2 korrik 1990 i ambasadave, 6 plagosur dhe 76 të ndaluar

E Enjte, 02 July 2020 15:01
Komunikata për ngjarjes e datës 1 korrik 1990, si dhe fotot e tre shtetasve shqiptarë që hynë në ambasadën gjermane Komunikata për ngjarjes e datës 1 korrik 1990, si dhe fotot e tre shtetasve shqiptarë që hynë në ambasadën gjermane

Nga Kastriot Dervishi

Pas disa veprimesh individuale në muajt mars-qershor 1990, si dhe një ngjarje në ambasadën italiane më 23.6.1990, në fillim të korrikut 1990, veprimi u hyrjes në ambasadat e huaja në Tiranë u bë masiv. Në komunikatën nr.154, datë 2.7.1990 të MPB-së, ndër të tjera njoftohej:

“Më datën 1.7.1990 prapa ambasadës së RFGJ-së, makina “Robur” me targë TR 01-928 tentoi të hynte brenda në ambasadë duke ardhur në drejtim të policit të shërbimit me qëllim për ta shtypur. Polici qëlloi dy herë me pistoletë. Në këtë kohë mjeti fërkohet në faqe të murit ku 4 – 5 veta dalin sipër kabinës dhe nga karroceria e mbuluar e futen në ambasadë. Mbi mjet gjenden disa njolla gjaku”.

Sipas hetimit të Hetuesisë së Përgjithshme gjatë datës 2 korrik 1990, pati “një intensifikim të hyrjes me dhunë në territorin e disa ambasadave të akredituara në vendin tonë”. Në orën 10.30, 6 persona çanë murin rrethues të ambasadën italiane me një makinë tip “Tatra”. Në orën 19.00, 34 persona hyjnë në ambasadën e Republikës Federale Gjermane me një makinë “Skoda”, duke shpërthyer murin nga ana e prapme e ambasadës. Në orën 21.00 një makinë “Skoda”, e mbushur me njerëz ka hyrë në ambasadën greke duke shpërthyer murin anësor. Pas këtij veprimi hyrë edhe persona të tjerë në ambasadën greke, polake, çeke, gjermane, etj, numri i të cilëve nuk u arrit të evidencohet. Organet e policisë ndaluan më 2 korrik, 76 persona.  Nga raporti i parë i ngjarjes, del se ishin plagosur 6 persona, midis të cilëve Altin Përparim Basha (mbiemri i shkruar gabim në origjinal “Barka”), i plagosur me armë zjarri në bark, i cili vdiq më vonë.

Modifikuar më E Enjte, 02 July 2020 16:02
Login to post comments