1945/Gjenocidi mbi malësinë, vrasje pa gjyq e djegie shtëpish nga “nacionalçlirimtarët”

Saturday, 15 February 2020 18:10

Nga Kastriot Dervishi

Popullsia e Malësisë së Madhe nuk e pranoi pushtetin projugosllav të Enver Hoxhës. Të ashtuquajturit “nacionalçlirimtarë” po sillnin “lirinë” nëpërmjet vrasjeve, djegie të shtëpive dhe vjedhjeve të shtëpive. Kjo ishte liria sipas konceptit të tyre. Ndaj popullsisë vendase, organizohej kësisoj një “operacion” sikur ata të ishin ndonjë fuqi pushtuese.

Nisur nga humbjet që pësuar në aventurën e tyre terroriste, komunistët organizuan dy operacione. Humbjet në Tamarë i bënë komunistët të mbledhin mendjen se euforia e tyre i kishte çuar në përfundime jo të mira. Në këtë mënyrë ndaj popullsisë civile u ndërmorën dy aksione në gati një muaj.

Operacionet u zhvilluan sipas këtyre datave:

1-Më 14 – 31 janar 1945

2-Më 1 – 16 shkurt 1945

Operacioni i parë përfundoi me humbjet e komunistëve dhe sprapsjen e tyre.

Operacioni mbi veriun e vendit kishte karakter thellësisht antikombëtar. Disa banditë e njerëz pa vlerë, kryesisht kontingjente të botës së krimit, shkonin në operacione me këtë këngë:

 “Luaje, luaje goce këmbënë

T’ia q...gegës mëmën”

Historia zyrtare e Sigurimit, ka përcaktuar se operacioni që po zhvillohej ishte me qëllim “spastrimi”. Në bazë të këtij aksioni u “përshkruan gjithë fshatrat e zonës së veriut duke asgjësuar çdo qëndresë, u kapën pikat strategjike që dominonin në krahinë dhe u bë mobilizimi”. Historiku vijon me fjalët “kudo që shkonin forcat partizane riorganizonin dhe rrjetën informative, duke u bazuar dhe në fshatarët që nuk implikoheshin rëndë me reaksionin...”. Qëllimi i operacionit ishte “asgjësimi i plotë reaksionit”, duke përdorur manovrën rrethuese.

Më 26 janar 1945 në Shkodër mbërrin Mehmet Shehu. Ky urdhëroi menjëherë që terrori të niste nga Shkodra. Duke njohur rëndësinë dhe natyrën e papërkulur të qytetit, Shehu mendoi ta niste këtu represionin e madh. Për këtë arsye një operacion i quajtur “bllokues” është zhvilluar në Shkodër midis datave 29 janar deri më 2 shkurt 1945, duke arrestuar 168 persona nga 240 që përbënte lista. Brigadat komuniste e rrethuan qytetin në atë gjendje saqë as lufta nuk e kishte parë ndonjëherë. Ky operacion përveçse ka krijuar një klimë terrori ka sjellë pasojën e një numri të madh personash të paraburgosur, të cilat ishin të larmishëm sipas gjendjes shoqërore. Ishin nëpunës, tregtarë, pronarë, punëtorë, studentë, por edhe bujq, analfabetë, etj. Me mbarimin e arrestimeve në Shkodër, niste puna për nënshtrimin e malësisë. Mehmet Shehu i shkruante Enver Hoxhës se Ferit Radovicka me tre batalione do marshonte nga Jugosllavia e do dilte në Vermosh për të goditur “armikun” pas shpine nga veriu. Ndreko Rino me dy batalione do sulmonte në drejtimin Bogë – Okël për të dhënë goditjen nga lindja. Ndërsa Abaz Fejzo me katër batalione do sulmonte nga Broja. Operacioni do zhvillohej në trekëndëshin Bunë – Drin – Shëngjin.

Qëndresa e popullit të Malësisë mori fund ditën e arrestimit të Prek Calit. Ky i fundit ishte në fortesën e fundit në shpellën e Vulkit së bashku me disa burra të tjerë. Qëndroi në këtë shpellë në kushte të vështira për 7 ditë. Partizanët nuk e mundën dot Prek Calin pavarësisht se kishin forca të shumta ushtarake. Cali pranoi të dalë nga shpella në “besë” të Abaz Fejzos, i cili tregoi shpejt atë duke e çuar te komandanti i operacionit Mehmet Shehu. Preng Cali nuk mund të mos ia thoshte Shehut se komunistët ishin bërë aleatë me serbët.

Një raport tjetër harton Zoi Themeli për “operacionet e zhvilluara në zonën e Kelmendit” më 27.2.1945. Për ironi flitet për “humbje armike” të cilët nuk janë gjë tjetër veçse shqiptarë. Ky raport i gjithë kundër popullit shoqërohet me përshëndetjen tashmë të njohur jugosllave “vdekje fashizmit – liri popullit”. E sipas kësaj logjike këto “humbje armike” ishin: 44 të vrarë e 21 të plagosur. Nga të vrarët 13 ishin vrarë në përpjekje me forcat komuniste, ndërsa të tjerët ishin vrarë pa luftime. Për katundet Selc, Vukël dhe Niksh listohen emrat e 17 të vrarëve (të tjerët nuk njihen me emra), ndërsa thuhej me siguri se numri i të vrarëve duhet të ketë shkuar rreth 50. Krimet e komunistëve nuk kishin kursyer as të plagosurit, të cilët i kishin vrarë sapo i kishin parë. Vrasjet pa gjyq dhe terrori kishin qenë veprimet më normale për komunistët. Në mënyrë konspirative ishin vrarë Luc Gjoni (Bajraktari) dhe Dod Gjoni “bashkëpunëtorë të Preng Calit”. Luc Gjoni ishte vrarë si organizator i kryengritësve. Vini re këto rreshta të raportit dhe bënin vetë krahasimin: Këtij (Luc Gjonit) i pushkatuam edhe të birin...Ky u pushkatua përmbi kufomat e partizanëve..”. po ashtu raporti krenohej për arrestimin e një personi të tretë i cili kishte “luftuar kundër malazezëve”.

Në rubrikën “masa të marra” renditen krime ekonomike e sociale, si djegia e shtëpive, gjithsej 34 në Vermosh, Nikël, Vukël e Rahovicë. Familjeve në fjalë u ishin konfiskuar pasuritë si: 80 kokë lopë, 315 dhen, 35 barrë bereqet. Ushtria “çlirimtare” hëngri aty 225 krerë bagëti. 19 familje ishin internuar.

Brigada e 2-të e DMP kishte rekrutuar me forcë 80 ushtarë, ndërsa ishin dërguar gjyqit pjesa tjetër si “bashkëpunëtorë të Prek Calit”.

Login to post comments