Vrasja e parë në kufi e vitit 1990, dëshmitë e ushtarëve

E mërkurë, 05 February 2020 16:59

Nga Kastriot Dervishi

 

Fletën e parë të vrasjeve në kufi të vitit 1990, e çel ngjarja e hidhur e ndodhur në Kolonjë, në postën e Rehovës, aq e përfolur për pjesëmarrje në këto krime. Sipas komunikatës nr.28, datë 3.2.1990 të MPB-së, më 2.2.1990, rreth orës 24.00 njësiti i shërbimit i postës kufitare Rehovë, në rajonin e piramidës 6, kuadrati 6776, “ra në përpjekje” (e pavërtetë në fakt) me 3 shkelës të kufirit nga brenda jashtë. Si rezultat i zjarrit të njësitit mbeti i vrarë Ilirian Ismail Zari, vjeç 30. I spiunuar nga një fshatar i zonës, në orën 5.00 të datës 3.2.1990, u kap Agim Ismail Zari, vëllai i Ilirit. Vazhdonte kërkimi për kapjen e të tretit Ylli Qemal Keti, me origjinë nga Kolonja, banues në Tiranë, martuar me motrën e dy vëllezërve Zari, i cili nuk rezulton i diktuar dhe arrestuar. Kufoma e Ilirit u varros në mënyrë të fshehtë në fshatin Mësiçkë në mes të një pylli. Ajo u zhvarros nga të afërmit më 3.9.1991. Në lidhje me këtë ngjarje kanë dëshmuar edhe ushtarët. Gjuha e tyre që duket në shprehjen "ku do të vini o maskarej", është tipike e një urrejtjeje të verbër e të pakuptimtë. Një pjesë, paraqitet më poshtë.

***

Dëshmia e ushtar Albanit, i lindur më 17.5.1970 në Laç, me 10 klasë shkollë:

“Te vendi i shërbimit u vendosëm rreth orës 18.30. Rreth orës 24.00, unë pashë 3 vetë të cilët vinin për të kaluar kufirin në Greqi. Kur ata ishin afruar rreth 50 metra, unë i dhashë sinjal përgjegjësit të njësitit për kalim kufiri. Astriti i pa ata dhe doli lart për të bllokuar vijën e kufirit. Kur ai kaloi për të bllokuar vijën e kufirit, unë u ula pak më poshtë. Në këtë kohë, Astriti bëri ndaljen e tyre. Ai që ishte i pari tha “mos qëlloni se jemi edhe ne të armatosur”, kurse dy të tjerët që ishin pas tij u larguan pak nga ai duke u postuar anash tij. Në këtë kohë desh të largohej edhe ai që ishte i pari. Në këtë moment neve të dy qëlluam në drejtim të tij. Me qenë se e goditëm, ai u rrëzua dhe tha: “O më vratë”. Sa dëgjuan krismën e automatikëve tanë, ata të dy u larguan me vrap poshtë. Astriti i ndoqi ata. Unë pashë personin që kishim qëlluar, i cili kishte vdekur. Pasi u sigurova që kishte vdekur, kalova në bllokim të kufirit, të mos kalonin ata të dy. Unë di të them se ai që vramë ishte i pari dhe dy të tjerët, ishin pas tij, rreth 3 – 4 metra larg njëri – tjetrit. Pas pak erdhi njësiti tjetër për ndihmë”.

Dëshmia e ushtar Astriti, lindur 4.2.1969 në Ballsh, me arsim 8 vjeçar:

“Në ora 18.30 vajtëm te vendi i cili ishte në afërsi të vijës së kufirit dhe u vendosëm në vendin e shërbimit. Unë isha përgjegjësi i njësitit. Unë organizova shërbimin sipas rregullores që ma kishte dhënë komandanti i postës. Në ora 24.00 anëtari i njësitit Albani kishte parë 3 persona të cilët po tentonin për të kaluar kufirin. Ai më sinjalizoi mua sipas sinjaleve që kemi. Unë sapo mora sinjalin nga ai, pashë 3 persona që ishin duke kaluar nga brenda – jashtë shtetit për në Greqi. U ngrita, dola me kujdes nga lart për t’u bllokuar rrugën që to mos kalonin kufirin. Duke kaluar nga sipër, shkava në akull dhe u rrëzova. Kur u rrëzova doli krehri i automatikut. Menjëherë vendosa krehrin tjetër dhe bëra ndaljen. U thashë: “Ndal mos lëvizni, jeni të rrethuar”. U bëra thirrje shokëve që t’i kapnin. Kur unë u bëra ndaljen, njëri prej tyre që ishte më afër meje tha: “Mos ushtar se jemi me armë”. Ai desh të largohej poshtë. Unë i thash përsëri: “Mos lëviz se të vrava”. Ai u nis për të ikur poshtë dhe u tha shokëve të tij: “Hë juve çfarë bëni me armë”. Në këtë kohë unë i thashë edhe anëtarit të njësitit Albanit, “zjarr” dhe vetë qëllova në drejtim të tij. Neve e goditëm dhe ai u rrëzua duke thënë: “O ushtar, më vrave”. Sa u rrëzua ai përtokë, dy të tjerët ikën në drejtim të fshatit Starje. Unë i thashë Albanit “dil shpejt nga lart që të mos kalojë kufirin” dhe në të njëjtën kohë u thashë atyre “ndalni, ku do të vini o maskarenj” dhe i ndoqa duke i qëlluar me automatik me breshëri. Unë i ndoqa rreth 1 mijë letra poshtë megjithëse ata ikën me vrap dhe unë nuk i shikoja dot. Dua të shtoj se kur i pashë unë, ata të tre ishin njëri pas tjetrit. I pari ishte ai që vramë. Mua mu dukën të gjatë që të tre. Te vendi që u rrëzua ai që vramë, unë lashë krehrin e prishur me fishkë. Mbasi i ndoqa ata, siç thashë më lart, u ktheva te banditit i vrarë dhe pashë se kishte vdekur”.

Login to post comments