Nga Kastriot Dervishi
Regjenti i Prefekturës së Durrësit, Jup Kazazi, i dërgon një raport Zyrës Politike dhe të Personelit (shërbimi sekret i kohës) të Ministrisë së Punëve të Brendshme në lidhje me ngjarjet në zonën e Pezës. Vlerësimi i situatës nga autoritetet e kohës si dhe dyshimet e tyre, shpalosen në këtë raport. Edhe në informacione të tjera ngjarjet e marsit 1941, nuk japin përshtypjen për ndonjë qëndresë antifashiste.
***
Ekstrakt nga raporti i datës 26.3.1941 i regjentit Jup Kazazi për MPB-në
Para datës së ngjarjes që kemi pas nderin të lajmërojmë atë ministri dhe pikërisht në datën 3 të këtij muaji, të quajturit Mesrin Merepeza nga katundi Pezë e Vogël, Abdulla Zenel Meta nga katundi Pezë Helmës si dhe Zyber Veli Kryeziu nga katundi Kryezi i rrethit të Nënprefekturës së Kavajës, kanë pas plagosë me sëpatë të quajturit Jonuz Hasan Meta..., prandaj në momentin e parë është kujtuar se prerja e telit dhe qëllesa kundra automobilit të Conte Campello të ishte bërë prej të përmendurve. Mirëpo, pas dy orësh, dy nga guximtarët, d.m.th. Mesrin Merepeza dhe Abdulla Zenel Meta, u kapën në shtëpinë e një djaloshi 16-vjeçar pa armë.
Për arsye se plagosja ishte bërë me sëpatë dhe se guximtarët e saj u gjetën pa armë, dyshimi u hoq prej tyre dhe supozohet që ngjarjet ta kishin kryer Myslim e Shyqyri Peza me njerëz të tjerë kriminelë e ushtarakë të dezertuar që mbanin në shtëpinë e tyre ose prej kundërshtarëve të vëllezërve Peza me qëllim që të shtypin Karabinierinë të merrte masa kundër tyre mbasi ata ishin për çështje gjakmarrje.
Kjo prefekturë nuk kujton që prerjen e telit të telefonit dhe shtimjen kundër automobilit ta kenë bërë vëllezërit Peza me shokë, për arsye se këto ishin lënë të qetë nga autoritetet dhe kundra tyre nuk bëheshin ndjekjet e zakonshme. Pra për këtë shkak, s’kishin si t’i përgatisnin vetes së tyre atë ç’ka ju ngjau në mbrëmjen e datës 7 të këtij muaji.
Shtojmë se supozimi që ngjarja të jetë bërë nga ana e hasmëve të vëllezërve Peza për të shtyrë autoritetet e sigurimit publik që të merrnin masa kundra tyre është mjaft i përhapur edhe në opinionin publik të qarqeve përkatëse.