Libri, N.Hoxha kundër edhe deklarimeve të bashkëshortit për mbledhjen e Pezës

Diel, 02 February 2020 18:05
Faksimile e fjalës së E.Hoxhës në plenumin e dytë të Beratit, 23-27 nëntor 1944 Faksimile e fjalës së E.Hoxhës në plenumin e dytë të Beratit, 23-27 nëntor 1944

Ajo që quhet Konferenca e Pezës ishte një mbledhje që u shërbeu komunistëve për të propaganduar një front imagjinar, i cili as ekzistoi ndonjëherë. Dy personat kryesore që e mundësuan mbledhjen, përfaqësonin interesa të kundërta. Abaz Kupi përçonte idenë britanike për luftë të të gjitha grupeve kundër fashizmit e nazizmit dhe Miladin Popoviçi që ishte kryetar i PKSH-së që përçonte idenë e Kominternit për fronte të përbashkëta. Sigurisht, Nexhmije Hoxha nuk mund të rrijë pa gënjyer, se gjithë jetën atë profesion ka pasur te propaganda dhe instituti e saj. Ai i jep E.Hoxhës rol kryesor në librin “Përjetime dhe meditime në jetën time politike” dhe nxjerr në plan të dytë kryetarin e PKSH-së, Miladin Popoviçin, të cilin e quan “sehirxhi”. Në fakt ai ishte faktori numër një i saj. Në faqet 42-43, të librit, N.Hoxha shkruan: “Elementë kundërshtarë, antikomunistë dhe të Ballit Kombëtar, i cili u krijua vetëm pas Konferencës së Pezës, ç’nuk shkruan për të diskredituar këtë Konferencë të iniciuar nga PKSH-ja. Madje, janë bërë trillime se gjoja Konferenca u organizua dhe u zhvillua nën diktatin e Miladin Popoviçit e Dushan Mugoshës. E vërteta është ndryshe. Dushani asokohe as që ishte fare në Tiranë e në Pezë dhe s’kishte lidhje fare me organizimin e kësaj mbledhjeje. Ndërsa Miladini, ndodhej në Pezë, por lidhur me Konferencën ai qe vetëm një serihrxhi”.

Dushan Mugosha në kujtimet e shkruara botuar në vitin 1971, shkruan: “E gjithë kjo do të thoshte se duhej koordinuar puna për të gjitha këshillat nacionalçlirimtare në Shqipëri. Këtë gjë e sugjeroi Miladin Popoviçi duke propozuar krijimin e Këshillit Kombëtar Nacionalçlirimtar. Shpejt ai organizoi në kushte shumë të vështira konferencën e parë për krijimin e Këshillit Kombëtar Nacionalçlirimtar, në shtator 1942 në Pezë”.

Ndërsa vetë Enver Hoxha në plenumin e dytë të Beratit, 23-27 nëntor 1944, është tejet i qartë se nuk ka pasur as rol organizatori e asgjë tjetër. Madje as ka qenë në Pezë në ditët e organizimit. Ai thotë: “Do të flas si u paraqit para meje konferenca e Pezës. Edhe kjo është karakteristikë e punës së “Aliut” (Miladin Popoviçi-shënim). Unë isha në Tiranë. Ai ishte në Pezë. Nuk kishim folur më përpara. Mora një letër, një pusullë ku më thoshte që të lajmëroja filanin e filanin se do të bënim konferencë. Kur shkova në Pezë qenë përgatitur referatet dhe i gjeta këta shokë që po grindeshin, po haheshin për një çështje me rëndësi që s’e mbaj mend: ta vëmë këtë apo të mos ta vëmë. Pas një dite dolëm në konferencë për të mbrojtur platformën tonë të lëvizjes nacionalçlirimtare. Kështu konferenca e Pezës ka qenë sa për të lexuar një referat dhe një trakt, pastaj ikëm... Të gjithë ata që u thirrën në konferencë s’kishin një ide të qartë se ç’ngjiste, ata i thirrën me pusulla sikur do vinin në ndonjë dasmë. Shumë prej tyre nuk erdhën, disa dërguan njerëz për të marrë vesh se ç’po ngjiste, disa si spektatorë”.

Login to post comments