës”, sepse kjo ishte “propagandë e mprehtë”. Ai foli për 28 mijë dëshmorët, për kongresin e 4-t të Frontit Demokratik, për popullin heroik vietnamez, etj. Me vendimin nr.63, datë 7.2.1976 Gjykata e Rrethit Tiranë, e kryesuar nga Shegush Hakani, ndihmësgjyqtarët Ikbale Karaj e Petrit Buxhaku, e deklaroi fajtor dhe në bazë të nenit 73 të Kodit Penal e dënoi me 5 vjet burgim e konfiskimin e sendeve që kishte pasur me vete, duke i lënë vetëm 4.350 lekë për përdorim vetjak. U la në fuqi nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vendimin n.67, datë 27.2.1976. Thomai vdiq më 24.7.1978 në spitalin e burgut në Tiranë dhe u varros në Tufinë. Ishte caktuar për të varri nr.6.

Login to post comments