Mjeku rrëfen për epidemitë para viteve ’90: Shëndetësia ra në kolaps, nuk merrnim dot ilaçe nga jashtë.

Saturday, 02 May 2020 09:34

Profesor Sami Zeka i përket brezit të epidemiologëve të paktë që kishte vendi ynë në vitet ’50 dhe ka qenë pjesë e ekipeve mjekësore, që kanë monitoruar të gjitha epidemitë para viteve ’90.

Megjithëse në moshë të thyer, me 90 vite mbi supe, kujton me detaje të gjitha operacionet kundër pandemive gripale apo virozave epidemike, siç quhen ndryshe. Ndër to, profesor Zeka veçon operacionin kundër gripit aziatik të viteve ’57-’58 dhe atë të Hong Kongut të fundviteve ’60, të cilat, sipas tij, kishin shenja të përafërta klinike me COVID-19, që ka pllakosur botën muajt e fundit. Gripin aziatik e ka përjetuar kur kryente studimet në ishBashkimin Sovjetik dhe atë të Hong Kongut, kur kryente detyrën e mjekut në Shkollën Ushtarake “Skënderbej”, i porsakthyer nga specializimi në Kinë. Jo rastësisht, thotë epidemiologu veteran, të dyja këto pandemi vinin nga Kina, madje, siç kujton ai, kur studionte ne Shën Petërburg, ka dëgjuar nga profesorët aty se Kina ishte çerdhja e të gjitha epidemive dhe pandemive të rrezikshme. Duke folur për situatën aktuale, profesori i Epidemiologjisë e vlerëson të shkëlqyer mënyrën e menaxhimit të përballjes me koronavirusin nga kolegët e tij dhe i shikon të arsyeshme dhe dobiprurëse masat shtrënguese që kanë marrë autoritetet.

Sami Zeka gjatë punës
Zoti Sami, ju jeni një nga mjekët epidemiologë më të vjetër. Si e vlerësoni pandeminë COVID-19, virusi që ka pushtuar mbarë globin?

Pa dyshim që është një goditje e papritur jo vetëm për njerëzit e thjeshtë, por edhe për bluzat e bardha. Ajo ka ngritur në këmbë mjekët dhe shkencëtarët e botës, që për ditë e më shumë hedhin dritë mbi shkaqet dhe kushtet që favorizojnë përhapjen dhe ecurinë e kësaj epidemie agresive, e cila përbën një rrezik eminent për njerëzimin. Ka një përballje globale të padëgjuar më parë, që ende nuk po e vë totalisht në kontroll këtë sëmundje vrastare. Bota, ndoshta për herë të parë, është mbyllur e gjitha. Shtetet, superfuqitë që jemi mësuar t’i shikojmë gjithnjë të tilla, janë gjunjëzuar. Janë kapur të papërgatitura nga ajo që e quajnë një armik të padukshëm. Ndoshta, ky moment do të shërbejë edhe si një reflektim, reflektim për shtetet që të kthejnë sytë nga epidemitë. Ky është rasti i duhur që shtetet të fuqizojnë sistemet e shëndetësisë, pasi, ashtu si është thënë, përballja me këtë virus do të vijojë gjatë. Korpusi i atyre që luftojnë në vijë të parë ndeshet dita-ditës me vështirësi e të panjohura të ndryshme. Duke mos pasur modele të epidemive kovidiane, sepse kjo po shfaqet për herë të parë, ata me të drejtë marrin si model pandemitë e gripit epidemik, i cilësuar si i tillë për t’u diferencuar nga virozat e tjera të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, siç janë rinoviruset dhe shumë viroza të tjera. Kam bindjen se me përpjekjet që po bëhen, shumë shpejt do të realizohet vaksina dhe mjekimi permanent, e kështu kovidi i mallkuar do mbetet një kujtim i dhimbshëm i së shkuarës. Ashtu siç ekspertët kanë thënë, vaksina është e vetmja zgjidhje.

Foto nga gripi aziatik, 1957-1958
Ju keni operuar kundër pandemive gripale, gripit epidemik siç quhet ndryshe qysh në vitet ’50, cilat do të vlerësonit ndër to më të rrezikshmet dhe me pasojat më të rënda?

Këto lloj pandemish, nga mënyra si janë shfaqur, kanë pasur pak a shumë një ritmikë të rregullt: një në çdo dhjetë vite. Pandemia e parë pas Luftës së Dytë Botërore është shfaqur në vitet 1947-1948. Asokohe kam qenë skënderbegas dhe e mbaj mend mirë, pasi e kalova dhe vetë me një temperaturë të lartë. Ishte si një flamë e vërtetë. Nga simptomat që dëgjoj ditët e sotme rreth COVID-19, mund të them që ishin të ngjashme. Edhe atë herë ishin të rënda problemet me frymëmarrjen dhe njerëzit që vuanin nga patologji të tjera ishin viktimë të këtij gripi. Më kujtohet që një nga shokët e klasës vdiq dhe një tjetër humbi përjetë dëgjimin. Me sa kam dëgjuar, ka pasur jo pak viktima nga ajo epidemi. Duhet thënë që në ato vite edhe sistemi i shëndetësisë nuk ishte kaq i zhvilluar sa sot. Ndërkaq, pandemia tjetër e gripit ndodhi plotë dhjetë vite më vonë, nga viti 1957-1958. Edhe ai ishte një grip i rrezikshëm, me një përhapje shumë të madhe, që duhet thënë tronditi gjithë botën.zeka2

Ishte ky gripi i Hong Kongut…

Jo, gripi i Hong Kongut u shfaq më vonë. Gripi i viteve ’57-’58 hyri në arkivat e kohës si gripi aziatik. Në atë periudhë studioja në Sakultetin e Mjekësisë në ish-Bashkimin Sovjetik dhe përmes leksioneve dhe informacioneve të ndryshme mësuam se epidemia u shtri në gjithë rruzullin tokësor. Ajo ishte shfaqur më parë në Kinë dhe Azi, prandaj dhe u quajt gripi aziatik. U fol atëherë se mbartësit e virusit ishin shpendët e egra shtegtare që uleshin nga zonat polare në vjeshtë për të mbërritur në zona më të ngrohta në jug. Prej tyre e morën të parët gjahtarët, pastaj në një kohë shumë të shkurtër virusi shpërtheu në gjithë globin. Me sa na tregonin në fakultet, sëmundja ishte shumë e rrezikshme dhe me vdekshmëri të lartë… Pra, duket se ka një ngjashmëri edhe me situatën e sotme. Ashtu si e mbarë bota po flet, koronavirusi erdhi po nga Kina, po nga shpendët, pra, edhe koronavirusi është një grip aziatik, një pandemi e mëparshme, që globi e ka njohur, por që memoria njerëzore nuk mund ta kujtoj dot, pasi kanë kaluar breza, mjekësia ka përparuar dhe do të duhet që bota të futej në një izolim, që njerëzit t’u ktheheshin edhe t’u riktheheshin edhe një herë historive të sëmundjeve që kanë prekur gjithë rruzullin tokësor.

Pati karantinim në përballimin e asaj pandemie?

Gripi i viteve ’57-’58 ishte një pandemi. Unë atëherë isha në BS, në Shën Petërburg dhe më kujtohet se u izoluam me urdhër për rreth tri-katër javë brenda konvikteve të fakultetit. Në mënyrë të prerë nuk na lejonte njeri të dilnim nga dhoma. Po kështu, me sa dëgjonim, ishte izoluar dhe qyteti. Për ditë të tëra, ai ngjate si diçka e pajetë. Pati jo pak viktima. Më kujtohet si shumë nga profesorët tanë, kur flisnin për këtë fatkeqësi të rëndë, e vinin gishtin te Kina. Kina, Kina, thoshin, na i bëri këtë të keqe. Sakaq, ata më të vjetrit tregonin se prej andej kishin ardhur dhe më parë epidemi të tilla që kishin shkaktuar shumë vdekje… Pata rastin më vonë të shkoja me studime në Kinë ku u specializova si mjek epidemiolog dhe mësova shumë të vërteta nga pohimet nën zë të profesorëve sovjetikë, të cilët e quanin atë si folenë e epidemive…

Në Kinë e keni përjetuar gripin e Hong Kongut?

Gripin e Hong Kongut e kam përjetuar në Shqipëri, tashmë mjek në Shkollën Ushtarake Skënderbej. Rastet e para u regjistruan në Hong Kong, prandaj dhe mori këtë emër dhe shumë shpejt shpërtheu epidemia që pas dy-tre muajsh mori formën e pandemisë. Veçoria e kësaj pandemie ishte se pati dy valë. Vala e parë në vitin 1969- 1970 dhe vala e dytë 1971- 1972. Pra, ishte pandemia që deri në atë periudhë kishte zgjatur më shumë në kohë. Nga sa është bërë e ditur, në vendin tonë pati gati 300 të vdekur…

Ku shërbenit në atë periudhë dhe a ju kujtohet mënyra si u menaxhua situata kundër kësaj pandemie?

Në atë kohë isha mjek në Shkollën Skënderbej. Shpërthimi i gripit të Hong Kongut aty u shfaq qysh në fillimet e epidemisë në vend. Në infermierinë e shkollës, brenda një dite, u shtruan gjashtë a shtatë skënderbegas me temperaturë shumë të lartë. Të nesërmen u dhjetëfishua numri i tyre, deri sa erdhi një moment që në infermieri nuk kishte më vende. Pas trikatër ditësh, epidemia mori trajtë të plotë dhe gati gjysma e nxënësve qëndronin të shtrirë në fjetore. Situata u shndërrua në kaos. U desh të kalonin katër javë që gjysma e nxënësve ta kalonte infeksionin dhe të niste mësimi normalisht.

Nuk kishte rrezik që të infektohej edhe gjysma tjetër?

Çuditërisht nuk ndodhi, sepse pati një veçanti si u shfaq ky virus në atë komunitet. Ndërkohë që skënderbegasit e vitit të parë dhe të dytë e kaluan shumë rëndë, ata të viteve të treta dhe të katërta që natyrisht ishin më të rritur, pothuajse nuk e ndjenë fare, shumica madje e kaloi në këmbë. Ndodhi kësisoj, siç konkluduam më vonë, pasi ata të viteve të para binin në kontakt me virusin për herë të parë, ndërkohë që ata të viteve të treta dhe të katërta kishin pasur kontakt me të në epideminë e dhjetorit të ’69 dhe të janarit ’70 dhe kishin krijuar imunitet. Pra, ne dolëm në përfundimin që teksa bie në kontakt për herë të dytë me virusin, mund ta kaloje atë edhe pa simptoma. Gjithmonë, nëse virusi të kapte, pasi me gjasa nxënësit e viteve të fundit nuk i kapi për shkak të imuniteti të fituar.

Po jashtë shkolle, si u përjetua kjo pandemi, në gjithë Shqipërinë?

Situata ishte e njëjtë. Masat u morën menjëherë, megjithatë numri i të prekurve u rrit në mënyrë të menjëhershme. Edhe në atë kohë bëhej thirrje për distancim fizik, natyrisht që me një tjetër term. Lëvizjet u kufizuan dhe sistemi i shëndetësisë pati një kolaps, edhe pse nuk u pasqyrua kurrë në publik, natyrisht për shkak të sistemit diktatorial. Medikamentet e reja që po eksperimentoheshin jashtë, në Shqipëri nuk ishin, dhe situata u përballua me prodhimin e vendit. Natyrisht që pati viktima dhe vështirësi, sidomos në muajin e parë të shfaqjes.

Profesor Samiu, si e vlerësoni mënyrën si po menaxhohet situata epidemike nga autoritetet shtetërore dhe veçmas nga ato të shëndetësisë?

Unë them me plot gojën se operacionet kanë qenë dhe janë shumë të efektshme dhe profesionale. Ajo që bie në sy është sjellja dhe reagimi perfekt i specialistëve të mjekësisë. Me aq sa gjykoj nga jashtë, mund të pohoj se tashmë jemi duke e gjunjëzuar koronën, por përsëri është shumë shpejt për të thënë se gjithçka ka marrë fund. Duhet dëgjuar çast pas çasti zëri i atyre që luftojnë në vijën e parë. Ata janë kompetentë dhe të aftë më së miri për të vendosur për gjithçka. Kam një vlerësim të shkëlqyer për kontributin e tyre. Kjo përvoja e fundit ka rikthyer pak a shumë në vendin që meriton edhe figurën e bluzave të bardha, aq të përfolura këto 30 vitet e fundit…

Dhe së fundmi, profesor, ndonjë mesazh të veçantë…

Mesazhi im do të ishte për më shumë kujdes ndaj epidemive dhe sëmundjeve infektive. Në kohën që jetojmë, në këta tre katër dhjetëvjeçarët e fundit, gripi është prezent, madje i rrezikshëm, por me një ecuri në gjendje epidemike, çka do të thotë që të gjitha llojet e virozave gripale qarkullojnë në të gjitha vendet njëkohësisht me raste pas rasteve, me vatra e shpërthime epidemike në vende të veçanta ose në disa vende njëherazi, pa arritur në nivele pandemike. Këto ndodhin pa dyshim atje ku imuniteti i grupit është me nivele të ulëta. Nga aq sa e ndjek situatën epidemiologjike, tashmë nuk flitet për epidemi të gripit, por për frekuencë të lartë të sëmundjeve të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes të shoqëruara me temperaturë të lartë dhe shenja të tjera klinike. Është koha të përmirësojmë sistemin dhe mbi të gjitha të vlerësojmë më shumë rolin e specialistëve të fushës, për të cilët kujtohemi vetëm në raste epidemish.

KUSH ËSHTË PROFESOR SAMI ZEKA

Sami Zeka, epidemiologu veteran, ka një karrierë të pasur profesionale dhe shkencore. Ka mbaruar shkollën e mesme për Mjekësi dhe në vijim ka studiuar në Fakultetin e Mjekësisë, në ish-Bashkimin Sovjetik. Ka kryer specializimin për Epidemiologji në Kinë dhe ka shërbyer për shumë vite në strukturat e shëndetësisë të Forcave të Armatosura. Për dhjetë vite me radhë, ka drejtuar sektorin e Higjieno-Epidemiologjisë në Spitalin Ushtarak. Ka mbrojtur gradën shkencore në vitin 1981. Ka filluar karrierën e mjekut në fundin e viteve ’50 dhe ka dalë në pension në fillimin e viteve ’90./panorama

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...